Zelensky e quan Putinin “të dobët” dhe thotë se pushteti i presidentit rus “po shembet”

Bota

Zelensky e quan Putinin “të dobët” dhe thotë se pushteti i presidentit rus “po shembet”

Më: 3 korrik 2023 Në ora: 13:59
Volodymyr Zelensky

Përgjigja e Vladimir Putinit ndaj rebelimit të armatosur të Wagner ishte “e dobët” dhe presidenti rus po humbet kontrollin mbi popullin e tij.

Ky ka qenë vlerësimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për CNN.

Putin u përball me kërcënimin më të madh ndaj autoritetit të tij në dy dekada muajin e kaluar kur kreu i grupit paraushtarak Wagner, Yevgeny Prigozhin, nisi një kryengritje jetëshkurtër, duke pretenduar kontrollin e objekteve ushtarake në dy qytete ruse dhe duke marshuar drejt Moskës përpara se të pranonte të tërhiqej.

“Ne e shohim reagimin e Putinit. Është i dobët”, i tha Zelensky, gazetares së CNN në Odesa, në një intervistë të regjistruar të dielën.

“Së pari, ne shohim se ai nuk kontrollon gjithçka. Lëvizja e Wagner-it thellë në Rusi dhe marrja e disa rajoneve tregon se sa e lehtë është të bëhet një gjë e tillë. Putin nuk e kontrollon situatën në rajone”.

“E gjithë ajo vertikale e pushtetit që ai kishte më parë po shembet”.

Zelensky tha se raportet e inteligjencës ukrainase treguan se Kremlini po mat mbështetjen për Prigozhin dhe ai pretendoi se gjysma e Rusisë mbështeti shefin Wagner dhe rebelimin e grupit paraushtarak.

Intervista me Zelensky vjen në një kohë kritike – jo vetëm në vazhdën e kryengritjes së dështuar të Prigozhin, por edhe javë pas shtytjes së ngadaltë të Ukrainës për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia.

Kjo përpjekje është vënë nën një vëzhgim intensiv nga aleatët perëndimorë dhe të shtunën një zyrtar amerikan i tha CNN-it se kreu i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA), Bill Burns, kishte vizituar Kievin së fundmi dhe ishte takuar me Zelensky dhe zyrtarë të inteligjencës ukrainase.

Zelensky i tha CNN se ishte “i befasuar” kur pa takimin e tij me Burns të raportuar në media.

“Komunikimi im me shefin e CIA-s duhet të jetë gjithmonë prapa skenave”, citohet të ketë thënë. “Ne diskutojmë gjëra të rëndësishme – çfarë ka nevojë Ukraina dhe se si Ukraina është e përgatitur të veprojë”.

Burns udhëtoi për në Kiev përpara rebelimit të Prigozhin, i cili nuk ishte një temë diskutimi, kishte thënë një zyrtar amerikan për CNN. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat