A është Prigozhin një ‘operacion special’ brenda një operacioni special?

Bota

A është Prigozhin një ‘operacion special’ brenda një operacioni special?

Më: 22 maj 2023 Në ora: 08:20
Shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin. Fotografi nga arkivi.

Për vite me radhë, miliarderi i lidhur me Kremlinin, Yevgeny Prigozhin, operoi kryesisht nën hije, duke krijuar pasuri përmes kontratave qeveritare në fushën e gastronomisë dhe kontratave të tjera. Po ashtu, në mënyrë diskrete drejtoi një ndërmarrje për lajmet e rreme në Shën Petersburg, që udhëhoqi përpjekjet e Moskës për të ndikuar në zgjedhjet e huaja.

Por, në muajt e fundit, teksa grupi i tij mercenar, Wagner, ka mbajtur peshën kryesore të luftimeve të ashpra në dhe rreth qytetit lindor të Ukrainës, Bahmut, Prigozhin është vënë në qendër të vëmendjes. Kompania e tij ka publikuar video ku ai u shfaq duke vizituar personalisht burgjet për të rekrutuar të dënuar për të luftuar në Ukrainë, si dhe video ku pretendohet se ai po shëtiste në rrugët e Bahmutit, qytetit të shkatërruar nga luftimet.

Deklarimet e tij të shpeshta e kritikat e ashpra, duke përdorur edhe fjalë ofenduese ndaj zyrtarëve të lartë rusë dhe ushtrisë, janë shndërruar në markën e tij personale. Këto kanë nxitur disa të spekulojnë se ai ka ambicie politike, që mund të përfshijnë edhe sfidimin e presidentit rus, Vladimir Putin.

Në një video që u bë publike rreth kohës kur Rusia kremtonte Ditën e Fitores më 9 maj, Prigozhin qëndroi pranë një grumbulli trupash që pretendoi se ishin të luftëtarëve të Wagner-it, dhe tha se autoritetet e larta ushtarake ruse ishin përgjegjëse për vdekjen e tyre nga neglizhenca. Prigozhin veçmas ka qenë kritikë ndaj shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, dhe ministri të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, që konsiderohet si një prej këshilltarëve më të afërt të Putinit.

Igor Girkin, i njohur gjithashtu si Strelkov, ish-operativ i Shërbimit Federal të Sigurisë dhe veteran ushtarak rus, i cili luajti një rol kyç në kryengritjen anti-Kiev të drejtuar nga Rusia në pjesë të Ukrainës lindore duke filluar në vitin 2014, tha në një podkast muajin e kaluar se ” lufta për Kremlinin, pas largimit të Putinit, ka filluar”.

Disa forca serioze qëndrojnë pas Prigozhinit,” shtoi ai.

“Thjesht një person me disa restorante”

Ashtu si Putini, Prigozhin, 61 vjeç, është nga Leningradi (tani Shën Petersburg) dhe falë raporteve personale me presidentit rus, ai ka arritur të ngrihet në pushtet. Ai është quajtur “kuzhinier i Putinit” për shkak të kontratave të fituara me bizneset e tij të gastronomisë. Për herë të parë ishte arrestuar kur ishte adoleshent. Më 1981 ishte dënuar me 12 vjet burgim për shkak të vjedhjeve të banesave, në bashkëpunim me anëtarë të bandave. Ai vuajti nëntë vjet burg dhe u lirua më 1990, një vit para rënies së Bashkimit Sovjetik.

Ka shumë gjasa, që Prigozhin të jetë takuar për herë të parë me Putinin në fillim të viteve ’90, kur ai po tentonte të hynte në biznesin e kazinove, teksa Putin atëbotë ishte zyrtar i Qeverisë lokale në Shën Peterburg dhe shërbente si kryetar i një bord që mbikëqyrte lojërat e fatit.

Gazetari hulumtues rus, Andrei Zakharov, tha për Radion Evropa e Lirë se pushteti që Prigozhin ka aktualisht në Rusi ka shumë gjasa që ende vjen drejtpërdrejt nga Putini.

Ai ka kryer detyra speciale për Putinin për një kohë të gjatë,” tha Zakharov, duke përmendur Agjencinë e Kërkimeve në Internet apo institucioni që udhëhoqi lajmet e rreme dhe kreu fushata për të ndikuar tek opinioni për zgjedhjet në Perëndim. Ai përmendi edhe Wagner-in, grupi i mercenarëve që ka mbështetur qëllimet e Kremlinit në Ukrainë që nga viti 2014, në Siri dhe në disa shtete afrikane.

“Ai është mësuar të zgjidhë problemet në mënyra që normalisht nuk përdoren personat që gjenden brenda Kremlinit”, shtoi Zakharov.

Tutje, ai tha se pozicioni i Prigozhin nuk është i sigurt.

“Prej kohësh unë u kam bërë thirrje njerëzve që të mos ekzagjerojnë rëndësinë e tij…Nëse shteti e ndalon nesër mbështetjen e tij, ai është thjesht një person që ka disa restorante në Shën Petersburg dhe asgjë më shumë. Gjithçka që zotëron, të gjitha paratë e Wagner-it, ndërmarrjen për lajmet e rreme – të gjitha paguhen përmes kontratave qeveritare … Ai është një person që është plotësisht i varur nga shteti”, paralajmëroi Zakharov.

Analisti politik ukrainas, Leonid Shvets, tha se pajtohet me faktin se gjëja më e rëndësishme rreth Prigozhinin është lidhja e tij me Putinin.

“Prigozhin është në gjendje të bëjë gjëra që vetëm dikush i mbrojtur nga vetë Putini mund t’i bëjë”, tha Shvets, duke iu referuar epiteteve që Prigozhin ka përdorur për Gerasimovin dhe ministrin Shoigu, si dhe mënyrës se si ai arrit të rekrutonte mijëra të burgosur nga burgjet ruse për shërbim ushtarak në Ukrainë.

“Vladimir Vladimirovich i ka dhënë liri të plotë”, shtoi ai, duke iu referuar Putinit. “Putinit i pëlqen të kryejë operacione speciale brenda operacioneve speciale”.

“Gjithçka mund të ndodhë”

Në një prej kritikave të fundit kundër liderëve ushtarakë rusë, Prigozhin përdori sharje, që shumë thanë se iu drejtuan Putinit, i cili është “komandant suprem” i forcave të armatosura. Prigozhin më pas tha se ajo deklaratë nuk ishte referencë për Putinin, por komentet e tij ngritën pikëpyetje nëse ai në të ardhmen do të shkelë vijat e kuqe të Kremlinit.

Në një artikull të fundit thuhet se informacionet e rrjedha nga inteligjenca amerikane sugjerojnë se Prigozhin i kishte ofruar Ukrainës informacione për pozicionet e trupave nëse Kievi do të tërhiqte forcat nga Bahmuti. Ky raportim po ashtu ka ngritur pikëpyetje lidhur me besnikërinë e Prigozhinit.
Shvets tha se është i sigurt se Putin do të shkatërrojë çdo ambicie që Prigozhin ta zëvendësojë atë.

Sapo Putin të shohë diçka të tillë”, tha ai, Prigozhinit do t’i ndodhte diçka e ngjashme me një sulm me polonium radioaktiv që më 2006 vrau ish-shefin e FSB-së, kritikun e Putinit, Aleksandar Litvinenko, apo helmimin gati vdekjeprurës me agjent nervor të politikanit opozitar, Aleksei Navalny në gusht të vitit 2020.

“Gjithçka mund të ndodhë”./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat