Më shumë se gjysma e pasagjerëve në një aeroplan që shkonte nga Kina në Itali kanë rezultuar pozitivë me COVID-19

Bota

Më shumë se gjysma e pasagjerëve në një aeroplan që shkonte nga Kina në Itali kanë rezultuar pozitivë me COVID-19

Më: 28 dhjetor 2022 Në ora: 23:04
Foto ilustrim

Më shumë se gjysma e pasagjerëve në një aeroplan nga Kina në Itali kanë rezultuar pozitivë për COVID-19.

Një lajm i tillë vjen në kohën kur Kina përgatitet të hapë kufijtë e saj pavarësisht një rritjeje të madhe të infeksioneve.

Por Italia ka filluar testet e detyrueshme për COVID-19 për njerëzit që mbërrijnë nga Kina e goditur nga virusi mes një alarmi të ri për coronavirusin.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, dy aeroplanë në Milano ishin ndër të parët që panë pasagjerët që i nënshtroheshin testeve të reja të detyrueshme të vendosura për udhëtarët kinezë.

Guido Bertolaso, këshilltar rajonal i Lombardisë për mirëqenien, tha në një konferencë shtypi: “Në aeroplanin e parë, nga 92 pasagjerë 35 (38%) janë pozitivë. Në të dytin, nga 120 pasagjerë 62 (52%) janë pozitivë”.

Ndërkohë të mërkurën në mbrëmje, SHBA u bë vendi i pestë që vendosi kufizime për udhëtarët kinezë – ndërsa Kina përgatitet të lëshojë pasaporta dhe viza të zakonshme në një hap të madh larg masave të vendosura për shkak të COVID-19 që kanë izoluar vendin për gati tre vjet.

Njoftimi i Pekinit do të thotë se miliona kinezë mund të shkojnë jashtë vendit për festën e Vitit të Ri Hënor të muajit të ardhshëm – hera e parë që nga viti 2020.

Rregullat që mbyllën miliona njerëz në shtëpitë e tyre e mbajtën të ulët shkallën e infeksionit në Kinë, por nxitën demonstratat publike dhe shtypën rritjen ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat