Ofensiva e Kinës me litiumin përbën rrezik për Gjermaninë

Bota

Ofensiva e Kinës me litiumin përbën rrezik për Gjermaninë

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 08:25
Prodhimi i baterive në Kinë

Boom-i i automjeteve elektrike ka rritur nevojën për bateri, kështu që kërkesat për litium janë rritur shumë. Gjermania dhe Europa varen për këtë nga Kina. Çfarë mund të bëjë Gjermania?

Kina ka filluar në gjithë botën një fushatë për të siguruar litiumin, gjë që përbën rrezik të madh për Gjermaninë dhe Europën. Me boomin e automjeteve elektrike dhe rritjen e madhe të nevojave për bateri ka filluar edhe një garë globale për sigurimin e metaleve të lehta, që janë të domosdoshme për të ardhmen e transportit elektrik. Firmat kineze kanë investuar miliarda në vendet e Amerikës Latine dhe Afrikës, për të krijuar rezerva. Sipas mendimit të ekspertëve deri në vitin 2025, Kina mund të arrijë të kontrollojë një të tretën e sasisë botërore të litiumit. 

Fillimin e ofensivës e pati bërë të ditur tre vjet më parë kryetari i shtetit dhe parties, Xi Jinping kur tha: "Ne duhet të forcojmë pavarësinë e Kinës nga zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit dhe duhet të marrin masa të efektshme që të trembim të huajt, që duan të ndërpresin artificialisht furnizimin e Kinës.” 

Kërkohet diversifikim më i madh 

Duke pasur parasysh sjelljen agresive, profesori i ekonomisë nga Kili, Tobias Heidland kërkon difersifikim më të madh të industrisë gjermane. "Varësia nga Kina për litiumin përbën rrezik të madh për firmat gjermane,” thotë Heidland, drejtor i Qendrës kërkimore ndërkombëtare të zhvillimit në Institutin studimor ekonomik, IfW. "Nëse krijohen tensione të mëdha, firmat gjermane mund të humbasin aksesin tek produktet e ndërmjetme, që janë vendimtare.” 

Edhe Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen paralajmëroi në një fjalim të mbajtur në Kinë në fund të muajit mars për rreziqet e krijimit të varësisë së madhe nga lëndët e para të Kinës, sidomos kur ka grindje politike me Pekinin. Megjithatë BE e merr 97 përqind të litiumit nga Kina. "Bateritë që vënë në lëvizje automjetet elektrike, do të bëjnë që deri në vitin 2050 nevojat për litium të rriten 17 herë,” thotë von der Leyen. 

Kina preferohet si partner 

Një avantazh konkurence i investimeve kineze në vende si Amerika e Jugut dhe Afrika, janë kërkesat e ulëta për mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtat e njeriut në krahasim me firma europiane, për shembull. "Qeveritë e dinë se nëpërmjet bashkëpunimit me firmat kineze ato nuk arrijnë të njëjtin nivel cilësie, por firmat kineze shkaktojnë edhe më pak dhimbje koke, me rregullat e pakta, më pak kontrata për mbrojtjen e mjedisit dhe më pak ankesa nga organizatat joqeveritare, thotë Ryan Berg nga qendra amerikane për studimet strategjike dhe ndërkombëtare kur flet për revistën Foreign Policy. 

Vendet e Jugut varen nga investimet e huaja. Megjithatë ato nuk duan të përsërisin gabimet e së kaluarës me boomin e lëndëve të para, dhe shitjen e pjesëve më të mëdha të zinxhirit të krijimit të vlerave. Presidenti i Meksikës Andrés Manuel López Obrador dhe kryetari bolivian i shtetit, Luis Arce kanë shprehur shqetësimin për krijimin e një karteli të litumit, të ngjashëm me modelin e Opec-ut. "Ne duhet të qëndrojmë në treg dhe të prezantohemi me sovranitet, duke vendosur çmime me të cilat mund të përfitojnë ekonomitë tona popullore,” tha Arce. 

Shanse për firmat gjermane 

Shanset për firmat gjermane studiuesi i shkencave ekonomike, Heidland i sheh sidomos në vendet që duan të zbatojnë kërkesat për ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. "Prodhimi i litiumit shkakton dëme të mëdha për ambientin, prandaj duhen shumë para për të penguar një gjë të tillë. Kjo shkakton rritjen e çmimeve. Situata është e vështirë për firmat gjermane që duan të angazhohen në vende ku ambienti dhe zhvillimi i qëndrueshëm nuk vlerësohen shumë.  

"Në këto vende, sigurisht që nuk mund të konkurrohet me mënyrën kineze të bërjes së biznesit,” thotë Heidland. "Nga ana tjetër për firmat gjermane krijohen shanse që të marrin pikë në vendet që kërkojnë të bëjnë zhvillim të qëndrueshëm. Firmat gjermane mund të bëjnë oferta interesante me përvojën që kanë në këtë fushë.” 

Edhe Afrika është në fokus të përpjekjeve kineze: Simbabwe, Republika Demokratike e Kongos, Gana, Namibia dhe Mali kanë së bashku 4,38 milionë tonë litium, thotë shoqata amerikane e gjeologëve. Deri tani vendet e Afrikës kanë prodhuar 40 mijë tonë në vit, por deri në vitin 2030 pritet të nxirren 500 000 tonë, duke patur si qendër Zimbabven. 

Investitorët kinezë kanë vepruar shpejt edhe në Zimbabve: Miniera më e madhe e Zimbabves ku nxirret litium, Bikita, ndodhet në duart e koncernit kinez, Sinomine. Firma kineze Zhejiang Huayou Cobalt ka të drejta kontrolli në minierën e dytë më të madhe të litiumit në Zimbabve, minierën e Arkadias. 

Rritje e vlerës së burimeve 

"Investitorët kinezë vlerësohet të kenë investuar ose planifikuar për të investuar tre vitet e fundit dhjetë miliardë dollarë ose më shumë në projektet e litiumit në Zimbabve", thotë Clinton Pavlovic, analist i firmës së madhe ligjore ndërkombëtare, Hogan Lovells. Zimbabve është shumë interesant për investitorët, sepse përveç litiumit ka rezerva të mëdha edhe të lëndëve të tjera të para që duhen për zhvillimin e automjeteve elektrike si për shembull kobalt, mangan, nikel dhe grafit.  

Kjo gjë nuk ndryshon as nga ndalimi i eksportit të litiumit të papërpunuar, që Zimbabve bëri në dhjetor me anë të një ligji, sepse firmat e huaja që ndodhen tashmë atje nuk janë përfshirë në ligj. Ligji është vetëm për firmat e reja.  

Vende të tjera të Afrikës duan po ashtu të detyrojnë investitorët që t'i përpunojnë lëndët e para në vendin e burimit, në mënyrë që të mbajnë në vend pjesën më të madhe të fitimit. Kina kontrollon ndërkohë fushën e lojës edhe në Nigeri. Në muajin janar firma Ming Xin Mineral Separation Nig hodhi gurin e parë për ndërtimin e impiantit të parë përpunues të pasurimit të litiumit në këtë vend të Afrikës Perëndimore. Vendimi për t'ia dhënë tenderin firmës kineze, u morr pasi disa muaj më parë Nigeria refuzoi një kërkesë të prodhuesit amerikan të automjeteve, Tesla, që ishte i interesuar vetëm për eksportin e litiumit të papërpunuar.  /DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat