Raporti i Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike

Bota

Raporti i Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike

Më: 22 mars 2023 Në ora: 19:09
Foto ilustrim

Një ekip shkencëtarësh të Kombeve të Bashkuara thotë se njerëzimi ka ndoshta shansin e fundit për të parandaluar efektet më të rënda të ndryshimeve klimatike. Që të arrihet kjo, thotë raporti i publikuar ditët e fundit nga Kombet e Bashkuara, kërkohet që deri në vitin 2035 të ulet me afro dy të tretat ndotja e shkaktuar nga karboni dhe lëndët fosile. Ky vit ka shënuar raste të motit ekstrem të nxitura nga ndryshimet klimatike, duke dëmtuar më së shumti ata që janë më pak përgjegjës për ndryshimet, por më të rrezikuar nga efektet e tij.

Njerëzimi ende ka një shans, që po zbehet me shpejtësi, për të parandaluar dëmet më të rënda si rezultat i ndryshimeve klimatike, është përfundimi i një raporti të Kombeve të Bashkuara. Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Kilmatike thotë se kërkohet reduktimi me dy të tretat i ndotjes nga karboni deri në vitin 2035.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres thotë se ka pak kohë për të humbur në trajtimin e ndryshimeve klimatike.

“Njerëzimi po qëndron mbi një shtresë të hollë akulli i cili po shkrin shpejt. Siç e detajon edhe raporti, njerëzimi është përgjegjës për pothuajse të gjithë ngrohjen globale gjatë 200 viteve të fundit”.

Shkencëtarët theksojnë urgjencën e problemit ndërsa kërkohet kufizimi i rritjes së temperaturave globale në 1.5 gradë Celsius që nga periudha para industrializimit. Efektet e ndryshimit të klimës po vihen re në vende të ndryshme të botës.

Iraku jugor po përballet me një thatësirë që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi dhe blegtori. Nivelet e lumenjve kanë rënë ndjeshëm për shkak të mungesës pothuajse të plotë të reshjeve gjatë katër viteve të fundit.

Po ashtu janë ulur edhe prurjet e ujrave që rrjedhin nga Irani dhe Turqia.

Shumë nga ligatinat e ushqyera nga lumi Eufrat janë prekur nga thatësira, duke rezultuar në kushte të vështira jetese për fermerët që varen nga bujqësia dhe peshkimi.

Iraku është ndër pesë vendet që rrezikohen më së shumti në botë nga efektet e ndryshimeve klimatike dhe zgjerimit të shkretëtirave.

Shtetet Malaui dhe Mozambiku u goditën rëndë nga cikloni Freddy, duke shkaktuar rreth 500 viktima dhe afro gjysëm milionë njerëz të zhvendosur në të dy vendet, sipas autoriteteve.

Ndërkohë Briri i Afrikës po përjeton sezonin e gjashtë të thatësirës, me humbje të konsiderueshme për banorët.

Autoritetet thonë se 11 milionë kafshë dhe specie kanë ngordhur për shkak të thatësirës, duke i zhytur familjet në varfëri të tmerrshme. Rreth 23 milionë njerëz mendohet se rrezikohen nga mungesa e ushqimit, sipas të dhënave të mbledhura nga grupet e punës pranë Kombeve të Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat