Vdes në burg i burgosuri politik dhe artisti bjellorus Ales Pushkin

Bota

Vdes në burg i burgosuri politik dhe artisti bjellorus Ales Pushkin

Më: 11 korrik 2023 Në ora: 21:57
Bjellorusi

I burgosuri politik bjellorus Ales Pushkin ka vdekur në moshën 57-vjeçare në burg, ka njoftuar gruaja e tij, duke shtuar një mori ankesash në muajt e fundit për abuzimin e të burgosurve në burgjet e vendit.

“Ales vdiq sot në kujdesin intensiv, në rrethana që nuk janë sqaruar plotësisht,” i tha AFP gruaja e tij Gianina.

Pas protestave të vitit 2020, me rastin e rizgjedhjes së diskutueshme të Aleksandër Lukashenkos në presidencë, u intensifikua shtypja e disidentëve, shumë u burgosën dhe të tjerë u detyruan të iknin jashtë vendit.

Pushkin, i cili ishte një artist i njohur, u dënua në mars 2022 me pesë vjet burg për përdhosje të simboleve shtetërore dhe nxitje të urrejtjes, sipas grupit të pavarur të të drejtave të njeriut Viasna. Këto akuza shpesh përdoren nga autoritetet për t’i mbyllur gojën disidentëve.

“Ales Pushkin ishte mishërimi i shpirtit të paepur të popullit bjellorus,” shkroi liderja e opozitës Svetlana Tikhanovskaya, e cila tani jeton jashtë vendit, në Twitter.

Ajo ka postuar një foto të artistit duke mbajtur në dorë një flamur kuq e bardhë, një nga simbolet e opozitës, përballë një “muri” policësh. “Ales përdori artin e tij për të luftuar për liri dhe për të ndërtuar një Bjellorusi të re, pa tirani. Ju lutemi, nëse dini diçka për vdekjen e Ales, ia jepni informacionin gruas së tij, mediave të pavarura ose aktivistëve të të drejtave të njeriut”, shtoi ajo.

Regjimi i Lukashenkos është gjithnjë e më i izoluar pasi shtypi me dhunë protestat dhe lejoi Rusinë të përdorte territorin e vendit për të nisur ofensivën e saj në Ukrainë. Viasna vlerëson se ka të paktën 1500 të burgosur politikë në vend, përfshirë Maria Kolesnikova, një figurë e rëndësishme opozitare. Javën e kaluar motra e saj tha se Maria Kolesnikova nuk ka kontaktuar me familjen e saj që nga shkurti. Në dimër ajo u shtrua për disa ditë në repartin e terapisë intensive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat