LIVE: “Ukraina do ta sulmojë Rusinë me raketa HIMARS dhe Storm Shadow” - Paralajmërohet përshkallëzim i luftës!

Bota

LIVE: “Ukraina do ta sulmojë Rusinë me raketa HIMARS dhe Storm Shadow” - Paralajmërohet përshkallëzim i luftës!

Nga: BOTA SOT Më: 20 qershor 2023 Në ora: 07:15 Përditësuar në ora: 19:45 më 20.06.2023
Foto ilustrim

“Ukraina do ta sulmojë Rusinë me raketa HIMARS dhe Storm Shadow”, Kremlini paralajmëron përshkallëzim të luftës

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë se do të vlerësoheshin si të përfshira plotësisht në luftën e Ukrainës nëse raketat Storm Shadow dhe HIMARS do të përdoreshin për të goditur objektiva në Rusi ose në Krimenë e pushtuar.

Shoigu tha se ka informacione se ushtria ukrainase po planifikon të kryejë sulme në territorin rus, përfshirë këtu Krimenë, me raketa HIMARS dhe Storm Shadow. Ai paralajmëroi se Rusia do të reagojë duke vendosur si objektiva për sulme qendrat vendimmarrëse në Ukrainë, për të cilat “Daily Mail” shkruan se objektivë do të jenë edhe objektet qeveritare, aty ku qëndron edhe Volodymyr Zelensky.

“Sipas informacioneve tona, liderët e ushtrisë Ukrainase po planifikojnë të nisin sulme në territorin e Federatës Ruse. Përdorimi i këtyre raketave jashtë zonës së “operacionit të posaçëm ushtarak” do të nënkuptonte një përfshirje të plotë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në konflikt”, tha ministri rus.

Ndërkohë, kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore taktike nga Vladimir Putin, është real. Këtë e konfirmon presidentin amerikan, Joe Biden, i cili duke folur para një grupi donatorësh në Kaliforni, përmendi se këtë paralajmërim e kishte lëshuar edhe përpara dy viteve.

Kjo vjen pasi presidenti Putin konfirmoi më 16 qershor, pozicionimin e armëve të para bërthamore taktike të Rusisë në Bjellorusi. Sakaq, në terren luftimet mes forcave të Moskës dhe ushtrisë ukrainase janë intensifikuar. Shpërthime të shumta janë dëgjuar në pjesën më të madhe të Ukrainës.

Rusia ka pranuar se raketat britanike “Storm Shadow” po iu shkaktojnë probleme të mëdha forcave të presidentit Vladimir Putin. Drejtuesi rus i rajonit të Zaporizhzhas, Yevgeny Balitsky, bëri me dije se këto armët po shkaktojnë telashe dhe janë më problematike për ushtritë e Kremlinit sesa sistemet HIMARS të furnizuara nga SHBA-ja.

Fjalët e tij konfirmojnë se “Storm Shadow”, një lloj rakete me rreze të gjatë veprimi, mund të konsiderohet fare lehtë se kanë ndryshuar luftën në favor të Ukrainës, në një kohë kur trupat e saj kanë nisur kundërofensivën.

Britania nisi furnizimin e Ukrainës me “Storm Shadows” më 11 maj, duke iu përgjigjur një kërkese të gjatë nga Kievi për raketa me rreze të gjatë veprimi për të ndihmuar në mbrojtjen e territorit. Këtë javë pati raportime se një raketë “Storm Shadow” vrau gjeneral-majorin Sergej Goryachev, gjatë një sulmi në rajonin e Zaporizhzhia. Raketat 450 kg drejtohen me GPS dhe kanë një rreze veprimi prej rreth 250 km. 

Lavrov: “Lëreni NATO-n të luftojë nëse nuk dëshiron të ngrijë konfliktin në Ukrainë”

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov thotë se nëse NATO kundërshton ngrirjen e konfliktit në Ukrainë, atëherë aleanca ushtarake mund të vazhdojë të luftojë, sipas një raporti nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, përcjell Bota sot.

“Nëse NATO me gojën e Stoltenbeg [shefit të aleancës ushtarake] deklaron edhe një herë se është kundër ngrirjes, siç thonë ata, konfliktit në Ukrainë, atëherë ata duan të luftojnë. Epo, le të luftojnë”, u tha Lavrov gazetarëve në Minsk.

“Ne i kemi kuptuar prej kohësh qëllimet e NATO-s në situatën rreth Ukrainës. Këto synime u formuan për shumë vite pas grushtit të shtetit. Tani NATO po përpiqet t'i zbatojë ato”, shtoi ai.

Të hënën, në një konferencë të përbashkët shtypi me kancelarin gjerman Olaf Scholz, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha: “Ne të gjithë duam që kjo luftë të përfundojë. Por një paqe e drejtë nuk mund të nënkuptojë ngrirjen e konfliktit dhe pranimin e një marrëveshjeje të diktuar nga Rusia.”

Katër të vdekur nga shpërthimi në fabrikën ruse të barutit - por zyrtarët përjashtojnë mundësinë e sulmit

Katër persona kanë vdekur në një shpërthim në një fabrikë ruse të barutit, raportojnë agjencitë shtetërore të lajmeve, përcjell Bota sot.

Shpërthimi ndodhi në një fabrikë në rajonin e Tambovit, rreth 400 km në juglindje të Moskës.

Pjesë të Rusisë jugore dhe perëndimore janë në gatishmëri të lartë pas një sërë sulmesh për të cilat Moska fajëson Ukrainën - por një zyrtar shpejtoi të përjashtonte një sulm në këtë rast.

Maxim Yegorov, guvernatori rajonal i Tambovit, tha se incidenti i sotëm ishte shkaktuar nga gabimi njerëzor.

"Shkaku i zjarrit është faktori njerëzor. Mund të them pa mëdyshje se ky nuk është një sulm terrorist."

Evropa po “luan me dy porta” me SHBA

Në pamje të parë pas SHBA-së, Gjermania shihet si mbështetësja e dytë më e madhe e Ukrainës. E themi këtë pasi kancelari Olaf Scholz shfaqi një braktisje të politikës tradicionale pro-ruse gjermane, duke përqafuar kauzën e Ukrainës, një pozicion që nuk mund të merret si i mirëqenë për një vend që deri dje kishte marrëdhënie të shkëlqyera tregtare dhe energjetike me Federatën Ruse të Vladimir Putinit. Megjithatë, sipas një vrojtimi nga “Welt am Sonntag”, Gjermania është vendi kryesor në "tregtinë në hije" me Rusinë. Paketat e ndryshme të sanksioneve që Bashkimi Evropian ka miratuar kundër trafikut tregtar me gjigantin euroaziatik pengojnë eksportet e drejtpërdrejta në Moskë, por jo ato në vende si Armenia, Bjellorusia (të prekura nga masa të veçanta), Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani.

Dhe pikërisht këtyre kombeve jo armiqësore ndaj Rusisë, Gjermania u shiti mallra për 2.05 miliardë euro midis marsit dhe dhjetorit 2022, duke bërë më pas një sy qorr ose edhe dy, lidhur me destinacionin përfundimtar të mallrave. Vendet perëndimore kanë eksportuar tetë miliardë mallra në vendet e treta, të cilat i shesin përsëri në Rusi; dhe vetëm Gjermania përbën një të katërtën e totalit. Tregtia me ish-Republikat Socialiste Sovjetike nuk është krim në vetvete, por siç thotë Erlend Bollman Bjortvedt, i konsulencës norvegjeze të biznesit Corisk, tregojnë neglizhencë. Bjortvedt jep shembullin e dronëve të kinezit Dji, mjete që për më pak se 1. 000 euro, ngrihen në ajër duke filmuar dhe fotografuar atë që është poshtë tyre. Ndryshe nga europianët, rusët i përdorin për të spiunuar në territorin ukrainas në kërkim të objektivave ushtarakë.

Si i financoi Evropa luftën e Putinit

Kush i ka paguar avionët luftarakë dhe tanket e presidentit rus Vladimir Putin? Të njëjtat vende të BE-së që thonë se duan që ai të ndalojë sulmin e tij ndaj Ukrainës, një vend që supozohet se është aleati i tyre. Gazi rus përbën 42 për qind të importeve të gazit në Evropë vetëm nëpërmjet tubacioneve. Mbyllja e kësaj do të krijonte pasoja të dhimbshme ekonomike për vendet evropiane që tashmë po përballen me spektrin e inflacionit të lartë. Me 60.1 miliardë euro në vitin 2020, energjia përbën rreth dy të tretat e importeve të Evropës nga Rusia. Tregtia (si vendase ashtu edhe ndërkombëtare) në mallrat e energjisë është gjithashtu shumë domethënëse për ekonominë e Rusisë dhe financat e shtetit, duke përbërë gati një të pestën e buxhetit kombëtar, sipas shifrave të përkohshme për vitin 2021. Eksportet e mineraleve në Evropë (përfshirë hidrokarburet) përbëjnë afërsisht gjysmën e totalit. Është e vështirë të llogaritet se cila pjesë e kësaj shifre shkon drejtpërdrejt në arkën e shtetit, por është e qartë se përbën një kontribut të rëndësishëm.

"Gjendja aktuale e tregut global të naftës dhe çmimi aktual, shumë i lartë që po shohim, padyshim që po i sjellin shumë përfitim Rusisë," tha Mario Bikarski, analist rus në The Economist Intelligence Unit disa kohë më oarë. “E gjithë kjo është me të vërtetë e dobishme për rezervat valutore të Rusisë, sepse Rusia ka këto rregulla fiskale sipas të cilave të gjitha të ardhurat mbi 43 dollarë për fuçi naftë shkojnë në fondin kombëtar të pasurisë sovrane". Si pikë krahasimi, vlera e importeve evropiane të mineraleve nga Rusia është më shumë se shuma që Kremlini shpenzon për ushtrinë. Po ashtu dhe kryeministri i Polonisë Mateusz Moraëiecki e tha edhe më troç pas një samiti të BE vitin e kaluar: “Ne po blejmë si Bashkimi Evropian shumë gaz rus, shumë naftë ruse. Dhe presidenti Putin po i merr paratë nga ne, nga evropianët. Dhe këtë po e kthen në agresion, pushtim”, tha ai. Kujtojmë se përveç vendosjes së gazsjellësit Nordstream 2 midis Rusisë dhe Gjermanisë, që ende nuk funksiononte liderët evropianë kishin hezituar të goditnin drejtpërdrejt interesat ruse të naftës dhe gazit në sanksionet e shpallura përpara pushtimit rus.

Në Rusi mund të “plasë” një luftë civile, presidenti rus në alarm, heq qafe me urgjencë grupin Wagner

Dikur grupi Wagner, i kryesuar nga njeriu besnik i Putinit, Yevgeny Prigozhin, ishte një pjesë kyçe e luftës, një faktor që siguroi madje suksese për Rusinë, që duhet thënë kanë qenë të pakta. Megjithatë, sot presidenti rus po e hedh poshtë si një “leckë të vjetër të përdorur”, për ta zëvendësuar me një të re. Siç shkruan “Express UK”, Vladimir Putin ka urdhëruar Ministrinë ruse të Mbrojtjes që të zëvendësojë trupat e të dënuarve të grupit Wagner të Yevgeny Prigozhin me batalionet ndëshkuese të Kremlinit “Storm-Z” dhe forcat speciale çeçene. Të burgosurit e mbijetuar nga të ashtuquajturat kompani “Storm-Z” thuhet se po transferohen nga Rusia për të forcuar trupat e tyre Vullnetare, sipas inteligjencës ushtarake ukrainase. Një komision i posaçëm i kryesuar nga gjeneralmajor Oleg Polguev, zëvendës shefi i shtabit të trupave pushtuese ruse në Ukrainë, është ngritur nga udhëheqja ushtarake e Fedratës Ruse për të ndihmuar në këtë. Sipas vlerësimeve të inteligjencës, komisioni ka urdhëruar trajnimin e rreth 2000 anëtarëve të "kontingjentit special" në objektet e caktuara të trajnimit në territorin ukrainas të pushtuar përkohësisht. Rekrutët do të dërgohen më pas në zonën e konfliktit.

“Storm-Z”

Anëtarët e Komisionit të Posaçëm të Polguevit janë subjekt i masave të shtuara të sigurisë në territorin ukrainas që janë nën okupim dhe përfaqësuesit e policisë ushtarake të Federatës Ruse do të monitorojnë sjelljen e vullnetarëve të burgosur. Shërbimi për shtyp i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës tha: "Në praktikë, njësitë pushtuese kompanitë “Storm-Z”, të pajisura me të ashtuquajturin "kontigjent special, treguan aftësi jashtëzakonisht të ulëta luftarake”. "Alkoolizmi, plaçkitjet dhe dezertimi mbizotërojnë midis të dënuarve pushtues, duke përfshirë edhe humbjet katastrofike", shtuan ata.Ashtu si mercenarët e grupit Wagner, edhe “Storm-Z” përbëhet nga të burgosur.Duke iu afruar afatit përfundimtar për formacionet vullnetare ruse, i cili mendohet se synon specifikisht grupin mercenar Wagner, për të mos i lejuar “liri” në frontin e luftës, Prigozhin deklaroi të dielën se 32,000 ish-të burgosur ishin kthyer në shtëpi pasi iu kishin përfunduar kontratat e tyre me Wagner në Ukrainë. Sipas kreut të Wagner, Prigozhin, midis atyre që u kthyen në shtëpi, u kryen 83 krime, të cilat ai pretendoi se ishte dukshëm më i ulët në krahasim me numrin e krimeve të kryera nga individë të liruar nga burgu gjatë të njëjtës periudhë pa asnjë përfshirje me Wagner.

Tensionet me çeçenët

Ky lajm vjen pasi në fillim të këtij muaji, pati raportime për tensione të shumta midis dy rivalëve të milicisë, Wagner dhe forcave speciale Akhmat të Çeçenisë. Shefi i Wagner, Prigozhin tha se ai nuk ishte i sigurt se çfarë po bënin forcat speciale të Çeçenisë në Ukrainë, ndërsa sipas tij, milicia e tij kishte mbajtur peshën kryesore të luftimeve në vijën e frontit.Në një intervistë të fundit, Prigozhin zbuloi se ai kishte rekrutuar 50,000 të dënuar, me rreth 10,000 prej tyre që humbën jetën në Bakhmut. Rusia dhe Ukraina po vuajnë një numër të madh të viktimave ushtarake ndërsa Ukraina lufton për të zhvendosur forcat e Kremlinit nga zonat e pushtuara në fazat e hershme të kundërofensive të saj, thanë të dielën zyrtarët britanikë. Humbjet ruse janë ndoshta në nivelin e tyre më të lartë që nga kulmi i betejës për Bakhmut në mars, thanë zyrtarët ushtarakë të Mbretërisë së Bashkuar në vlerësimin e tyre.

Sipas inteligjencës britanike, luftimet më intensive janë përqendruar në provincën juglindore të Zaporizhzhia, rreth Bakhmut dhe në perëndim në provincën lindore Donetsk të Ukrainës. Ushtria ukrainase tha në një përditësim të zakonshëm se gjatë 24 orëve të mëparshme, Rusia kishte kryer 43 sulme ajrore, katër sulme raketore dhe 51 sulme nga raketa të shumta.Sipas deklaratës së Shtabit të Përgjithshëm, Rusia vazhdon të përqendrojë përpjekjet e saj në operacionet sulmuese në lindjen industriale të Ukrainës, duke fokusuar sulmet rreth Bakhmut, Avdiivka, Marinka dhe Lyman në provincën Donetsk, me 26 përleshje luftarake që po zhvillohen.

Kievi plas skandalin e Orban: Po mban në izolim total të burgosurit e luftës që i dorëzoi Rusia

Kievi akuzoi ditën e djeshme Budapestin për bllokimin e aksesit të saj ndaj të burgosurve ukrainas të luftës që Rusia ia dorëzoi Hungarisë pas ndërhyrjes së Kishës Ortodokse Ruse, pa dijeninë e autoriteteve ukrainase. “Të gjitha përpjekjet e diplomatëve ukrainas në ditët e fundit për të vendosur kontakte me këta shtetas ukrainas rezultuan të pasuksesshme”, shkroi në Facebook zëdhënësi i diplomacisë ukrainase, Oleg Nikolenko.

Të dorëzuar në Hungari më 8 qershor, ata njëmbëdhjetë shtetas ukrainas me origjinë hungareze "janë praktikisht në izolim, ata nuk kanë akses të hapur në informacion dhe komunikimi i tyre me të afërmit e tyre ndodh në prani të palëve të treta," vazhdoi Nikolenko. Një sjellje e tillë e Budapestit mund të cilësohet si shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksoi ai.

Nikolenko tha se Kievi "i kërkon edhe një herë" qeverisë hungareze që t'i lejojë konsullit ukrainas qasjen tek këta të burgosur të luftës në mënyrë që "të mund të përcaktohet gjendja e tyre fizike dhe psikologjike, të informohen për të drejtat e tyre dhe t'u sigurohet ndihma urgjente konsullore."

Grupi i arrestuar vjen nga Transcarpathia, një rajon në jugperëndim të Ukrainës, ku jeton një komunitet i rëndësishëm hungarez. Transferimi i tyre në Hungari u njoftua nga Kisha Ortodokse Ruse, e cila vepronte si ndërmjetëse. Ukraina shprehu keqardhjen që nuk u përfshi në procesin e negociatave. Kryeministri hungarez Viktor Orban mban kontakte me Kremlinin përkundër agresionit ndaj Ukrainës dhe vitet e fundit ka krijuar lidhje edhe me Kishën Ortodokse Ruse, shkruan agjencia France Presse.

Biden: Kërcënimi i Putinit për të përdorur armë bërthamore është real

Presidenti amerikan, Joe Biden tha të hënën se kërcënimi i Vladimir Putin për të përdorur armë bërthamore taktike është “real”, disa ditë pasi ky i fundit paralajmëroi vendosjen e armëve të tilla në Bjellorusi.

Disa ditë më parë, Biden e quajti njoftimin e Putinit se Rusia kishte vendosur armët e saj të para taktike bërthamore në Bjellorusi “absolutisht të papërgjegjshme”.

Kur isha këtu jashtë rreth dy vjet më parë duke thënë se shqetësohesha për tharjen e lumit Kolorado, të gjithë më shikonin sikur isha i çmendur,” i tha Biden një grupi donatorësh në Kaliforni.

“Ata më shikonin si kur thashë se shqetësohem për përdorimin e armëve taktike bërthamore nga Putin. Është e vërtetë,” tha Biden.

Javën e kaluar, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko tha se vendi i tij ka filluar të marrë armët taktike bërthamore ruse, disa prej të cilave ai tha se ishin tre herë më të fuqishme se bombat atomike që SHBA hodhi në Hiroshima dhe Nagasaki në 1945.

Ukraina plotëson dy nga shtatë kushtet për të nisur bisedimet e anëtarësimit në BE

Një raport i Bashkimit Evropian këtë javë do të thotë se Ukraina ka përmbushur dy nga shtatë kushtet për të filluar negociatat e anëtarësimit, thanë dy burime të BE-së, me ekzekutivin e bllokut të vendosur të nënvizojë përparimin e bërë pavarësisht nga konflikti i vazhdueshëm.

Në një lëvizje shumë simbolike, BE i dha Ukrainës statusin zyrtar të kandidatit për anëtarësim një vit më parë – katër muaj pasi Rusia filloi luftën, shkruan Al Jazeera.

Por BE-ja vendosi shtatë kushte – duke përfshirë reformën në drejtësi dhe frenimin e korrupsionit endemik – për të nisur negociatat e pranimit.

Një nga zyrtarët tha se kushtet e përmbushura kanë të bëjnë me reformën në drejtësi dhe ligjin e medias dhe shtoi se fokusi në raport ishte në pozitivet.

Ka progres. Raporti do të jetë mesatarisht pozitiv”, tha personi, i cili foli në kushte anonimiteti. “Nuk ka të bëjë me zbukurimin e realitetit, por me njohjen e progresit, ka pasur raste të spikatura kundër korrupsionit për të përmendur”, shtoi ai.

Numri i personave të vrarë nga shpërthimi i HEC Kakhovka është rritur në 18

18 persona humbën jetën si pasojë e shpërthimit të HEC Kakhovka të kryer nga trupat ruse.

“3,773 njerëz dhe 284 kafshë janë evakuuar. Fatkeqësisht, 18 njerëz u vranë. Katërmbëdhjetë njerëz u mbytën, katër vdiqën nga plagët me armë zjarri të marra gjatë evakuimit. Tridhjetë e një persona janë të zhdukur. Ne po kërkojmë të gjithë,” tha Ministri i Punëve të Brendshme të Ukrainës Ihor Klymenko.

Ministri vuri në dukje se uji vazhdon të ulet, por 39 vendbanime dhe 818 shtëpi mbeten të përmbytura.

“Shpëtimtarët tanë kanë pompuar pothuajse 24,000 metra kub ujë gjatë ditës”, shtoi ai.

Klymenko theksoi gjithashtu se shpëtimtarët e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave, oficerët e policisë, anëtarët e Gardës Kombëtare, punonjësit e shërbimeve dhe vullnetarët vazhdojnë punën e tyre.

Pavarësisht granatimeve të armikut, ne vazhdojmë të punojmë. Ne dërgojmë ujë, rivendosim linjat e furnizimit, shpëtojmë njerëzit,” theksoi ai.

Siç raportohet, trupat ruse hodhën në erë HEC-in Kakhovka më 6 qershor. Uzina u shkatërrua plotësisht.

Konferenca e Londrës do të shqyrtojë ndihmën financiare për Ukrainën pas vitit 2023

Konferenca e Rimëkëmbjes së Ukrainës që do të mbahet në Londër të mërkurën më 21 qershor, do të shqyrtojë vazhdimin e ndihmës financiare për Ukrainën pas vitit 2023.

Lajmu u njoftua në Twitter nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas një bisede telefonike me kryeministrin britanik Rishi Sunak.

Bisedova me Rishi Sunak përpara Konferencës së Ukrainës në Londër. Ne folëm për mbështetjen financiare për Ukrainën pas vitit 2023, mundësitë dhe sfidat. Një diskutim për të pasur me partnerë dhe kompani me mendje të njëjtë dhe për të luftuar kontrabandën e emigrantëve,” shkroi von der Leyen. .

Siç është raportuar, një Konferencë Ndërkombëtare për Rimëkëmbjen e Ukrainës do të mbahet në Londër më 21 qershor për të identifikuar detyrat prioritare, afatmesme dhe afatgjata për rindërtimin dhe modernizimin e Ukrainës pas luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat