VOA/ Rusia kërcënon të anulojë marrëveshjen për eksportin e grurit ukrainas

Bota

VOA/ Rusia kërcënon të anulojë marrëveshjen për eksportin e grurit ukrainas

Më: 25 prill 2023 Në ora: 16:09
Foto ilustrim

Rusia ka kërcënuar të anulojë një nismë që mundëson eksportimin e sigurt të grurit nga portet ukrainase të Detit të Zi për në tregjet botërore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton se kërcënimi vjen pasi anëtarët e Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara paralajmëruan se mund të vendosin sanksione të mëtejshme ndaj Moskës për agresionin e saj në Ukrainë.

Sipas agjencisë japoneze të lajmeve Kyodo, Grupi i Shtatë vendeve kryesore industriale po shqyrton një ndalim pothuajse total të të gjitha eksporteve në Rusi.

Ish-presidenti i Rusisë Dmitry Medvedev tha të dielën se nëse një ndalim i tillë ndodh, Moska do të anulojë Nismën e Drithrave të Detit të Zi.

Marrëveshja – e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia – mundëson eksportin jetik të grurit nga portet e Detit të Zi të Ukrainës në tregjet botërore përmes inspektimit të përbashkët të anijeve në një objekt në Stamboll.

Ukraina është prodhuesi i pestë më i madh i drithrave në botë. Rreth 28 milionë tonë drithë janë eksportuar sipas marrëveshjes që nga korriku. Ekspertët paralajmërojnë se anulimi i marrëveshjes mund të ketë një ndikim shkatërrues mes një krize globale ushqimore.

“Nëse marrëveshja e Detit të Zi nuk rinovohet dhe Ukraina nuk mund të eksportojë, atëherë çmimet e mallrave ushqimore do të rriteshin ndjeshëm përsëri”, thotë Ian Mitchell me Qendrën për Zhvillim Global.

Rusia kishte bërë të ditur muajin e kaluar se mund të mos e rinovonte marrëveshjen e grurit përtej afatit të skadimit të saj më 18 maj.

Moska thotë se një "memorandum mirëkuptimi" i veçantë, por paralel, për të cilin ra dakord me Kombet e Bashkuara, për të ndihmuar sektorin bujqësor të Rusisë përballë sanksioneve perëndimore, po dështon.

"Praktikisht asgjë nuk është bërë për heqjen e pengesave për eksportin e plehrave kimike dhe drithërave ruse", tha ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov.

Pavarësisht këtij pretendimi, shifrat tregojnë se eksportet ruse të grurit në fakt janë dyfishuar gjatë vitit të kaluar.

Ndër kërkesat e Kremlinit janë kthimi i Bankës Bujqësore Ruse në sistemin global të pagesave SWIFT…rifillimi i furnizimeve me makineri bujqësore në Rusi dhe heqja e kufizimeve në sigurimin dhe qasjen në porte për anijet dhe ngarkesat ruse.

“Sigurisht që këto kërkesa nuk mund të përmbushen plotësisht. Dhe rusët e dinë këtë. Ata përsëri po përpiqen të përdorin ushqimin për të marrë të gjitha lëshimet që mund të marrin. Ata po e bëjnë këtë në një kohë kur është pothuajse e sigurt se ne do të shohim një rritje të konfliktit, me ukrainasit që po përpiqen të zmbrapsin forcat ruse nga pozicionet e tyre”, thotë Stephen Flynn në Universitetin “Northeastern”.

Çfarë ndodh nëse Rusia anulon nismën e drithit?

“Nëse Rusia vendos qartë të jetë agresive dhe të minojë zonat ku lëvizin anijet, apo t’i vërë në shënjestër anijet transportuese, atëherë ato nuk do të lëvizin dhe tarifat e sigurimit do të shkonin shumë të larta. Pronarët e anijeve do të vendosnin të mos hyjnin në Detin e Zi. Dhe kjo do të bllokonte transportin e drithërave”, thotë Stephen Flynn në Universitetin “Northeastern”.

Kombet e Bashkuara dhe G-7 i kanë kërkuar Rusisë të rinovojë nismën e grurit – duke paralajmëruar se çdo ndërprerje mund të rrisë ndjeshëm çmimet e ushqimit dhe të rrezikojë jetët në vendet më të varfra të botës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat