Nuk do të ketë asnjë kufizim në numrin e pelegrinëve për Haxhin e vitit 2023 – thotë Arabia Saudite

Bota

Nuk do të ketë asnjë kufizim në numrin e pelegrinëve për Haxhin e vitit 2023 – thotë Arabia Saudite

Më: 10 janar 2023 Në ora: 13:18
Mekë

Pelegrinazhi vjetor i Haxhit për myslimanët do të kthehet në nivelet para pandemisë këtë vit, kanë thënë autoritetet saudite.

Haxhi, që kërkohet nga të gjithë myslimanët e aftë një herë në jetën e tyre, përfaqëson një nga grumbullimet më të mëdha të njerëzve në botë, shkruan Al Jazeera.

Para pandemisë, pelegrinazhi tërhoqi miliona njerëz çdo vit në qytetin e shenjtë të Islamit, Mekën, në Arabinë Saudite, shtëpia e Qabesë në formë kubi, drejt së cilës myslimanët luten pesë herë në ditë.

“Unë ju sjell dy lajme të mira në këtë takim. E para: kthimi i numrit të pelegrinëve në atë që ishin para pandemisë pa asnjë kufizim moshe”, ka thënë ministri saudit i Haxhit dhe Umres, Tawfiq bin Fawzan al-Rabiah të hënën në mbrëmje, sipas agjencisë shtetërore të shtypit saudit.

“Dhe e dyta: lejimi i çdo misioni të Haxhit nga e gjithë bota që të merret me çdo kompani të licencuar që plotëson kërkesat e pelegrinëve të atyre vendeve”, ka shtuar ai.

Ndryshe, me shfaqjen e COVID-19, në vitin 2020, kombi i Gjirit e kufizoi në mënyrë drastike Haxhin me më pak se 1,000 banorë të Arabisë Saudite të lejuar të merrnin pjesë.

Kjo ndryshonte shumë pasi në vitin 2019, më shumë se 2.4 milionë njerëz morën pjesë në pelegrinazh.

Një lëvizje e tillë e paprecedentë ishte e paparë edhe gjatë epidemisë së gripit të vitit 1918 që vrau dhjetëra miliona njerëz në mbarë botën.

Dhe më pas, në vitin 2021, rreth 60,000 banorë të Arabisë Saudite kryen pelegrinazhin.

Ndërsa vitin e kaluar, rreth 900,000 pelegrinë u mirëpritën në qytetet më të shenjta të Islamit, Mekë dhe Medinë për pelegrinazhin.

Megjithatë, vetëm ata të moshës nën 65 vjeç me vaksinim kundër coronavirusit dhe një test negativ mund të hynin në këtë vend.

Ndërkohë nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë masash paraprake shëndetësore do të merreshin për Haxhin, i cili bie këtë vit në fund të qershorit.

Sidoqoftë, ndërsa Arabia Saudite nuk ka asnjë kërkesë për vaksinat apo testimin e coronavirusit, ajo kërkon që pelegrinët të vaksinohen për sëmundje të tjera. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat