Kievi në bisedime me prodhuesit perëndimorë të armëve për ta vendosur prodhimin në Ukrainë

Bota

Kievi në bisedime me prodhuesit perëndimorë të armëve për ta vendosur prodhimin në Ukrainë

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 12:20
Foto ilustrim

Ukraina është në bisedime me prodhuesit perëndimorë të armëve për ta shtuar prodhimin e armëve, përfshirë dronët, dhe mund të nënshkruajë kontrata në muajt e ardhshëm, tha një ministër ukrainas.

Jemi në diskutime shumë të hollësishme me ta dhe jemi të sigurt se do t’i kemi marrëveshjet e kontratave të nënshkruara brenda disa muajve të ardhshëm”- tha zëvendësministri për Industri Strategjike i Ukrainës, Sergiy Boyev, raporton agjencia “Reuters”.

Në maj, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij ishte duke punuar me kompaninë britanike të mbrojtjes, “BAE Systems”, për të ndërtuar një bazë ukrainase për prodhimin dhe riparimin e armëve, nga tanket te artileria. Megjithatë, ende nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje.

Prodhuesi gjerman i armëve, “Rheinmetall”, tha muajin e kaluar se kishte themeluar një sipërmarrje të përbashkët me konglomeratin shtetëror ukrainas, “Ukroboronprom”, për të prodhuar dhe riparuar tanke në Ukrainë. Operacionet pritet të fillojnë nga mesi i korrikut.

Ukraina ka nevojë për këtë, sepse automjetet dëmtohen, kanë nevojë që të riparohen, qëllohen me zjarr”- tha shefi ekzekutiv i prodhuesit “Rheinmetall” javën e kaluar.

Ne synojmë që ta ndihmojmë Ukrainën në mënyrë që ata të mund ta bëjnë mirëmbajtjen e automjeteve të tyre dhe të prodhojnë pjesë rezervë vetë”- shtoi ai.

Zëvendësministri Boyev tha: “Mbrojtja nga agresioni në të ardhmen do të kërkojë një industri të fuqishme të mbrojtjes në Ukrainë, forcat të armatosura ukrainase të fuqishme. Prandaj ne mendojmë që ardhja e partnerëve ndërkombëtarë në Ukrainë, duke e vendosur prodhimin dhe duke e bërë Ukrainën pjesë të kornizës së sigurisë për botën e lirë, është aq jetike.”

Megjithatë, ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, aleat i ngushtë i presidentit të tanishëm, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia do të hakmerrej, duke goditur çfarëdo objekti të ndërtuar nga kompania “Rheinmetall” në Ukrainë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat