Stoltenberg: Kam folur me Erdoganin, është dakordur për takim me suedezët

Bota

Stoltenberg: Kam folur me Erdoganin, është dakordur për takim me suedezët

Më: 27 qershor 2023 Në ora: 09:21
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Një takim i përfaqësuesve të lartë të Suedisë, Finlandës dhe Turqisë duhet të mbahet përpara samitit të NATO-s në korrik, në funksion të bllokadës së Turqisë për pranimin e Suedisë në aleancë, tha të hënën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Ky takim do të përfshijë ministrat e Jashtëm, shefat e inteligjencës dhe këshilltarët e sigurisë kombëtare. Qëllimi është të arrihet përparim në përfundimin e pranimit të Suedisë në NATO”, shtoi Stoltenberg në një konferencë shtypi në Lituani.

Ai shtoi se ka folur me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan të dielën dhe ka kontaktuar gjithashtu qeveritë në Stokholm dhe Helsinki.

Ata ranë dakord të mbajnë një takim të nivelit të lartë në Bruksel përpara samitit të NATO-s më 11-12 korrik, në kryeqytetin lituanez Vilnius.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në aleancë në maj të vitit 2022. Finlanda është anëtare e NATO-s që nga prilli i këtij viti dhe Suedia ende pret miratimin e Turqisë dhe Hungarisë.

Ankaraja po bllokon pranimin e Suedisë, duke argumentuar se Suedia nuk po merr masa të mjaftueshme kundër “organizatave terroriste”.

Përfaqësuesit e vendeve janë takuar në disa raste në përpjekje për të zgjidhur bllokadën turke, herën e fundit në Ankara në mes të qershorit. Në atë takim, Erdogan shprehu dyshime se do të miratonte hyrjen e Suedisë deri në samitin e NATO-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat