Luftanija ruse me raketa hipersonike, gati për stërvitje të përbashkëta ushtarake me Kinën dhe Afrikën e Jugut

Bota

Luftanija ruse me raketa hipersonike, gati për stërvitje të përbashkëta ushtarake me Kinën dhe Afrikën e Jugut

Më: 23 janar 2023 Në ora: 10:34
Foto ilustrim

Një luftanije ruse e armatosur me raketa hipersonike të gjeneratës së re do të marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta me marinën e Kinës dhe të Afrikës së Jugut në shkurt.

Kjo është hera e parë që bëhet e ditur zyrtarisht pjesëmarrja e fregatës “Admirali i Flotës së Bashkimit Sovjetik Gorshkov”, e cila është e armatosur me raketa Zirkon.

Raketat kanë një shpejtësi nëntë herë më shumë se shpejtësia e zërit, me një rreze prej më shumë se 1000 km, sipas Rusisë.

Ato përbëjnë pjesën qendrore të arsenalit hipersonik të Kremlinit, së bashku me mjetin rrëshqitës Avangard që u fut në detyrë luftarake në vitin 2019.

“Admirali Gorshkov do të shkojë në pikën e mbështetjes logjistike në Tartus të Sirisë dhe më pas do të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta detare me marinën kineze dhe afrikano-jugore”, sipas agjencisë shtetërore ruse, TASS, e cila citon një burim jo zyrtar nga Mbrojtja.

Të enjten, Forca Kombëtare e Mbrojtjes së Afrikës së Jugut tha se stërvitjet, që do të zhvillohen nga 17 shkurt deri më 27 shkurt pranë qytetit port të Durban dhe Richards Bay, synojnë “të forcojnë marrëdhëniet midis Afrikës së Jugut, Rusisë dhe Kinës”.

Stërvitja do të jetë e dyta që përfshin tre vendet në Afrikën e Jugut, pas një stërvitje në vitin 2019.

Rikujtojmë se Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë në një garë për të zhvilluar armë hipersonike, që shihen si një mënyrë për të fituar një avantazh ndaj çdo kundërshtari për shkak të shpejtësisë së tyre, më të madhe se pesëfishi i zërit dhe sepse ato janë më të vështira për t’u zbuluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat