"Thellësitë e ferrit" – brenda shpellës vdekjeprurëse me kristale në Meksikë, ku nuk mund të rrini më shumë se 15 minuta

Bota

"Thellësitë e ferrit" – brenda shpellës vdekjeprurëse me kristale në Meksikë, ku nuk mund të rrini më shumë se 15 minuta

Më: 23 korrik 2023 Në ora: 19:14
Shpella me kristal në Meksikë

Një eksplorues kanadez i njohur si George Kourounis është një nga personat e paktë që mundi dhe guxoi të hynte në shpellën e bukur, por vdekjeprurëse të kristalit në Meksikë.

Shpella e fshehtë 304 metra nën tokë është e mbushur me kristale të mëdha që mund të vrasin vizitorët në pak minuta.

Të ankoruar në muret e shpellës së nxehtë janë qindra kristale “magjepsëse” që janë rritur pandërprerë aty për të paktën gjysmë milioni vjet.

Copat verbuese të ngjashme me xhamin thellë nën malin Sierra de Naica në zemër të Chihuahua janë deri në 10 metra të gjata dhe peshojnë deri në 55 ton.

George, 53 vjeç, tha për The Sun se ishte vendi më i mahnitshëm që kishte vizituar ndonjëherë.

“Është magjepsëse, me të vërtetë është. Unë isha një nga të paktët njerëz që pata privilegjin të hyja brenda asaj shpelle vite më parë kur ajo ishte ende e qasshme”.

“Mundësia tani është e humbur, por është si të shkosh në një planet tjetër”.

“Temperatura e ajrit është aq e padurueshme – është aq e nxehtë dhe aq e lagësht sa ajri thjesht të godet në fytyrë si një çekiç”.

“Edhe me respiratorë të veçantë të ajrit të ftohtë dhe kostume të mbushura me akull, ne mund të hynim vetëm për rreth 40 minuta në të njëjtën kohë”.

Ndonëse posedon asetet për t’u bërë pikë e përsosur turistike, shpella zotëron të gjitha ato kushtet e një “kurthi vdekjeje”.

Ajri është acid dhe temperaturat mund të arrijnë nivele të larta deri në 58 gradë Celsius me nivele lagështie afër 100 për qind.

Edhe me kostume mbrojtëse nga nxehtësia dhe me aparate të frymëmarrjes, vizitorët mund të tolerojnë kushtet e shpellës vetëm për rreth 15 deri në 60 minuta, dhe më pas ata mund të humbasin vetëdijen.

“Shikoni përreth dhe duket si kështjella e vetmisë së Supermanit. Të gjitha këto kristale gjigante e bëjnë atë të jesh në një planet alien.

“Ishte thjesht kaq e bukur, por çdo qelizë në trupin tuaj thjesht ju ‘bërtet’ që të largoheni, pasi nxeheni shumë shpejt në atë mjedis ekstrem me nxehtësinë dhe lagështinë”.

“Por kjo është ajo që e bën atë edhe më të bukur sepse e dini se koha juaj është kufizuar aty. Kjo e bën atë vërtet të veçantë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat