Irani sekuestron tjetër çisternë në Gjirin Persik mes rritjes së tensioneve me SHBA

Bota

Irani sekuestron tjetër çisternë në Gjirin Persik mes rritjes së tensioneve me SHBA

Më: 3 maj 2023 Në ora: 19:32

Irani nën sanksione ekonomike të vendeve perëndimore, ka sekuestruar sot një çisternë të dytë karburanti brenda disa ditëve, teksa tensionet rriten në ujërat e rëndësishme komerciale të Gjirit Persik.

Një flotë e barkave të Gardës Revolucionare të Iranit rrethoi sot çisternën në pronësi greke Niovi, e cila lundronte bosh nga Dubai drejt Fujairah, një tjetër port i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Anija me flamur të Panamasë u sekuestrua në Ngushticën e Hormuz, ne ngjarjen qe vjen vetëm gjashtë ditë pas një incidenti të ngjashëm në Gjirin mes Iranit dhe Gadishullit Arabik, ku kalon rreth një e treta e ngarkesave botërore të karburantit.

Flota amerikane në Bahrain, informonte për incidentin: “Dymbëdhjetë barka të shpejta të Gardës iraniane rrethuan mjetin në mesin e ngushticës, dhe rrjedhimisht detyruan çisternën të ndryshonte kurs drejt brigjeve iraniane”.

Irani konfirmoi sekuestrimin dhe justifikohej duke thënë se vinte “pas një urdhri të gjyqësorit”, shkruante rrjeti vendas Mizan Online.

Incidente të tilla në Gjirin Persik po shihen shpesh që prej vitit 2018, kur ish presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja ndërkombëtare bërthamore me Iranin dhe rivendosi sanksionet.

Sekuestrimi i sotëm i çisternës Niovi, vjen pas paralajmërimeve të Greqisë për diçka të tillë, tha flota e SHBA.

“Autoritetet greke kishin paralajmëruar se mjete detare të Greqisë rrezikoheshin nga Irani pas disa incidenteve mes dy vendeve”, thuhej në deklaratën amerikane.

Disa muaj më parë Greqia ndaloi një çisternë me naftë iraniane që me pas u lirua, por Irani ka ruajtur inatin duke sekuestruar te paktën dy mjete greke që kalojnë në ujërat pranë tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat