Perceptimi publik global i udhëheqjes së Rusisë u ul ndjeshëm në vitin 2022

Bota

Perceptimi publik global i udhëheqjes së Rusisë u ul ndjeshëm në vitin 2022

Më: 25 prill 2023 Në ora: 20:19
Vladimir Putin

Pas pushtimit të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin vitin e kaluar, qëndrimet ndaj udhëheqjes së Rusisë në nivel global kanë ndryshuar në mënyrë dramatike, me një përqindje të madhe të popullsisë në dhjetëra vende që raportojnë mosmiratim për veprimet e Kremlinit.

Sipas një raporti të publikuar të martën nga organizata Gallup, të dhënat e përpiluara nga anketimi i mijëra njerëzve në 137 vende dhe rajone treguan një rënie të dukshme të miratimit për Kremlinin. Në shkallë globale, 57% e të anketuarve raportuan se nuk e miratojnë udhëheqjen e Rusisë gjatë vitit 2022, nga vetëm 38% një vit më parë.

Vetëm 21% e të anketuarve thanë se e miratojnë drejtimin e Rusisë, nga 33% në vitin 2021. Të dyja shifrat e miratimit dhe të mosmiratimit ishin shifrat më ekstreme që Gallup ka matur që kur filloi të bënte pyetjen në vitin 2007 si pjesë e sondazhit të tij vjetor që ndjek qëndrimet ndaj udhëheqësve globalë.

“Është e pabesueshme,” i tha Zërit të Amerikës Zacc Ritter, një hulumtues i organizatës Gallup dhe autori kryesor i raportit. "Unë nuk mendoj se kemi parë një ndryshim si ky më parë në të dhënat e Gallup-it për ndonjë vend".

Ndryshim negativ kudo

Ndërsa përshtypja e njerëzve për udhëheqjen e Rusisë ndryshonte në vende të veçanta në sondazh, rezultati kryesor ishte një përkeqësim i imazhit publik të lidershipit të saj në të gjitha aspektet.

Ndryshimi ishte më i spikatur në Amerikën Latine dhe Karaibe, ku vlerësimi mesatar i miratimit ra me 21 pikë përqindjeje, në 16%, ndërsa vlerësimi mesatar i mosmiratimit u rrit me 30 pikë, në 61%.

Edhe në pjesë të Afrikës dhe Azisë ku ndikimi rus mbetet i fortë, ndryshimi ishte negativ. Në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, shkalla e mosmiratimit u rrit me 12 pikë, në 55%. Në Afrikën Nën-Sahariane, ku Rusia ka operacione me ndikim aktiv, shkalla e mosmiratimit u rrit nga 21% në 32%, duke u përkeqësuar edhe në vendet, udhëheqësit e të cilave kanë refuzuar të dënojnë luftën.

Megjithatë, Afrika nën-Sahariane ishte i vetmi rajon i anketuar nga Gallup në të cilin vlerësimi mesatar i miratimit të udhëheqjes së Rusisë (35%) mbeti mbi vlerësimin mesatar të mosmiratimit.

Dallimet në nivel shtetëror

Të dhënat e mbledhura nga organizata Gallup tregojnë dallime të rëndësishme rajonale në qëndrimet ndaj udhëheqjes së Rusisë, me mosmiratimin më të madh të përqendruar në Evropë, Amerikën e Veriut, Australi, Korenë e Jugut dhe Japoni. Ndjenjat ndaj Rusisë ishin më kontradiktore në Afrikë, Azi dhe Lindjen e Mesme.

Ashtu siç pritej, Ukraina regjistroi shkallën më të lartë të mosmiratimit, me 96%, e ndjekur nga afër nga Polonia, me 95%. SHBA, Kanadaja dhe 10 vende të tjera evropiane regjistruan vlerësime të mosmiratimit prej 90% ose më lart.

Në Tajvan, ishulli vetëqeverisës i pretenduar nga Kina dhe vetë nën kërcënimin e vazhdueshëm të pushtimit, kundërshtimi ndaj Rusisë ishte i madh. Në vitin 2021, vetëm 26% e tajvanezëve të anketuar shprehën mosmiratim ndaj udhëheqjes të Rusisë. Deri në vitin 2022, mosmiratimi arrit në 72%.

Një rast i veçantë ishte Kazakistani, ish-republika sovjetike në kufirin lindor të Rusisë. Normalisht një aleat i besueshëm i Moskës, Kazakistani tregoi një ndryshim të madh në qëndrim midis viteve 2021 dhe 2022. Miratimi i udhëheqjes ruse ra në 29% nga 55% dhe mosmiratimi u rrit në 50% nga vetëm 20%.

Jo Surprizë

Steven Pifer, ish-zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit që ka shërbyer edhe si ambasador në Ukrainë, i tha Zërit të Amerikës se nuk është sekret që Rusia ka dëmtuar seriozisht imazhin e saj ndërkombëtar, në veçanti në Evropë.

“Sigurisht kur shohim se si e shikojnë evropianët tashmë Rusinë, mendoj se është një imazh shumë më negativ se ç’ishte përpara se të fillonte lufta”, tha zoti Pifer, i cili është bashkëpunëtor i Qendrës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Universitetin e Stanfordit. “Veprimet e Rusisë janë kaq në kundërshti me parimet themelore që ne kemi menduar se kanë qenë baza e sigurisë evropiane... saqë tani, kur flasin për sigurinë në Evropë, nuk është në lidhje me sigurinë që përfshin Rusinë. Është për sigurinë përballë Rusisë”.

Në skenën më të gjerë globale, tha ai, do të jetë e vështirë për shumicën e udhëheqësve botërorë që të kenë një angazhim domethënës me zyrtarë të lartë rusë, apo që t’u besojnë atyre në rastet kur angazhimi është i mundshëm.

“Fillojeni nga koka. Vladimir Putini është akuzuar për krime lufte. Është vërtet e vështirë që një udhëheqës perëndimor të mundet të ulet me të, në këtë pikë. Ka kosto për reputacionin një vendim i tillë”, tha zoti Pifer.

Ai tha se gatishmëria e diplomatëve të lartë rusë për të recituar gënjeshtra dhe shtrembërime të dukshme për luftën të prodhuara nga Kremlini, do ta bëjë edhe më të vështirë riangazhimin.

“Diplomatët rusë për të cilët unë kisha një nivel respekti, thjesht ekzistojnë tashmë, duke thënë gjëra nga më të çuditshmet”, thotë zoti Pifer. “Kjo do t’iu kthehet kundër. Ata kanë humbur shumë besueshmëri, dhe do të jetë e vështirë ta rikthejnë atë”.

Përfundime të ngjashme

Megjithëse numri i njerëzve të anketuar e dallon anketimin e kompanisë Gallup, gjetjet e saj konfirmojnë ato të firmave kryesore studimore që kanë eksploruar rënien në pozitën globale të Rusisë, si p.sh. Qendra Kërkimore Pew, apo Ipsos.

Muajin e kaluar, kompania konsulente britanike Brand Finance, e cila publikon edhe një Indeks Global të Pushtetit të Butë, raportoi se gjatë vitit të kaluar, Rusia ishte i vetmi vend i cili pati rënie në pushtetin e saj të butë krahasuar me një vit më parë.

Pushteti i butë, që i referohet aftësisë së një vendi për të ndikuar tek sjellja e vendeve të tjera pa ushtruar forcën, rrjedhon nga shumë faktorë, përfshirë lidhjet ekonomike dhe influencat kulturore.

“Ndërsa vendet i janë kthyer pushtetit të butë për të restauruar tregtinë dhe turizmin pas një krize shkatërrimtare të shëndetit, rendi botëror është tronditur nga pushteti i fortë i sulmit të Rusisë në Ukrainë”, tha në një deklaratë drejtuesi i kompanisë Brand Finance, David Haigh. “Një ngjarje që do të ishte e vështirë të besohej nëse nuk do të ishte intensiteti i imazheve që kemi parë prej muajsh dhe pasojat që konflikti po lë tek politika dhe ekonomia”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat