Kanadaja akuzon Kinën për frikësimin e një ligjvënësi

Bota

Kanadaja akuzon Kinën për frikësimin e një ligjvënësi

Më: 6 maj 2023 Në ora: 00:04
Foto ilustrim

Ministria e Jashtme e Kinës protestoi me zemërim të premten ndaj një raporti të shërbimit kanadez të zbulimit, ku thuhet se diplomatët kinezë u përpoqën të frikësojnë një anëtar të parlamentit të Kanadasë, për shkak se kishte kritikuar Pekinin.

Reagimi i ashpër i Kinës erdhi pasi Ministrja e Jashtme kanadeze Melanie Joy, thërriti të enjten ambasadorin e Kinës në Kanada, dhe u shpreh se po shqyrton mundësinë e dëbimit të tij.

Raporti i vitit 2021 i Shërbimit të Sigurisë dhe Zbulimit të Kanadasë (CSIS), u përmend për herë të parë në një artikull këtë javë në gazetën e Torontos, “Globe and Mail”. Në artikull thuhej se sipas agjencisë së zbulimit, ligjvënësi i opozitës Michael Chong dhe të afërmit e tij në Hong Kong, ishin bërë objekt sulmi pasi zoti Chong kritikoi mënyrën se si Kina po trajton minoritetit ujgur.

Në raport identifikohej një diplomat kinez në Toronto si personi përgjegjës për frikësimin e ligjvënësit kanadez.

Agjencia e zbulimit gjithashtu tha se Pekini ishte përpjekur të influenconte rezultatin e zgjedhjeve federale të Kanadasë në vitin 2019.

Duke folur të enjten në parlament, Ministrja Joly tha se një ndërhyrje e tillë nuk mund të tolerohet dhe i siguroi ligjvënësit se do të ndërmerren veprime, përfshirë edhe mundësinë e dëbimit të diplomatëve.

Gjatë një seance të rregullt informimi në Pekin të premten, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning i quajti akuzat në raportin e zbulimit “krejtësisht të pakuptimta”, “shpifje të pabaza” dhe “ndotje të imazhit”. Ajo tha se ambasadori kinez, kur u thirr në Ministrinë e Jashtme kanadeze, dorëzoi atje një notë të fortë proteste.

Raporti është debatuar edhe brenda qarqeve politike kanadeze. Kryeministri Justin Trudeau tha të mërkurën se mësoi për herë të parë mbi rreziqet që i kanosen zotit Chong dhe familjes së tij, nga artikulli i gazetës “Globe and Mail”.

Zoti Trudeau tha se agjencia e zbulimit nuk ia kishte referuar këtë informacion pasi, nuk plotësonte kriteret e nevojshme për t’iu përcjellë kryeministrit.

Agjencia e informoi zotin Chong për rastin në vitin 2021, por ligjvënësi tha se ai nuk kishte marrë informacion rreth kërcënimeve ndaj tij apo familjes së tij, mbi të cilat sikurse tha kishte mësuar nga artikulli i gazetës “Globe and Mail”.

Çështja u bë një pikë debati të enjten në Parlament pasi anëtarët e Partisë Liberale të kryeministrit Trudeau këmbëngulën se zoti Chong, ligjvënës i Partisë Konservatore të opozitës, i kishte ditur në fakt detajet e raportit, gjatë gjithë kohës.

Të mërkurën, zoti Trudeau këmbënguli se duhet të merret një vendim që çdo raport i shërbimeve të zbulimit, që përmend në mënyrë specifike një kërcënim ndaj një anëtari të Parlamentit ose familjes së tij, të ketë një nivel më të lartë vëmendjeje dhe që partitë të informohen për këtë.

Marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Kinës kanë qenë të tensionuara në vitet e fundit. Në vitin 2021, Kina liroi dy kanadezë, ish-diplomatin Michael Kovrig dhe sipërmarrësin Michael Spavor, të cilët ishin ndaluar nga Kina për gati tre vjet.

Arrestimi i tyre nën akuzat për spiunazh u bë në fund të vitit 2018, më pak se dy javë pasi zyrtarët kanadezë arrestuan sipërmarrësen kineze dhe shefen ekzekutive të kompanisë Huawei, Meng Wanzhou, me një urdhër arresti të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me marrëdhëniet e biznesit të kompanisë së saj në Iran.

Disa informacione për këtë raport janë marrë nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe Agence France-Presse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat