Shkallë e lartë e korrupsionit nën qeverisjen e Aleksandar Vuçiqit, SHBA-ja gjithnjë e më e interesuar për këtë problem

Bota

Shkallë e lartë e korrupsionit nën qeverisjen e Aleksandar Vuçiqit, SHBA-ja gjithnjë e më e interesuar për këtë problem

Më: 31 korrik 2023 Në ora: 14:55
Aleksandar Vuçiqit

Paralajmërimet për shkallën e lartë të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë bërë më të shpeshta në dy vitet e fundit dhe në kuadër të faktit se ky fenomen i pengon investimet e huaja, për shkak të mosbesimit ndaj elitave politike që sundojnë këto vende.

Në verën e vitit 2021, presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi një dekret për zgjerimin e fushës së masave emergjente në lidhje me rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe kriteret për vendosjen e sanksioneve amerikane me qëllim që, siç njoftoi Shtëpia e Bardhë, të zgjidhet sfida si korrupsioni.

Masat ndëshkuese përfshijnë personat përgjegjës për “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe që janë të përfshirë në korrupsion në rajon, duke përfshirë përvetësimin e fondeve publike, tjetërsimin e pronës private për përfitime personale ose qëllime politike dhe ryshfet”.

Rregullorja, siç ishte njoftuar nga Shtëpia e Bardhë, gjithashtu lejon sanksionimin e akterëve që janë të përfshirë në “shkelje ose veprime që pengojnë ose kërcënojnë zbatimin e çdo marrëveshjeje për sigurinë rajonale, paqen, bashkëpunimin ose njohjen reciproke, kornizën ose mekanizmin e lidhur me Ballkanin Perëndimor”.

Jo shumë kohë pasi kreu i Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vulin, u fut në listën e zezë të Departamentit amerikan të Thesarit, për shkak të përfshirjes së tij në trafikun e drogës dhe armëve, publiku vendas mori lajmin e raportit të fundit të Departamentit të Shtetit për klimën e investimeve, i cili nxjerr në pah ndikimin e madh të politikës në ekonomi.

“Vlerësimi për korrupsionin e lartë në Ballkanin Perëndimor nuk paraqet ndonjë gjë të re, por ajo që mund të lexohet mes rreshtave është se ekziston mundësia që interesimi i autoriteteve amerikane për problemin e korrupsionit të rritet”, thotë drejtori i Transparency Serbia, Nemanja Nenadiq.

“Besoj se është shumë e rëndësishme për qytetarët e Ballkanit Perëndimor se si do të vazhdojnë të veprojnë autoritetet amerikane në lidhje me vlerësime të tilla, pra nëse do të fokusohen ekskluzivisht në individë nga sfera e politikës dhe biznesit apo nëse do të pyesin qeveritë e vendeve të rajonit të zbatojnë gradualisht ligjet ekzistuese në fushën e sanksionimit të sjelljeve korruptive”, shton ai për mediet serbe.

Sipas tij, viteve të fundit është folur pak më shumë për korrupsionin, por se mbetet për t’u parë nëse do të ketë disa masa të politikës së jashtme.

Ndërsa, kryetarit të Partisë Liri dhe Drejtësi (SSP), Dragan Gjillas, pushteti që drejtohet nga Aleksandar Vuçiq gjendet në krye të vendeve evropiane për sa i përket korrupsionit.

“Kur kësaj i shtohet edhe shkalla e krimit, paqëndrueshmëria dhe pasiguria se ku do të jemi si shtet në raport me Evropën pas disa vitesh, sigurisht që do të bëhemi një vend që investitorët seriozë i shmangen”, pohon Gjillas. 

“Nuk ka asnjë kompani të madhe botërore që mendon të investojë në Serbi dhe këtë do t’ua thonë të gjithë ata që janë seriozë për atë biznes”, thekson ai.

Siç përfundon ai, angazhimi i qartë i Serbisë për anëtarësimin në BE do të nënkuptonte gjithashtu një luftë serioze kundër krimit dhe korrupsionit.

“Sot nuk është kështu dhe nuk do të jetë derisa të ndryshojë qeveria”, beson kreu i SSP-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat