Erdogan-Kristersson, bisedime për të kapërcyer pengesat për anëtarësimin e Suedisë në NATO

Bota

Erdogan-Kristersson, bisedime për të kapërcyer pengesat për anëtarësimin e Suedisë në NATO

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 21:19
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrin suedez Ulf Kristersson, takohen në prag të takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Lituani. 10 korrik, 2023, Vilnius, Lituani.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg bëri përpjekje intensive të hënën në mbrëmje, për të kapërcyer pengesat për anëtarësimin e Suedisë në NATO, pasi u takua me me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrin suedez Ulf Kristersson, para takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Lituani.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO vitin e kaluar, duke hequr dorë nga politika e mosangazhimit ushtarak pas sulmit rus në Ukrainë.

Finlanda iu bashkua aleancës ushtarake në prill të këtij viti, por deri tani Turqia dhe Hungaria nuk e kanë miratuar protokollin e anëtarësimit të Suedisë.

Që një vend të bëhet anëtar i NATO-s, vendimi duhet të jetë unanim nga të gjithë anëtarët e aleancës.

Stokholmi po bën përpjekje që t’i bashkohet NATO-s gjatë punimeve të takimit të nivelit të lartë në Vilnius.

“Një vendim pozitiv për Suedinë gjatë takimit në Vilnius, është ende i mundur”, tha zoti Stoltenberg, në një konferencë për gazetarët para se të mirëpriste dy udhëheqësit në prag të takimit të nivelit të lartë të NATO-s në kryeqytetin e Lituanisë.

Zoti Erdogan dhe zoti Kristersson u dukën në humor para takimit.

Por, fillimisht tre udhëheqësit zhvilluan bisedime për më shumë se sa dy orë, përpara se të merrnin një periudhë pushimi.

Sipas burimeve diplomatike, bisedimet pritet të vazhdojnë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat