LIVE: Ukraina po fiton në Bakhmut – Rusia “kapet” me SHBA që po furnizon Ukrainën me bomba thërrmuese!

Bota

LIVE: Ukraina po fiton në Bakhmut – Rusia “kapet” me SHBA që po furnizon Ukrainën me bomba thërrmuese!

Nga: BOTA SOT Më: 11 korrik 2023 Në ora: 07:05 Përditësuar në ora: 20:50 më 11.07.2023
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu

Rusia: Nëse SHBA furnizon Ukrainën me bomba thërrmuese, do të përdorim municione të ngjashme

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha të martën se Moska do të detyrohej të përdorte arsenalin e saj me bomba thërrmuese nëse Shtetet e Bashkuara do të furnizonin Ukrainën me municione të tilla. Komentet e tij u bënë publike nga agjencitë ruse të lajmeve.

Javën e kaluar Uashingtoni njoftoi se do të furnizonte Ukrainën me bomba thërrmuese, municione këto shpërthyese, që zakonisht lëshojnë një numër të madh bombash, më të vogla, në një sipërfaqe të gjerë. Mes rrezikut që paraqesin për popullatën civile, edhe pas një konflikti të armatosur, mbi 100 vende të botës e kanë ndaluar përdorimin e tyre, mes tyre Britania dhe Japonia.

Agjencitë ruse të lajmeve cituan ministrin Shoigu të ketë thënë se Rusia posedonte bomba thërrmuese, por deri më tani nuk i kishte përdorur ato në operacionet e saj ushtarake.

Por Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar më parë Rusinë se ka përdorur bomba thërrmuese në Ukrainë, duke shtuar se ato kanë pasur një shkallë të lartë dështimi, deri në 40%, duke e lënë tokën të mbushur me bomba të pashpërthyera. Uashingtoni thotë se bombat thërrmuese që do t’i dërgohen Ukrainës, kanë një shkallë të ulët dështimi, prej më pak se 2.35%.

“Duhet të theksohet se Rusia ka në dispozicion bomba thërrmuese, për të gjitha rastet... Ato janë shumë më efektive se ato amerikane”, tha ministri rus i Mbrotjes.

Zoti Shoigu shtoi se ushtria ruse po merrte masa për të mbrojtur trupat e saj nga municione të tilla.

Sipas organizatës “Human Rights Watch” Moska dhe Kievi kanë përdorur bomba thërrmuese gjatë konfliktit gati 17-mujor në Ukrainë, të cilin Rusia e quan një "operacion special ushtarak".

Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina nuk e kanë nënshkruar Konventën kundër Municioneve Thërrmuese.

Zyrtarët amerikanë thonë se vendosën ta plotësojnë kërkesën e Kievit për bomba të tilla, pasi u bë e qartë se Ukrainës po i mbarojnë municionet e rregullta të artilerisë dhe se prodhimi nuk është në gjendje të plotësojë nevojat e ngutshme të saj. Aleatët e ngushtë të Shteteve të Bashkuara, mes tyre Britania, Kanadaja dhe Gjermania, kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj përdorimit të bombave thërrmuese.

Po të martën zoti Shoigu tha se Rusia "po reduktonte ndjeshëm" potencialin e kundërofensivës së Ukrainës dhe se forcat ruse kishin fituar terren gjatë kundërsulmit të tyre në drejtim të Lyman-it në rajonin lindor të Ukrainës, Donetskut./VOA

Forcat ukrainase po fitojnë në Bakhmut

Forcat ukrainase që luftojnë në qytetin lindor të rrethuar të Bakhmutit në Donetsk, kanë arritur arritje të rëndësishme në zonë, tha zëvendësministri i mbrojtjes.

Hanna Maliar shkroi në Telegram se forcat ukrainase kishin marrë kontrollin e lartësive kryesore komanduese rreth qytetit dhe i kishin hyrjet dhe daljet “nën kontrollin e zjarrit”.

Videoja e publikuar nga Oleksandr Syrskyi, komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, tregon një shpërthim në një ndërtesë në perëndim të qytetit.

Ai tha se video tregonte Brigada e 77-të Ajrore duke goditur një pozicion rus, raporton skynews.

Kundërofensiva e Ukrainës, e cila filloi në fillim të muajit të kaluar, është fokusuar në kapjen e grupeve të fshatrave në juglindje dhe lëvizjen kundër forcave ruse që mbajnë Bakhmutin.

Rusia ende mban qytetin lindor, por forcat ukrainase shpresojnë ta rrethojnë atë.

Beteja disamujore për Bakhmutit pa disa nga luftimet më të përgjakshme në luftë, me të dyja palët që përjetuan një numër të madh viktimash.

“Putin, Haga ju pret”/ Vetëm 32 km larg Bjellorusisë, Samiti i NATO-s ‘shuplakë’ presidentit rus

Sot po mbahet dita e parë e samitit të NATO-s,ku fokusi do të jetë lufta në Ukrainë. Ndërkohë masat për samitit janë drakoniane, pasi Vilnius, ku po zhvillohet takimi, është vetëm 32 kilometra nga Bjellorusia, aleati i afërt i Rusisë.

Gjithsej 16 anëtarë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut kanë dërguar rreth një mijë trupa. Përveç kësaj, shumë vende kanë dërguar sisteme ajrore të avancuara që vendet baltike nuk i kanë.

Si pjesë e samitit, për arsye sigurie, Gjermania vendosi 12 raketa Patriot, të afta për të rrëzuar raketa balistike ose avionë luftarakë.

Përveç kësaj, Polonia dhe Gjermania kanë dërguar forca speciale të mbështetura nga helikopterë, ndërsa vendet e tjera po dërgojnë pajisje kundër sulmeve të mundshme kimike, biologjike dhe bërthamore.

Ndërkohë jashtë një ndertesë ku po mbahet samiti i NATO-s, është vendosur një pankartë në të cilët shkruhet: “Putin, Haga ju pret”.

Zelensky: Absurde nëse Ukrainës nuk i ofrohet anëtarësimi në NATO në samit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se do të ishte “absurde” nëse Ukrainës nuk i ofrohet anëtarësimi në NATO në samitin e aleancës.

Volodymyr Zelenskyy theksoi se Ukraina “meriton respekt”, duke shtuar se duket se nuk ka “gatishmëri” për ta ftuar Ukrainën në NATO ose për ta bërë atë anëtare të aleancës.

“Është e paprecedentë dhe absurde kur nuk përcaktohet afati kohor as për ftesën dhe as për anëtarësimin e Ukrainës. Ndërkohë që në të njëjtën kohë shtohen formulime të paqarta për ‘kushtet’ edhe për ftesën e Ukrainës”, tha në Twitter presidenti ukrainas.

“Duket se nuk ka gatishmëri as për ta ftuar Ukrainën në NATO dhe as për ta bërë atë anëtare të Aleancës. Kjo do të thotë se një dritare mundësie po lihet për të negociuar anëtarësimin e Ukrainës në NATO në negociatat me Rusinë. Dhe për Rusinë, kjo do të thotë motivim për të vazhduar terrorin e saj”, shtoi Zelensky

Diskutimet rreth anëtarësimit të Ukrainës pritet të dominojnë samitin dyditor. Ndërsa anëtarët e NATO-s pajtohen se Ukraina nuk mund të bashkohet gjatë luftës, ata nuk pajtohen se sa shpejt mund të ndodhë më pas dhe në çfarë kushtesh.

Sunak: Vendi i merituar i Ukrainës është në NATO

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka thënë se vendi i duhur i Ukrainës është në NATO.

Këto komente, Sunak i bëri gjatë Samitit të NATO-s që po mbahet në Vilnius, duke shtuar se angazhimi i Ukrainës për t’u bërë pjesë e NATO-s duhet të ketë përparim drejt këtij qëllimi.

“Ne jemi me Ukrainën për aq kohë sa duhet. Të gjithë janë në të për një kohë të gjatë”, tha Sunak.

Por, sipas Sunakut, çështja e anëtarësimit të Ukrainës nuk është një pyetje tani për tani, pasi agresioni rus po vazhdon.

Palestra dhe pajisje kundër plakjes, zbulohen detaje nga “treni fantazmë” luksoz i Vladimir Putin, ja si udhëton presidenti rus në fshehtësi

Udhëheqësi gjithnjë e më paranojak rus, Vladimir Putin, duket se ka marrë çdo masë për tu mbrotjur nga përpjekjet e shumta, për ta vrarë. Siç dihet, ai udhëton vetëm me një tren "fantazmë" të blinduar. Megjithatë, detaje të reja janë zbuluar për mjetin luksoz të tranportit, të kuruar në detaje. Treni i personalizuar, i cili transporton diktatorin midis vendeve sekrete në të gjithë Rusinë, përmban një banjë turke me një "dush të zbukuruar" që përfshin "shkumë aromatike" që kushton 3.75 milionë funte.

Ai përfshin gjithashtu një palestër dhe një sallon kozmetike, sipas një raporti nga Dossier Centre, e cila është e lidhur me politikanin opozitar Mikhail Khodorkovsky. Treni madje ka "makina kundër plakjes" speciale, si dhe një ventilator të mushkërive, defibrilator dhe një monitor pacienti.  "Nuk është thjesht luks, është super luks," tha eksperti hekurudhor Dmitry.

"Një dush, një tualet, një telefon, një TV gjigant Panasonic, DVD dhe VHS, i ka të gjitha”, tha ai. Blindimi është i nivelit III+, i cili i përballon të shtënat nga një pushkë AK-47 ose SVD. Disa dhoma madje, janë të mbrojtura nga përgjimet. Një dhomë kozmetike ka "mbrojtje harduerike nga rrjedhja e informacionit akustik".Treni ka gjithashtu një linjë telefonike të dedikuar të sigurt.

"Ka një tren fantazmë në hekurudhën ruse," tha Mikhail Korotkov, një fotograf që ka emigruar jashtë Rusisë. 

“Nuk mund të gjendet në asnjë orar apo sistem publik. Dritaret janë me perde, lokomotivat nuk kanë numra dhe identifikime”, shtoi ai. Sakaq, financimi bëhet nëpërmjet miqve oligarkë të Vladimir Putinit, përfshirë Yury Kovalchuk, një nga miqtë e tij më të ngushtë.

Putin humb edhe “ushtarin e fundit”, Erdogan prish marrëdhëniet me presidentin rus, ja pse Turqia po luan “tërhiq e mos e këput” me Rusinë

Recep Tayyip Erdogan dhe Vladimir Putin e kanë treguar jo pak herë me krenari marrëdhenien e ngushtë të tyre, edhe në publik. Megjithatë, tani duket se gjërat kanë marrë një kthesë tjetër, dhe mes presidentit rus dhe atij turk është futur një i tretë, Volodymyr Zelensky. Vizita e presidentit ukrainas në Ankara dukej se do të sillte paqe, ose të paktën ngjallte shpresë, megithatë, duket se nuk ka dhënë ndonjë fryt.Të gjitha provat na bëjnë të besojmë se sulltani përfitoi nga rasti për të shfaqur edhe një herë “lojën e tij me dy porta”, duke u larguar nga neutraliteti i praktikuar deri më tani drejt konfliktit për t'i shkelur syrin Perëndimit. Tani për tani, ai nuk ka bërë asnjë lëvizje vendimtare në këtë drejtim, vetëm nisma simbolike, por të mjaftueshme për të krijuar tensione në marrëdhëniet me Moskën, duke prishur marrëdhëniet e mira që ka pasur deri më tani.

Pakënaqësitë e Moskës

Në të vërtetë, njoftimit të Erdoganit për mbështetjen turke për hyrjen e Ukrainës në NATO po i mbaron koha; ai nuk vlen aspak, sepse Shtetet e Bashkuara, deri tani kundër saj, do të vendosin. Nga ana tjetër, pranimi i Kievit në Aleancën Atlantike me konfliktin ende në vazhdim do të ishte një shpallje lufte ndaj Rusisë. Shumë më i fortë, si sinjal, ishte lirimi i pesë komandantëve të batalionit Azov, të cilët u kthyen në shtëpi me avionin presidencial dhe atje u pritën si heronj. Rusia ka dëshmuar prishjen e marrëveshjes së nënshkruar në atë kohë midis Rusisë, Ukrainës dhe Turqisë. Në fakt, marrëveshja e arritur për përfundimin e rrethimit të Azovstal-it, parashikonte që të pestë komandantët të qëndronin në Turqi deri në fund të luftës. Prishja e marrëveshjes, sigurisht indinjoi Rusinë. Zelensky tani mund të mburret me një fitore, pasi me këtë lëvizje ai theksoi rolin kyç të Azov në Ukrainën e tij. Ideologjia e dukshme neo-naziste e këtij batalioni duhet të alarmojë Evropën. Fakti që nuk ndodh, paraqet edhe më shumë rreziqe për të ardhmen e Kontinentit të Vjetër.

Marrëveshja e grurit dhe dronët vrasës

Erdogan, përveç dy nismave të sipërpërmendura, ka dhënë “dritën jeshile” edhe për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e dronëve vrasës turq në Ukrainë, të cilën rusët padyshim do ta shkatërrojnë nëse do të vihet në funksion. Por, kjo e acaroi shumë Moskën. Por, më e rëndësishmja, Ankaraja ka zbuluar, me apo pa qëllim, se nëse Rusia nuk rinovon marrëveshjen për transportete grurit ukrainas në Detin e Zi, ajo do të ishte e gatshme të vazhdonte një tregti të tillë, duke dërguar anije luftarake turke për të shoqëruar ngarkesën e Kievit. Hipotezë ekstreme, pasi do të linte të hapur, skenarë të Luftës së Tretë Botërore, duke qenë se Ankaraja është pjesë e NATO-s dhe se Rusia nuk mund të lejojë që luftanijet turke të kalojnë brigjet. Mospërfillja është vetëm një mënyrë për të ushtruar presion ndaj Moskës për të rinovuar marrëveshjen, për të cilën Ankaraja është shumë e interesuar sepse ka përfitime të rëndësishme nga roli i saj i ndërmjetësimit dhe mbikëqyrjes.

“Tërhiq e mos e këput”

E tillë është paqartësia e sulltanit, i cili ndonjëherë “e tërheq fijen” duke vënë bast për faktin se në fund do të gjejë një mënyrë për të arritur një marrëveshje me Putinin, duke besuar se në këtë moment Moska nuk mund të përballojë armiqësinë e Turqisë. Kjo, në fakt, do të hapte çështje të reja kritike për Moskën në frontin jugor, me kaosin që do të krijohej rreth tranzitit të anijeve ruse në ngushticën e Dardaneleve, portë e Moskës për në Mesdhe.Kështu, ndërsa nga njëra anë tërhiqte litarin, nga ana tjetër Erdogani po zgjatte degën e ullirit, duke paralajmëruar një takim me Putinin në gusht. Paralelisht me këtë njoftim, bisedimet mes ministrave të jashtëm rus dhe turk me sa duket i kanë shërbyer Rusisë për të testuar disa gjëra dhe për të verifikuar qëllimet e Erdoganit. Rusia mund ta kishte konfirmuar njoftimin publik të sulltanit, por nuk e bëri. Zëdhënësi i Kremlinit u mjaftua me deklaratën se organizimi i një telefonate mes Erdoganit dhe Putinit është i lehtë dhe mund të bëhet së shpejti. Por Putin, për momentin, po hesht dhe po pret. Është e qartë se ai po studion situatën.

Në Kremlin mund të përmbyset gjithçka, po përsëritet skenari i frikshëm i vitit 1917

Marshimi i Yevgeny Prigozhin në Moskë filloi papritur dhe përfundoi në mister. Njëzet e katër orët më konfuze dhe të furishme të luftës në Ukrainë përcaktuan fillimin e fundit të “mbretit të mercenarëve”. Ekspertët nuk e kuptojnë nëse fakti që Vladimir Putin ndenji “duarkryq”, duhet të interpretohet si një strategji apo frikë. Siç shkruan “Insideover”, frika e Putinit ishte pjesë e një strategjie të frymëzuar nga mësimet e tentativës për grusht shteti ushtarak në Turqi në korrik 2016, e përdorur nga Recep Tayyip Erdogan, i cili ishte në dijeni të përgatitjes së tij, për të spastruar agjentët e dyfishtë. Revolta e Wagner ishte një “boomerang” për Prigozhin dhe mbështetësit e tij. Dhe tani frika më e madhe është një rikthim në vitin 1917.

"Prigozhin para Prigozhin"

Në Rusinë e gushtit të vitit 1917, dy muaj para Revolucionit që do të ndryshonte shekullin e njëzetë, vetëm një pjesë e vogël e njerëzve, jashtë rrethit carist, duket se ishin në dijeni dhe të ndërgjegjshëm për fatin e Rusisë. Një nga të paktët njerëz tëmençur, Lavr Kornilov, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë, ishte gati të sfidonte Carin për të shpëtuar Rusinë.Kornilov ishte një nga kritikuesit më të mëdhenj të linjës politike të Carit. Ai s’donte që Rusia të tërhiqej nga lufta, por ta luftonte atë siç duhet, më shumë armë, më shumë ndëshkime për kryengritësit dhe të padisiplinuarit. Dhe ai kërkoi që Cari ta merrte seriozisht kërcënimin bolshevik. Në fund të gushtit, duke pranuar se të dyja kërkesat ishin shpërfillur, ai mblodhi një grusht ushtarësh dhe nisi marshimin drejt kryeqytetit. Plani i Kornilovit, për të fituar luftën dhe për të shmangur revolucionin në shtëpi, konsistonte në hyrjen në kryeqytet, i cili në atë kohë ishte Petrogradi, për të eliminuar sovjetikët, për të imponuar një ndryshim drejtimi në Ministrinë e Luftës të kryesuar nga Aleksandr Kerensky dhe për të nxitur një riorganizim në nivelet më të larta.

Revolucioni i Tetorit

Në 27 gusht, sovjetikët reaguan ndaj lajmit të marshimit në Petrograd duke u armatosur dhe duke përgatitur barrikada, të koordinuara në organizimin e rezistencës nga një revolucionar i quajtur Lev Trotsky. Gjithçka ishte gati për betejë. Por asnjë luftë nuk do të zhvillohej asokohe. Rebelët, të dobësuar nga përleshjet me trupat e rregullta dhe bolshevikët rrugës për në Petrograd, nuk arritën kurrë në kryeqytet.Kornilov donte të shpëtonte Rusinë, por tentativa për puç do të kishte efektin e kundërt: ardhjen e përshpejtuar të Revolucionit. Ende nuk janë identifikuar të gjithë aktorët e përfshirë në tentativën e puçit të Kornilovit, arsyet e vërteta të të cilëve mbeten mister.Njëqind e gjashtë vjet më vonë, në vitin 2023, dikush tjetër ndoqi gjurmët e Kornilovit, Yevgeny Prigozhin, për pak a shumë të njëjtat arsye, mosmarrëveshje me Mbrojtjen dhe një luftë. Dhe është frika e përsëritjes së kolapsit të sistemit, që në ditët e revoltës e shtyu Putinin të deklaronte se nuk do të lejonte "kthimin e Rusisë në vitin 1917".

Mallkimi i Rusisë

1598. 1917. 1991. 1999. Ka katër data që shënuan një pikë kthese epokale në historinë e Rusisë. Katër data që janë sinonim i luftës civile, me shpërbërjen e sistemit dhe që përfaqësojnë arsyen e kurorëzimit të Putinit në mbrëmjen e fundit të shekullit të njëzetë. 1598 është viti i fillimit të të ashtuquajturës Epoka e Problemeve. 1917 është viti i epilogut të përgjakshëm të epokës cariste, Revolucionit Rus dhe fillimit të një lufte civile që zgjati deri në vitin 1923. 1991 është fundi i epikës sovjetike dhe akti i parë i një ribërjeje të Epokës së Telasheve dhe viti 1999 që dukej se po çonte në komplotin e Rusisë. Katër takime, katër trauma, katër datat kyçe në historinë e Rusisë janë një nga manifestimet e asaj që mund të përkufizohet si mallkimi i anarkisë ciklike, një mallkim që e fut Rusinë në një unazë kohore : përsëritjen periodike të së njëjtës ngjarje. Marshimi në Moskë, megjithëse i dështuar i bëri “fantazmat” më të gjalla se kurrë. Prandaj Putini, deklaroi se nuk do të lejonte një 1917 të ri. Dhe ai do të përdorë çdo mjet, për të shmangur këtë rikthim në të shkuarën.

Prigozhin “kopjon” Putinin, zyrtarët amerikanë i nxjerrin sekretet, ja objektet e çuditshme që u zbuluan në shtëpinë e tij

Krejt papritur ata të dy u bënë “armiq”, por kreu i Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, duket se po “kopjon” metodat e presidentit rus Vladimir Putin. Sipas mediave të huaja, ai thuhet se po përdor sozi, për të fshehur lëvizjet e tij, pasi thuhet se u largua nga Bjellorusia për t'u kthyer në Rusi. Zyrtarët e Pentagonit pretendojnë se lideri mercenar i zhdukur është kthyer në Rusi, ndoshta Shën Peterburg ose Moskë, duke përdorur një sërë mashtrimesh.

Pas rebelimit të Wagnerit kundër Kremlinit, Prigozhin ishte në Bjellorusi, por të enjten, presidenti Alexander Lukashenko njoftoi se nuk ishte më aty. Një burim ushtarak amerikan tha për “New York Times”, se e kishte kaluar shumicën e kohës në Rusi dhe jo në Bjellorusi. Një avion biznesi i lidhur me Prigozhin raportohet se është nisur nga Shën Petersburg për në Moskë të mërkurën.

Të dhënat e gjurmimit të fluturimeve treguan se ai po shkonte për në Rusinë jugore të enjten. Pas revoltës, Prigozhin qëndroi jashtëzakonisht i heshtur dhe nuk u duk askund, derisa ai theu heshtjen e tij njëjavore të hënën, kur u kthye duke luftuar për të falënderuar mbështetësit e tij dhe për të mbrojtur veprimet e tij rebele. Në deklaratën e tij të parë që kur u dërgua në Bjellorusi, Prigozhin mbrojti kryengritjen e tij të dhunshme si një "marshim drejt drejtësisë".

Sakaq, në fillim të kësaj jave, rezidenca e Prigozhin në Shën Petersburg u bastis nga policia e Rusisë. Brenda gjetën shufra ari, një arsenal privat armësh, madje edhe foto që e shfaqnin atë me maska të ndryshme. Madje kishte edhe foto makabre të kokave të prera. Po ashtu, dollapi i tij ishte plot me paruke, duke lënë të kuptohet se ai ka goxha përvojë me maksimin në publik.

Takimi sekret i Putinit me Prigozhin trondit rusët, zbulohen planet që po thurin në fshehtësi

Vladimir Putin u takua me liderin mercenar të Wagner, Yevgeny Prigozhin, disa ditë pas kryengritjes së dështuar që ai e kishte denoncuar si tradhti, duke shtuar misterin, lidhur me ngjarjen e paprecedentë që kërcënoi sundimin gati çerek shekullor të presidentit rus. 

“Putin zhvilloi bisedime me Prigozhin dhe komandantët e lartë të Wagner në Kremlin për gati tre orë më 29 qershor”, tha të hënën zëdhënësi i presidentit, Dmitry Peskov, sipas shërbimeve ruse të lajmeve. Megjithatë, ngjarja ka ngritur pikëpyetje të shumta.

Sipas një vlerësimi të ri nga Instituti për Studimin e Luftës (ISW), marrëveshjet midis Putinit dhe Prigozhin, sigurisht që vazhdojnë, të pandërprera, siç duket edhe nga takimi i fundit. Lajmi ngre pyetje në lidhje me vetë kryengritjen dhe marrëdhëniet e Prigozhin me Putinin.

Ditë përpara takimit të tyre të raportuar, në një fjalim video drejtuar kombit, presidenti rus e përshkroi përpjekjen për kryengritje të Prigozhin si "tradhti" dhe kërcënoi se kushdo që kishte marrë armët kundër ushtrisë ruse do të ndëshkohej, por asgjë s’ka ndodhur.

Ekspertja politikeTatiana Stanovaya tha për “Newsweek” se dyshja u takuan për të sqaruar detajet e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Lukashenko dhe se grupi do të vazhdojë stërvitjet në Bjellorusi dhe po ashtu edhe planet e fshehta me Putinin.

Sakaq ka edhe teori se kreu i Wagner mund të ngarkohet të përdorë mercenarët e tij për të vrarë liderin ukrainas Volodymyr Zelensky, për të "sjellë kokën e tij" në Kremlin, siç ka aluduar gazetari rus Muratov, drejtor i agjencisë investigative të lajmeve “Novaya Gazeta”. Sipas tij, kështu Prigozhin do t’i kërkonte falje presidentit rus.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat