ShBA konfirmon se amerikani i liruar nga Rusia në shkëmbimin e të burgosurve, u lëndua gjatë luftimeve në Ukrainë

Bota

ShBA konfirmon se amerikani i liruar nga Rusia në shkëmbimin e të burgosurve, u lëndua gjatë luftimeve në Ukrainë

Më: 25 korrik 2023 Në ora: 22:47
Foto ilustrim

Trevor Reed, një ish-marins amerikan, i cili u ndalua gabimisht në Rusi për gati tre vjet përpara se të lirohej vitin e kaluar, u lëndua teksa merrte pjesë në luftime në Ukrainë, konfirmoi të martën zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Vedant Patel, raporton CNN, transmeton Klan Kosova.

Reed, i cili u lirua në një shkëmbim të burgosurish në prill 2022, u transportua në një spital në Kiev dhe u evakuua në Gjermani për kujdes mjekësor, sipas një burimi të njohur me çështjen.

Ai po trajtohet në Qendrën Mjekësore Rajonale Landstuhl në Gjermani, që është një spital ushtarak amerikan pranë bazës ajrore Ramstein, tha një zyrtar amerikan për CNN. Rrethanat rreth lëndimit të Reed-it në luftime nuk ishin menjëherë të qarta.

“Ne jemi të vetëdijshëm se Trevor Reed u plagos teksa merrte pjesë në luftime në Ukrainë”, tha një zyrtar i administratës për CNN të martën.

“Dua të jem i qartë: Reed nuk ishte i angazhuar në asnjë aktivitet në emër të qeverisë amerikane”, tha zyrtari. “Qeveria amerikane ka qenë jashtëzakonisht e qartë në paralajmërimin e amerikanëve që të mos udhëtojnë në Ukrainë, e lëre më të marrin pjesë në luftimet atje”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se me mbështetjen e një OJQ-je, Reed ka udhëtuar në Gjermani ku po merr kujdes mjekësor”, shtoi zyrtari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat