Shefi i ushtrisë së Afrikës së Jugut në Moskë për bisedime dypalëshe

Bota

Shefi i ushtrisë së Afrikës së Jugut në Moskë për bisedime dypalëshe

Më: 16 maj 2023 Në ora: 06:31
Foto ilustrim

Forca Kombëtare e Mbrojtjes së Afrikës së Jugut (SANDF) tha të hënën se shefi i saj, Lawrence Mbatha, ndodhet në Moskë për një takim dypalësh, ku do të vizitojë akademitë ushtarake ruse dhe do të zhvillojë bisedime me zyrtarë.

“Duhet të theksohet se Afrika e Jugut ka marrëdhënie dypalëshe ushtarake me vende të ndryshme në kontinent dhe më gjerë”, tha Ushtria e Afrikës së Jugut në një deklaratë, duke shtuar se takimi në Rusi ishte planifikuar shumë kohë më parë.

Më herët të hënën, presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa tha se pozicioni si një vend paangazhuar nuk favorizon Rusinë ndaj shteteve të tjera dhe përsëriti thirrjen e tij për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë.

Presidenti Ramaphosa i bëri komentet në një buletin javor presidencial. Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara thanë se një sasi armësh ishte ngarkuar në anijen ruse Lady R nga një bazë detare në Kejp Taun të Afrikës së Jugut në fund të vitit të kaluar, duke shkaktuar një përplasje diplomatike mes dy vendeve.

Zyrtarët e Afrikës së Jugut hodhën poshtë me shpejtësi pretendimet e bëra nga ambasadori amerikan në Afrikën e Jugut, Reuben Brigety, i cili gjithashtu tha se zyrtarët e lartë amerikanë kishin "shqetësime të thella" mbi politikën e pretenduar të neutralitetit të Afrikës së Jugut mbi luftën e Rusisë në Ukrainë.

"Ne nuk kundërshtojmë pretendimet se pozicioni ynë si një vend i paangazhuar favorizon Rusinë mbi vendet e tjera. As nuk pranojmë pretendimet se ai rrezikon marrëdhëniet tona me vendet e tjera", tha presidenti Ramaphosa.

Afrika e Jugut do të vazhdojë të respektojë marrëveshjet dhe traktatet ndërkombëtare në të cilat është nënshkruese dhe qasja e saj ndaj pretendimeve të Shteteve të Bashkuara për dërgesë armësh do të trajtohet në frymën e marrëveshjeve në fuq, shtoi ai.

Zyra e zotit Ramaphosa ka thënë se nuk është ofruar asnjë provë konkrete për të mbështetur pretendimet e bëra nga ambasadori, por se një hetim i udhëhequr nga një ish-gjyqtar do ta shqyrtojë çështjen.

Disa ministra, duke përfshirë atë përgjegjës për kontrollin e armëve, një zëdhënës i ministrisë së jashtme dhe ministri i komunikimeve kanë thënë se Afrika e Jugut nuk kishte miratuar asnjë dërgesë armësh në Rusi në dhjetor.

Ambasadori Brigety u thirr të premten për të takuar Ministren e Jashtme të Afrikës së Jugut, Naledi Pandor dhe ai i kërkoi falje "pa rezerva" qeverisë dhe popullit të Afrikës së Jugut, thuhet në një deklaratë e ministrisë së jashtme të Afrikës së Jugut.

“Jam mirënjohës për mundësinë për të biseduar me ministren e Jashtme Pandor... dhe për korrigjuar çdo keqkuptim të komenteve të mia publike”, tha ambasadori Brigety në një postim në Twitter, në të cilin ai nuk e konfirmoi se kishte kërkuar falje për komentet e tij.

Afrika e Jugut, e cila ka abstenuar në votimet për rezolutat e OKB-së mbi luftën e Rusisë në Ukrainë, thotë se është e paanshme. Vendet perëndimore, megjithatë, e konsiderojnë Afrikën e Jugut si një nga aleatët më të ngushtë të Moskës në kontinentin afrikan./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat