Presidenti Zelenky në Finlandë për takime me udhëheqësit e vendeve nordike

Bota

Presidenti Zelenky në Finlandë për takime me udhëheqësit e vendeve nordike

Më: 3 maj 2023 Në ora: 15:57
Foto nga takimi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky mbërriti në Finlandë të mërkurën për bisedime me udhëheqësit vendeve nordike mbi mbështetjen në luftën me Rusinë dhe për marrëdhëniet e saj me Evropën, thanë qeveritë e rajonit.

Presidenti Zelensky do të zhvillojë bisedime dypalëshe me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto, që do të pasohen nga një konferencë shtypi përpara se ai të marrë pjesë në një takim të udhëheqësve të vendeve nordike, tha zyra e zotit Niinisto përmes një deklarate.

Qindra njerëz u mblodhën në qendër të Helsinkit për të parë zotin Zelensky, duke brohoritur në mbështetje të tij ndërsa ai u shfaq para pallatit presidencial.

Në takimin më të gjerë rajonal do të marrin pjesë presidenti finlandez Niinisto si dhe kryeministrat e Suedisë, Norvegjisë, Danimarkës dhe Islandës.

“Tema e takimit është agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, mbështetja e vazhdueshme e vendeve nordike për Ukrainën, marrëdhëniet e Ukrainës me BE-në dhe NATO-n dhe nisma e Ukrainës për një paqe të drejtë”, tha zyra e Presidentit Niinisto.

Një zëdhënës i Presidentit Zelensky tha përmes një deklarate se qeveria ukrainase priste që takimi të rezultonte në një deklaratë të përbashkët.

“Takimi i udhëheqësve të Ukrainës dhe pesë vendeve të Evropës Veriore është organizuar për koordinimin e mëtejshëm të ndihmës ushtarake për vendin tonë, integrimin evropian dhe euroatlantik të Ukrainës”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të presidentit ukrainas.

Vizita e presidentit ukrainas në Finlandë, një nga udhëtimet e pakta që ai ka bërë jashtë vendit që nga pushtimi i Rusisë vitin e kaluar, u njoftua vetëm pas mbërritjes së tij mes masave të forta të sigurisë në kryeqytetin finlandez.

Finlanda së fundmi u anëtarësua në NATO, duke u bërë anëtari i saj i 31-të, në përgjigje të sulmit rus ndaj Ukrainës. Finlanda ndan një kufi të gjatë me Rusinë.

Kremlini tha më 4 prill se pranimi i Finlandës në NATO ishte një gabim i rrezikshëm historik që do të dobësonte sigurinë në rajon dhe do ta detyronte Moskën të merrte masa kundër këtij veprimi.

Duke i bërë jehonë këtij këndvështrimi, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha në një konferencë shtypi të mërkurën se "Ndërsa vëzhgojmë planet e NATO-s për Finlandën, ne konfirmojmë se Rusia do të detyrohet të hakmerret, si ushtarakisht ashtu edhe me mënyra të tjera, për të frenuar kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare."/VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat