Kievi zmbraps një sulm ‘masiv’ me dronë

Bota

Kievi zmbraps një sulm ‘masiv’ me dronë

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 08:04
Shkatërrimi i një droni Shahed në Kiev nga forcat ukrainase. Fotografi nga arkivi.

Mbrojtja ajrore në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ka zmbrapsur një sulm “masiv” rus me dronë gjatë natës.

Guvernatori rajonal i Kievit tha se ushtria ukrainase ka shkatërruar rreth 20 dronë të prodhimit iranian.

Edhe një sulm masiv ndaj kryeqytetit. Këtë herë armiku përdori dronë, që sipas informacioneve preliminare, ishin të llojit Shahed”, shkroi në Telegram guvernatori Sehiy Popko.

Ai shtoi se ky ishte sulmi i parë ndaj Kievit në 18 ditët e fundit.

Ende nuk ka informacione për viktima apo dëme.

Gjatë natës, cak i sulmeve ajrore ruse ishin edhe rajonet e Zaporizhjës dhe Lvivit.

Zyrtarët thanë se në Lviv është goditur infrastrukturë kritike.

Në Zaporizhja, cak i sulmeve ishin linjat e komunikimit, firmat, por edhe zonat e banuara, tha shefi i administratës rajonale ushtarake në Zaporizhja, Yuri Malashko.

Në këto dy rajone nuk raportohet për viktima.

Ndërkaq, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase raportoi se gjatë natës së 20 qershorit, Rusia ka nisur sulme masive ajrore ndaj Ukrainës. Sipas shtabit, Moska ka lëshuar 30 dronë Shahed, 28 prej të cilave janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore ukrainase.

“Po ashtu, shtatë raketa S-300 janë përdorur nga pushtuesit në Zaporizhja dhe zonën përreth”, u tha në raportin ditor të ushtrisë ukrainase.

Që nga fillimi i majit, forcat ruse kanë intensifikuar sulmet në Ukrainë, veçmas ndaj Kievit, duke përdorur raketa dhe dronë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat