LIVE: Tensionohet situata/ Korpusi i vullnetarëve rusë që luftojnë përkrah ukrainasve futen në rajonin e Belgorodit – pamje nga aksioni

Bota

LIVE: Tensionohet situata/ Korpusi i vullnetarëve rusë që luftojnë përkrah ukrainasve futen në rajonin e Belgorodit – pamje nga aksioni

Më: 22 maj 2023 Në ora: 08:01 Përditësuar në ora: 21:10 më 22.05.2023
Pamje nga lufta

Korpusi i vullnetarëve rusë që luftojnë përkrah ukrainasve futen në rajonin e Belgorodit – pamje nga aksioni

Anëtarët e korpusit të vullnetarëve ruse, që dy muaj më parë bombarduan dy fshatra dhe sulmuan rajonin e Belgorodit në territorin e Rusisë, e kanë bërë sërish këtë.

Së pari, ata granatuan disa fshatra me mortaja dhe artileri. Në mëngjes herët është sulmuar fshati Kozinka.

Granatimet vazhduan dhe trupat e vullnetarëve rusë shkuan një hap më tej. Ata sulmuan pikën kufitare me tre automjete të blinduara, njëra prej të cilave ishte amerikane Humvee, dhe një tank që u pikas, por lloji nuk u specifikua.

Akoma po vazhdojnë luftimet e ashpra mes rojeve kufitare ruse dhe anëtarëve të trupave vullnetare ruse që i janë bashkuar ukrainasve.

Nga njësitë e përfshira në konflikt, raportet thonë se është Brigada e 117-të e Mbrojtjes Territoriale e ushtrisë së Ukrainës me mbështetjen e Grupit të 6-të Operacional.

Nga ana ruse, brigada e 263 motorizuar ruse u përfshi në fshatin Dronovka.

Helikopterët Mi-8 fluturojnë mbi rajonin e Belgorodit, duke bombarduar zonën ku ndodhet korpusi i vullnetarëve rusë. 

 

Të paktën 8 persona u plagosën në sulmin në rajonin Belgorod të Rusisë, tha guvernatori

Të paktën tetë persona u plagosën në një sulm në rajonin Belgorod të Rusisë, tha guvernatori atje të hënën, përcjell Bota sot.

Guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov tha në një transmetim të drejtpërdrejtë video se nuk kishte të vdekur në mesin e civilëve në Belgorod.

Kujtojmë, se më herët të hënën, Gladkov tha se disa njerëz u plagosën nga predhav në një sulm në qytetin Graivoron. Ai tha gjithashtu se predha goditën një ndërtesë administrative në Belgorod dhe dëmtuan tre ndërtesa banimi, të cilat morën flakë. Një predhë goditi gjithashtu një kopsht fëmijësh në fshatin fqinj Zamostye, ku një tjetër grua u plagos, shtoi ai.

Një zyrtar ukrainas pranoi se njësitë që kishin kryer një operacion në zonë ishin pjesë e forcave të mbrojtjes dhe sigurisë të Ukrainës, por këmbënguli se ato po vepronin në mënyrë të pavarur. “Ne mund të konfirmojmë se ky operacion është kryer nga shtetas rusë”, tha për CNN Andriy Yusov, një përfaqësues i agjencisë së inteligjencës së mbrojtjes të Ukrainës.

Guvernatori: Rusia evakuon civilët nga zona afër kufirit me Ukrainën

Guvernatori i rajonit jugor rus të Belgorodit, skenë e një inkursioni të armatosur të një grupi "sabotues" nga Ukraina, tha se autoritetet po ndihmonin njerëzit të largoheshin nga zona e sulmuar, përcjell Bota sot.

"Situata këtu vazhdon të jetë jashtëzakonisht e tensionuar," tha guvernatori Vyacheslav Gladkov, duke shtuar se autoritetet po shkonin derë më derë për të njoftuar banorët vendas.

“Shpresoj që ushtria jonë do të përfundojë detyrën e tyre në të ardhmen e afërt.”

‘Nxehen gjakrat’ mes Francës dhe Rusisë, ja inatet e vjetra që po përplasin dy shtetet

Ndonëse presidenti francez, Emmanuel Macron ka qenë mbase “më i buti” nga liderët europianë me homologun rus Vladimir Putin, gjërat ndryshojnë kur në mes futen interesat. Dhe tani çështja për të cilën dy vendet duket se po nisin një konflikt, është Afrika Qendrore.

Kontraktori ushtarak privat, “Wagner” i mbështetur nga Kremlini po përdor sipërmarrje të dyshimta biznesi “për të ushtruar një lloj diplomacie jozyrtare ruse” në të gjithë kontinentin afrikan, sipas studiuesve.

Mirëpo, kjo duket se bie ndesh me interesat e Francës, që po humbet influencën e saj aty. Kjo çështje ka shkaktuar shpesh përplasje verbale midis zyrtarëve, por situata duket se po nxehet dita-ditës.

“Kukull e Rusisë”

Largimi i ushtarëve të fundit francezë nga Republika e Afrikës Qendrore në dhjetor të vitit të kaluar, i hapi rrugë zgjerimit të ndikimit rus në atë vend të pasur me diamante, ar dhe naftë. Rreth 1,800 luftëtarë Wagner e bënë vendin“një mikpritës zombish", në vështirësi për të marrë vendimet e veta pa u konsultuar me rusët, shkruan korrespondenti i “Times” nga Republika e Afrikës Qendrore (SAR) Anthony Loyd .Megjithatë, ndikimi rus nuk ndodhi brenda natës.

Presidenti i SAR Faustin-Archange Touadera nënshkroi një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi ushtarak me Moskën pesë vjet më parë dhe mori armë dhe mercenarë nga Grupi Wagner në këmbim të mbështetjes për ushtrinë e tij FACA. Që atëherë, vendi i varfër, pak nga pak, në të gjitha aspektet: kulturor, ushtarak, politik dhe ekonomik, me ndikimin e grupit Wagner dhe PR nga Kremlini, është bërë një lloj “kukulle” e Putinit.Rrugët janë të mbushura me postera propagandistikë që shkruajnë "Rusia: dorë për dorë me ushtrinë tuaj!". Radiot lokale transmetojnë balada ruse dhe mësime të gjuhës ruse, dhe rekrutët e ushtrisë trajnohen në rusisht, duke përdorur armë ruse. Fushata ruse shkon aq larg sa që po përpiqet të nxjerrë fabrikën franceze të birrës Castel jashtë tregut.

Konkurrenti më i madh i Castel është Africa Ti L'Or, një markë birre e prodhuar në Bangui, kryeqyteti i SAR, nga një kompani në pronësi të atasheut kulturor rus Dmitry Siti, i cili u sanksionua nga Bashkimi Evropian për lidhjet e tij me grupin mercenar Wagner. Në muajin mars, autorë të panjohur sulmuan me bomba molotov fabrikën e birrës Castela në Bangui dhe ata janë të bindur se anëtarët e Wagner qëndrojnë pas gjithçkaje.

Rivaliteti me Francën

Antipatia e kahershme ndaj Francës ishte një trampolinë e vërtetë për suksesin e fushatës ruse në Republikën e Afrikës Qendrore."Rusët nuk janë të huaj këtu. Ata kanë qenë këtu për një kohë të gjatë. Ata kurrë nuk e kolonizuan Afrikën si francezët. Ata erdhën për të mbështetur afrikanët. Ishin francezët ata që bënë një gabim. Por tani francezët këtu po flasin për Rusët sikur duan të vjedhin një pjesë të Francës!”, tha për “Times”, Serguei Voyemawa, i cili pas tre muajsh studime në Rusi u bë prifti i parë në vend që përfaqësoi Kishën Ortodokse Ruse.

Anëtarë të tjerë të elitës janë të një mendimi të ngjashëm.“Francezët na trajtuan si qen, por rusët hanë ushqimin tonë me ne, sillen si ne, shkojnë në baret tona, në ndeshjet tona të futbollit, në kinema. Dhe ata luftojnë dhe ndonjëherë vriten. Shumë vriten. Ata punojnë shumë dhe njerëzit i duan ata”, tha Fidele Gouandjika, këshilltari kryesor i Presidentit Touader dhe një nga njerëzit më të pasur në SAR.Ambasadori rus në Bangui, Alexander Bikantov, tha në shkurt se 1,890 "instruktorë rusë" po operonin tani në SAR.

Në janar 2019, vetëm disa muaj pasi 175 luftëtarët e parë të Wagner mbërritën në Bangui, rusët ndërmjetësuan një marrëveshje paqeje midis qeverisë SAR dhe 14 grupeve rebele.Megjithëse Wagner ka qenë i suksesshëm në mposhtjen e kërcënimit kryengritës në Bangui, në të njëjtën kohë jashtë kufijve të kryeqytetit, ai po kryen mizori për të cilat askush nuk mb an përgjegjësi, sipas raporteve të Human Rights Watch dhe OKB-së. Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë mbledhur 377 dëshmi të grave që janë përdhunuar ose abuzuar nga personeli rus që nga fillimi i vitit 2021 dhe ka patur raste të shumta të prerjeve të kokës, duarve dhe pjesëve të tjera të trupit të burrave.

Plani sekret ushtarak, NATO po përgatitet zyrtarisht për një luftë tjetër botërore

NATO po përgatitet zyrtarisht për një luftë botërore dhe këtë e dëshmojnë faktet dhe ngjarjet në nivel ushtarak dhe diplomatik. Gazetarët dhe ekspertët kanë paralajmëruar  se bota ka hyrë në një periudhë të re të luftës së ftohtë dhe rreziku i një luftë të re botërore është më pranë se kurrë.

Udhëheqësit e vendeve anëtare, në një samit në Vilnius në korrik, pritet të miratojnë një plan ushtarak sekret, mijëra faqe, duke detajuar për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë se si do të vepronte ushtria e NATO-s në rast të një sulmi nga një fuqi e fuqishme ushtarake dhe aleatët e saj, nga Rusia apo Kina për shembull.

Siç raporton Reuters, i cili zbulon planet në fjalë, kjo është një lëvizje që shënon një ndryshim thelbësor. Për dekada, udhëheqja e NATO-s nuk kishte ndjerë nevojën për të hartuar plane luftarake në shkallë të gjerë, pasi konfliktet kufizoheshin në luftëra në shkallë më të vogël si në Afganistan dhe Irak dhe për më tepër Rusia  nuk vlerësohej si një kërcënim ekzistencial.

Megjithatë, me luftën e Rusisë në Ukrainë, më e përgjakshmja në Europë që nga viti 1945, por edhe me rrezikun e një lufte si për shembull në Tajvan dhe Oqeanin Indo-Paqësor, udhëheqja e NATO-s tani duket se vlerëson se nevojiten përgatitjet për një konflikt me një kundërshtar të fuqishëm.

Dhe në këtë kontekst, aleanca duhet të ketë gati të gjitha planet.

“Dallimi thelbësor midis menaxhimit të krizave dhe mbrojtjes kolektive është ky: nuk jemi ne, është kundërshtari ynë ai që vendos orarin,” tha admirali Rob Bauer, një nga zyrtarët më të lartë ushtarakë të NATO-s, sipas Reuters.

 “Ne duhet të përgatitemi për faktin se konflikti mund të ndodhë në çdo kohë.”

Përveç planeve të përmendura, NATO pritet gjithashtu t’u japë vendeve anëtare një udhëzim për përmirësimin e forcave të tyre të armatosura dhe logjistikës së tyre.

Kujtojmë se raportet për industrinë ushtarake tregojnë një rritje të madhe të shitjeve të armëve, me shpenzimet ushtarake që kanë arritur nivele rekord në vitin 2022.

Aleatët do të dinë saktësisht se cilat forca dhe aftësi ushtarake u duhen, duke përfshirë ku, çfarë dhe si t’i vendosin ato,” tha shefi i NATO-s , Jens Stoltenberg.

Ndërsa shumë elementë të kujtojnë planet e NATO-s para vitit 1990, pra para rënies së Bashkimit Sovjetik, disa faktorë kritikë kanë ndryshuar ndjeshëm Aleancën, e cila që atëherë është zgjeruar me rreth 1000 km në lindje dhe ka rritur numrin e anëtarëve nga 16 në 31 tashmë, raporton abcnews.al.

Vetëm anëtarësimi i Finlandës muajin e kaluar dyfishoi kufirin e NATO-s me Rusinë në rreth 2,500 km, duke lejuar një planifikim operacional më fleksibël në krahasim me të kaluarën, kur Gjermania konsiderohej zona kryesore e betejës.

Planet kërkojnë gjithashtu një rritje drastike të trupave aleate të gatshëm për luftë.

Kujtojmë se në vitin 2022 vendet anëtare të NATO-s ranë dakord për të vënë në gatishmëri 300 mijë ushtarë, kur në të kaluarën numri i tyre ishte vetëm 40 mijë. Përveç kësaj, parashikohet një përmirësim i konsiderueshëm i logjistikës së nevojshme për dislokimin e shpejtë të trupave.

Kjo ishte një nga arsyet që kreu i NATO-s u bëri thirrje liderëve të vendeve anëtare që të rrisë shpenzimet ushtarake të mbrojtjes. Zyrtarët e NATO-s vlerësojnë se do të duhen disa vite që planet të zbatohen plotësisht, megjithëse ata theksojnë se Aleanca është gati për betejë nëse do të jetë e nevojshme.

“Ne jemi gati të luftojmë edhe sonte nëse është e nevojshme. Por ju e dini që kurrë nuk jeni ‘mjaftueshëm gati'”, theksoi Hubert Cotero, zëvendës shefi i shtabit në Shtabin Suprem të NATO-s për Fuqitë Aleate në Europë (SHAPE).

Kina reagon ndaj pjesëmarrjes së Zelensky në G7: Kriza në Ukrainë duhet të zgjidhet përmes dialogut

Ministria e Jashtme e Kinës deklaroi se kriza në Ukrainë duhet të zgjidhet përmes dialogut, pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky iu bashkua udhëheqësve të demokracive të mëdha të shtunën në një samit në Japoni.

“Ne kemi vërejtur se Presidenti Zelensky mori pjesë në samitin e G7 . Qëndrimi i Kinës për krizën në Ukrainë është konsistent.

Ne gjithmonë besojmë se kriza duhet të zgjidhet politikisht përmes dialogut dhe konsultimit”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning në një konferencë, shkruan CNN.

Mao shtoi se Kina shpreson se vendet, veçanërisht vendet anëtare të G7, mund të punojnë së bashku me komunitetin ndërkombëtar për të luajtur një “rol konstruktiv në promovimin e zgjidhjes politike të krizës”.

Shefi i Wagner: Deri më 1 qershor largohemi nga Bakhmuti

Kreu i grupit mercenar rus Wagner është zotuar të transferojë kontrollin e qytetit ukrainas të Bakhmut tek ushtria ruse deri më 1 qershor.

Sipas mediave të huaja, themeluesi i Wagner, Yevgeny Prigozhin pretendoi se kishte pushtuar Bakhmut të shtunën, por Kievi thotë se ende kontrollon pjesë të qytetit.

Madje Ukraina thotë se trupat e saj janë ende duke përparuar në periferi të Bakhmut.

Por Prigozhin tha se trupat e tij do të fillojnë t’ia dorëzojnë qytetin ushtrisë ruse të enjten.

“Wagner do të largohet nga Artemovsk nga 25 maji deri më 1 qershor”, citohet të ketë thënë Prigozhin në një regjistrim audio në Telegram.

Bakhmut ishte i njohur më parë si Artemovsk, për nder të një revolucionari sovjetik, përpara se Ukraina ta riemëronte.

Ai tha se Wagner kishte vendosur “linjat e mbrojtjes” në perëndim të qytetit përpara transferimit.

Por zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, përsëriti qëndrimin se forcat e saj kanë ende një pikëmbështetje të vogël brenda qytetit dhe po përparojnë në periferi, duke shtuar se “intensiteti” i lëvizjes së tyre ishte zvogëluar.

Ajo më vonë shkroi në një postim në Telegram se trupat ukrainase ende kontrollonin “disa objekte private dhe sektorin privat në zonën ‘Litak'” të qytetit.

Analistët thonë se Bakhmut ka pak vlerë strategjike për Moskën, por marrja e tij do të ishte një fitore simbolike për Rusinë pas betejës më të gjatë të luftës në Ukrainë deri më tani

IAEA ngre alarmin për gjendjen në centralin bërthamor në Zaporizhzhia të Ukrainës

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) Rafael Mariano Grossi ka paralajmëruar se situata në centralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhzhia (ZNPP) “nuk mund të vazhdojë”.

Në një postim në Twitter, ai tha se termocentrali humbi të gjithë energjinë elektrike të jashtme për të shtatën herë që nga fillimi i luftës, “duke e detyruar atë të mbështetet në gjeneratorët e emergjencës me naftë për energji”.

Kështu, siç është vlerësuar më tej, “situata e sigurisë bërthamore në central është jashtëzakonisht e cenueshme”.

“Ne duhet të biem dakord për të mbrojtur fabrikën tani; kjo situatë nuk mund të vazhdojë”, shtoi ai.

Kompania shtetërore e Ukrainës për gjenerimin e energjisë Energoatom tha të hënën se kishte një ndërprerje të energjisë në Uzinën Bërthamore të Zaporizhzhia pasi një zyrtar i instaluar nga Rusia tha se centrali ishte vendosur në gatishmëri dhe furnizim emergjent me energji elektrike.

“Po, ne kemi ndërprerjen e shtatë që nga fillimi i pushtimit (rus)”, tha Energoatom për Reuters.

Yuriy Malashko, guvernator i rajonit Zaporizhzhia në Ukrainë theksoi se ka pasur një zjarr në një nga objektet në qytetin e Zaporizhzhia për shkak të një mbingarkese në sistemin energjetik. 

Pushtimi i Bakhmutit shkakton krisje te rusët, kreu i Wagner kërkon meritat: Nuk na ka ndihmuar askush!

Kreu i ushtrisë mercenare të Rusisë, Wagner ka minimizuar rolin e forcave zyrtare ruse në kapjen e Bakhmutit, qyteti i Ukrainës lindore që Moska pretendoi se e ka marrë në kontroll një ditë më parë.

Në një mesazh të publikuar nga shërbimi i tij për shtyp në Telegram, Yevgeny Prigozhin tha: “Gjatë pushtimit të Bakhmut, praktikisht askush nga ushtria nuk na ndihmoi”.

Megjithatë Volodymyr Zelenskyy ka mohuar se Rusia ka marrë kontrollin e plotë të Bakhmutit dhe thotë se forcat e saj e kanë rrethuar pjesërisht qytetin.

Luftëtarët e Wagner kanë udhëhequr prej kohësh fushatën e Rusisë për të marrë qytetin, duke marrë humbje të mëdha në këtë proces. Në të njëjtin mesazh, Prigozhin vlerësoi njësitë individuale të ushtrisë ruse, ndërsa përsëriti kritikat e kahershme ndaj udhëheqjes së ministrisë ruse të mbrojtjes, të cilën ai e ka akuzuar për pengimin e përpjekjeve të luftës nëpërmjet paaftësisë.

A është Prigozhin një ‘operacion special’ brenda një operacioni special?

Për vite me radhë, miliarderi i lidhur me Kremlinin, Yevgeny Prigozhin, operoi kryesisht nën hije, duke krijuar pasuri përmes kontratave qeveritare në fushën e gastronomisë dhe kontratave të tjera. Po ashtu, në mënyrë diskrete drejtoi një ndërmarrje për lajmet e rreme në Shën Petersburg, që udhëhoqi përpjekjet e Moskës për të ndikuar në zgjedhjet e huaja.

Por, në muajt e fundit, teksa grupi i tij mercenar, Wagner, ka mbajtur peshën kryesore të luftimeve të ashpra në dhe rreth qytetit lindor të Ukrainës, Bahmut, Prigozhin është vënë në qendër të vëmendjes. Kompania e tij ka publikuar video ku ai u shfaq duke vizituar personalisht burgjet për të rekrutuar të dënuar për të luftuar në Ukrainë, si dhe video ku pretendohet se ai po shëtiste në rrugët e Bahmutit, qytetit të shkatërruar nga luftimet.

Deklarimet e tij të shpeshta e kritikat e ashpra, duke përdorur edhe fjalë ofenduese ndaj zyrtarëve të lartë rusë dhe ushtrisë, janë shndërruar në markën e tij personale. Këto kanë nxitur disa të spekulojnë se ai ka ambicie politike, që mund të përfshijnë edhe sfidimin e presidentit rus, Vladimir Putin.

Në një video që u bë publike rreth kohës kur Rusia kremtonte Ditën e Fitores më 9 maj, Prigozhin qëndroi pranë një grumbulli trupash që pretendoi se ishin të luftëtarëve të Wagner-it, dhe tha se autoritetet e larta ushtarake ruse ishin përgjegjëse për vdekjen e tyre nga neglizhenca. Prigozhin veçmas ka qenë kritikë ndaj shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, dhe ministri të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, që konsiderohet si një prej këshilltarëve më të afërt të Putinit.

Igor Girkin, i njohur gjithashtu si Strelkov, ish-operativ i Shërbimit Federal të Sigurisë dhe veteran ushtarak rus, i cili luajti një rol kyç në kryengritjen anti-Kiev të drejtuar nga Rusia në pjesë të Ukrainës lindore duke filluar në vitin 2014, tha në një podkast muajin e kaluar se ” lufta për Kremlinin, pas largimit të Putinit, ka filluar”.

“Disa forca serioze qëndrojnë pas Prigozhinit,” shtoi ai.

“Thjesht një person me disa restorante”

Ashtu si Putini, Prigozhin, 61 vjeç, është nga Leningradi (tani Shën Petersburg) dhe falë raporteve personale me presidentit rus, ai ka arritur të ngrihet në pushtet. Ai është quajtur “kuzhinier i Putinit” për shkak të kontratave të fituara me bizneset e tij të gastronomisë. Për herë të parë ishte arrestuar kur ishte adoleshent. Më 1981 ishte dënuar me 12 vjet burgim për shkak të vjedhjeve të banesave, në bashkëpunim me anëtarë të bandave. Ai vuajti nëntë vjet burg dhe u lirua më 1990, një vit para rënies së Bashkimit Sovjetik.

Ka shumë gjasa, që Prigozhin të jetë takuar për herë të parë me Putinin në fillim të viteve ’90, kur ai po tentonte të hynte në biznesin e kazinove, teksa Putin atëbotë ishte zyrtar i Qeverisë lokale në Shën Peterburg dhe shërbente si kryetar i një bord që mbikëqyrte lojërat e fatit.

Gazetari hulumtues rus, Andrei Zakharov, tha për Radion Evropa e Lirë se pushteti që Prigozhin ka aktualisht në Rusi ka shumë gjasa që ende vjen drejtpërdrejt nga Putini.

“Ai ka kryer detyra speciale për Putinin për një kohë të gjatë,” tha Zakharov, duke përmendur Agjencinë e Kërkimeve në Internet apo institucioni që udhëhoqi lajmet e rreme dhe kreu fushata për të ndikuar tek opinioni për zgjedhjet në Perëndim. Ai përmendi edhe Wagner-in, grupi i mercenarëve që ka mbështetur qëllimet e Kremlinit në Ukrainë që nga viti 2014, në Siri dhe në disa shtete afrikane.

Ai është mësuar të zgjidhë problemet në mënyra që normalisht nuk përdoren personat që gjenden brenda Kremlinit”, shtoi Zakharov.

Tutje, ai tha se pozicioni i Prigozhin nuk është i sigurt.

“Prej kohësh unë u kam bërë thirrje njerëzve që të mos ekzagjerojnë rëndësinë e tij…Nëse shteti e ndalon nesër mbështetjen e tij, ai është thjesht një person që ka disa restorante në Shën Petersburg dhe asgjë më shumë. Gjithçka që zotëron, të gjitha paratë e Wagner-it, ndërmarrjen për lajmet e rreme – të gjitha paguhen përmes kontratave qeveritare … Ai është një person që është plotësisht i varur nga shteti”, paralajmëroi Zakharov.

Analisti politik ukrainas, Leonid Shvets, tha se pajtohet me faktin se gjëja më e rëndësishme rreth Prigozhinin është lidhja e tij me Putinin.

“Prigozhin është në gjendje të bëjë gjëra që vetëm dikush i mbrojtur nga vetë Putini mund t’i bëjë”, tha Shvets, duke iu referuar epiteteve që Prigozhin ka përdorur për Gerasimovin dhe ministrin Shoigu, si dhe mënyrës se si ai arrit të rekrutonte mijëra të burgosur nga burgjet ruse për shërbim ushtarak në Ukrainë.

“Vladimir Vladimirovich i ka dhënë liri të plotë”, shtoi ai, duke iu referuar Putinit. “Putinit i pëlqen të kryejë operacione speciale brenda operacioneve speciale”.

“Gjithçka mund të ndodhë”

Në një prej kritikave të fundit kundër liderëve ushtarakë rusë, Prigozhin përdori sharje, që shumë thanë se iu drejtuan Putinit, i cili është “komandant suprem” i forcave të armatosura. Prigozhin më pas tha se ajo deklaratë nuk ishte referencë për Putinin, por komentet e tij ngritën pikëpyetje nëse ai në të ardhmen do të shkelë vijat e kuqe të Kremlinit.

Në një artikull të fundit thuhet se informacionet e rrjedha nga inteligjenca amerikane sugjerojnë se Prigozhin i kishte ofruar Ukrainës informacione për pozicionet e trupave nëse Kievi do të tërhiqte forcat nga Bahmuti. Ky raportim po ashtu ka ngritur pikëpyetje lidhur me besnikërinë e Prigozhinit.
Shvets tha se është i sigurt se Putin do të shkatërrojë çdo ambicie që Prigozhin ta zëvendësojë atë.

“Sapo Putin të shohë diçka të tillë”, tha ai, Prigozhinit do t’i ndodhte diçka e ngjashme me një sulm me polonium radioaktiv që më 2006 vrau ish-shefin e FSB-së, kritikun e Putinit, Aleksandar Litvinenko, apo helmimin gati vdekjeprurës me agjent nervor të politikanit opozitar, Aleksei Navalny në gusht të vitit 2020.

“Gjithçka mund të ndodhë”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat