Rusia thotë se një korrespondent lufte është vrarë nga bombardimet në Ukrainë

Bota

Rusia thotë se një korrespondent lufte është vrarë nga bombardimet në Ukrainë

Më: 22 korrik 2023 Në ora: 16:30
Korrespondenti i RIA Novostit, Rostislav Zhuravlev.

Një korrespondent lufte i agjencisë ruse të lajmeve, RIA, është vrarë, ndërsa tre gazetarë të tjerë rusë janë plagosur nga bombardimet afër vijës së frontit në rajonin juglindor të Zaporizhjës në Ukrainë, të shtunën, ka njoftuar ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Ministria ka thënë se gazetarët janë plagosur nga një sulm ukrainas me artileri. Ata janë evakuuar nga fushëbeteja, por korrespondenti i RIA-s, Rostislav Zhuravlev, ka vdekur gjatë transportimit, ka njoftuar Rusia.

Sipas autoriteteve ruse, të tjerët janë në gjendje serioze, por të qëndrueshme. “Nuk ka rrezik për jetë. Të gjithë po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka bërë të ditur ministria ruse e Mbrojtjes.

RIA ka konfirmuar, nëpërmjet një raporti, se korrespondenti i saj është vrarë duke raportuar në fshatin e Piatihatkit, pranë vijës së frontit, dhe se njëri nga kameramanët e saj është plagosur, bën të ditur Reuters.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se Ukraina ka përdorur municione thërrmuese, por nuk ka dhënë dëshmi për një gjë të tillë, ndërsa pohimi ka qenë i pamundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Ukraina ka marrë bomba thërrmuese nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë muaj, por ajo është zotuar se do t’i përdor ato vetëm për t’i sulmuar përqendrimet e ushtarëve armiq.

Armët e tilla përmbajnë shumë bomba të vogla, të cilat reshin copëza mbi një hapësirë të gjerë, dhe janë të ndaluara në shumë vende, për shkak të rrezikut potencial që përbëjnë për civilët. Ukraina vazhdimisht ka thënë se përdorimi i tyre do të kufizohet vetëm në fushëbetejë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka thënë se vetë Rusia vazhdimisht ka përdorur municione thërrmuese gjatë luftës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat