LIVE: Dy të vdekur dhe shtatë të plagosur nga bombardimet ndaj qytetit në rajonin e Donetskut

Bota

LIVE: Dy të vdekur dhe shtatë të plagosur nga bombardimet ndaj qytetit në rajonin e Donetskut

Nga: BOTA SOT Më: 1 gusht 2023 Në ora: 06:18 Përditësuar në ora: 23:14 më 01.08.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Dy të vdekur dhe shtatë të plagosur nga bombardimet ndaj qytetit në rajonin e Donetskut

Një sulm në qytetin Yasynuvata të martën la dy civilë të vdekur dhe shtatë persona të tjerë të plagosur, duke përfshirë një vajzë adoleshente.

Kështu u shpreh Denis Pushilin, zyrtar në Donetskun e pushtuar nga Rusia, shkruan CNN.

“Dy civilë u vranë sot si rezultat i bombardimeve të Yasynuvata. Kishte shtatë të plagosur, mes tyre një vajzë adoleshente e lindur në vitin 2010”, tha Pushilin në një mesazh në kanalin e tij zyrtar Telegram.

Yasnyuvata është një qytet i vendosur vetëm në verilindje të qytetit të Donetsk – pranë vijës së frontit midis forcave ruse dhe ukrainase.

“Era e një lufte të madhe” po ndihet në Rusi, Vladimir Putin gati për kthesën drastike, ja çfarë ka planifikuar, zbulohet çfarë do të ndodhë me Ukrainën para se të mbarojë vera

“Era e një lufte të madhe ka nisur të ndihet”. Kështu njoftoi Andrej Kartapolov, kreu i komitetit të mbrojtjes së Dumës, referuar një ligji të ri rus, që mesa duket do të shënojë një “kthesë drastike” në luftën me Ukrainën. Parlamenti rus po nxiton të miratojë një ligj të ri që do t'i lejojë Vladimir Putinit dhe Kremlinit të dërgojnë disa qindra mijëra njerëz të tjerë për të luftuar kundër Ukrainës. Megjithëse presidenti rus dukej se kishte mbetur “në një cep”, teksa ushtria ukrainase po rimerrte gradualisht tokën e pushtuar nga agresori dhe po fillonte të ishte në gjendje të godiste thellë në territorin e armikut, madje edhe në Kremlin, duket se Putini nuk ka paqe në mendjen e tij. Për momentin, Perëndimi mbetet i bashkuar në mbështetjen e tij për Kievin, dhe rebelimi i organizuar së fundmi nga Wagner, jep shpresë se “makineria luftarake” e Kremlinit së shpejti do të prishet. Por nga këndvështrimi rus, gjërat padyshim duken krejtësisht ndryshe.

Lufta e zgjatur

“Në Kremlin, ata besojnë se mund të përballojnë një luftë të zgjatur”, shkruan media brianike “Financial Times”, duke shtuar se  parashikohet që ekonomia ruse të shënojë rritje modeste këtë vit, kryesisht për shkak të punës së vazhdueshme të fabrikave ushtarake, të cilat marrin komponentë kritikë si mikroçipet nga Kina, dhe nga burime të tjera. Pavarësisht sanksioneve, Kremlini ka ende shuma të mëdha parash në dispozicion, energjia u solli atyre fitimin më të madh, dhe përshtatshmëria e eksportuesve të mallrave rusë, të cilët gjetën klientë të rinj dhe kryenin pagesat kryesisht në juan kinez, ndihmoi. Dhe nëse presionet buxhetore bëhen më të mprehta, banka qendrore e Rusisë mund të zhvlerësojë rublën, duke e bërë më të lehtë pagesën e ushtarëve, punonjësve të industrisë së mbrojtjes dhe forcave të sigurisë së brendshme, të cilat e mbajnë elitën dhe publikun e Rusisë nën represion dhe në përputhje me politikat e Putinit.

Mobilizimi i përgjithshëm

Sa i përket vetë luftës, duket se Kremlini nuk është shumë i shqetësuar nga kundërofensiva e Ukrainës. Putini ende mbështet në faktin se Rusia mund të mobilizojë tre deri në katër herë më shumë fuqi punëore se Ukraina. Dhe ligji i ri duhet të ndihmojë Kremlinin të shmangë një mobilizim tjetër zyrtar, pra, qeveria ruse tani mund të dërgojë në heshtje thirrje rekrutimi për aq njerëz sa ata e konsiderojnë të nevojshme. Kufiri i sipërm i moshës për kryerjen e mandatit do të rritet nga 27 në 30 vjeç, por ka vend për ndryshime në të ardhmen. Pasi të lëshohet një njoftim elektronik i mobilizimit, kufijtë e Rusisë do të mbyllen menjëherë, për të parandaluar një tjetër eksod masiv të burrave të aftë për punë. Janë ashpërsuar edhe gjobat për refuzimin e shërbimit ushtarak. Këto lëvizje, të kombinuara me një investim të madh shtetëror në zgjerimin e prodhimit të armëve, do ta ndihmojnë Putinin të ndërtojë një ushtri më të madhe dhe më të pajisur.

“Fiksimi” i Putinit

Në të njëjtën kohë, Rusia vazhdon të punojë për të “mbytur” ekonominë ukrainase duke i mohuar të gjitha burimet e të ardhurave. Moska jo vetëm që u tërhoq nga marrëveshja e grurit, e cila lejoi eksportet e bujqësisë ukrainase nëpër Detin e Zi, por gjithashtu nisi sulme masive ajrore në portet e Ukrainës për të shkatërruar çdo mundësi të “ringjalljes” së marrëveshjes në fjalë. Për më tepër, sulmet e ashpra ndaj infrastrukturës civile ukrainase vazhdojnë pa u ndalur, duke synuar t'i bëjnë qytetet të pabanueshme dhe të pengojnë përpjekjet për rindërtim.

Sipas “Financial Times”, Kremlini shpreson se duke rindërtuar shpejt ushtrinë ruse dhe duke shkatërruar ekonominë dhe forcat e armatosura të Ukrainës, ai do të zvogëlojë mbështetjen e Perëndimit për Kievin. Për të përshpejtuar këtë proces, Moska përdor me mjeshtëri kërcënimet e përshkallëzimit, duke përfshirë përhapjen e konfliktit drejt territorit të NATO-s përmes Bjellorusisë. “Putini ka bërë shumë gabime fatale, por për sa kohë që ai është në krye të Rusisë, Moska do t'i kushtojë burimet e saj ende të mëdha për realizimin e obsesionit të tij me shkatërrimin dhe nënshtrimin e Ukrainës”, përfundon “Financial Times”.

Ukraina “dhëmbë për dhëmbë” me Rusinë në Detin e Zi, zbulon dronin e ri të fuqishëm, mund të shkatërrojë të gjitha anijet e Moskës

Ukraina ka zbuluar publikisht dronin e saj të ri detar për herë të parë, në një përpjekje për të kufizuar operacionet e flotës ruse në Detin e Zi. “CNN”, i ka dedikuar një artikull dronit, i cili është krijuar për të sulmuar anijet në flotën ruse. Ai mbart qindra kilogramë eksploziv dhe mund të godasë një objektiv 800 kilometra larg. Droni, i cili është projektuar dhe prodhuar në Ukrainë, kontrollohet nga distanca dhe mund të përdoret gjithashtu për zbulim dhe vëzhgim.

Piloti i dronit i tha “CNN” se ai ishte i lehtë për t'u përdorur dhe se ishte i suksesshëm në kufizimin e lëvizjeve të Marinës ruse. Një ekspert dronesh tha për “CNN” se mbrojtja e Rusisë është joefektive kundër dronëve, sepse anijet e saj janë të dizajnuara për të sulmuar anije të tjera dhe jo objektiva më të vegjël. “Ata janë më të shpejtë se çdo gjë tjetër në Detin e Zi”, pretendon prodhuesi i tij. Aftësitë e dronëve u panë edhe gjatë sulmit të fundit në urën e Krimesë.

Ura afërsisht 19 km e gjatë është një rrugë kryesore furnizimi midis Rusisë dhe Krimesë, një gadishull i aneksuar në 2014. Ukraina përdori dy nga dronët e saj detarë për të goditur urën, duke shkaktuar dëme të mëdha. Megjithatë, nuk dihet ende se sa drone të rinj ka ndërtuar Ukraina apo sa të tjerë planifikon të ndërtojë. Dronët kanë luajtur një rol kyç në luftën e Rusisë në Ukrainë dhe janë dëshmuar të paçmueshme për të dyja palët.

Ata i siguruan Kievit dhe Moskës aftësi zbulimi dhe sulmi dhe i përdorën ato për gjithçka, nga zbulimi i artilerisë deri tek goditja e infrastrukturës civile. Madje, ndikimi i dronëve luftarakë ka bërë që Rusia të nisë të trajnojë fëmijët e shkollave për të operuar me ta, siç raportoi më parë “Insider”.

Ukraina nënshkruan marrëveshje me kompaninë turke për riparimin e dronëve

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë turke Baykar Makina.

Kjo marrëveshje u ndërtua si qendër shërbimi për riparimin dhe mirëmbajtjen e dronëve.

“Krijimi i një qendre shërbimi do të jetë një kontribut i rëndësishëm në forcimin e aftësive mbrojtëse të Ukrainës dhe do të ndihmojë në afrimin e fitores sonë,” u citua nga faqja e internetit e ministrisë t’u ketë thënë partnerëve turq sekretari i shtetit i ministrisë, Kostiantyn Vashchenko, shkruan Al Jazeera.

Ukraina po kërkon të rrisë prodhimin vendas të dronëve për qëllime zbulimi dhe sulmi.

Von der Leyen: Përdorimi i paligjshëm i forcës nuk mund të tolerohet në Ukrainë

Ursula von der Leyen ka dënuar ashpër “përdorimin e paligjshëm të forcës” në Ukrainë gjatë një vizite në Filipine. 

Presidentja e Komisionit Evropian kritikoi “liderët autoritarë” për shkeljen e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, shkruan Sky News.

Zonja Von der Leyen shprehu shqetësimin për ndryshimin dhe paqëndrueshmërinë e peizazhit politik global, duke theksuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës si një kërcënim për rendin ndërkombëtar. 

“Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës trondit themelet e rendit ndërkombëtar,” tha ajo.

“Është në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, si integriteti territorial dhe sovraniteti, dhe kjo është arsyeja pse Europa mbështet luftën e guximshme të Ukrainës kundër agresorit”, shtoi presidentja.

Zelensky: Presioni i sanksioneve duhet të rritet

Volodymyr Zelensky ka thënë se sulmi i së hënës në Kryvyi Rih dëshmoi edhe një herë se ushtria ukrainase “duhet të ketë mjaftueshëm armë me rreze të gjatë dhe mjete të mjaftueshme për të mposhtur terroristët”.

Presidenti ukrainas zbuloi se raketat që goditën qytetin qendror ishin lëshuar “nga territori i Krimesë së pushtuar përkohësisht, nga zona e Dzhankoy”, shkruan Sky News.

Presioni i sanksioneve botërore kundër Rusisë meriton të rritet ndjeshëm,” tha ai.

“Ky është terrorizëm që askush në botë nuk do ta quajë ndryshe.”, shtoi presidenti ukrainas.

Thellohet bilanci, të paktën 9 të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

Të paktën nëntë civilë ukrainas, përfshirë një fëmijë, janë vrarë nga granatimet dhe sulmet ajrore ruse, thanë zyrtarët, teksa forcat e Kievit kanë njoftuar se kanë bërë përparime të tjera territoriale në jug mes luftimeve të ashpra në gjithë vijën e frontit. Numri i viktimave në Krijvij Rih u rrit në katër pas sulmit në orët e para të 31 korrikut në një ndërtesë banimi, thanë shërbimet e emergjencës.

Guvernatori rajonal, Serhiy Lysak, tha se një 10-vjeçar ishte në mesin e të vrarëve. Ndërkaq, kreu i Këshillit të Mbrojtjes së Krijivij Rih, Oleksandr Vilkul, tha se edhe tetë persona mund të jenë të bllokuar nën rrënoja. Presidenti I Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e postoi një video në Facebook, e cila shfaqi tym të zi duke dalë nga një vrimë e madhe e krijuar në fasadën e një blloku banesash. Pamjet treguan, po ashtu, një ndërtesë të pabanueshme e cila ishte shkatërruar pjesërisht.

Zelensky tha se forcat ruse po “vazhdojnë t’i terrorizojnë qytetet dhe njerëzit paqësorë”. “Por ky terror nuk do të na frikësojë apo gjunjëzojë neve”, shtoi Zelensky. Rusia ka granatuar qytetin jugor të Hersonit për të dytën herë brenda 24 orëve, duke vrarë një 65-vjeçar, tha guvernatori rajonal, Oleksandr Prokudin. Pavlo Kyrylenko, guvernatori i rajonit lindor të Donjeckut tha se ditën paraprake dy civilë u vranë gjatë granatimeve ruse.

Autoritetet lokale në qytetin verilindor ukrainas të Sumit më 30 korrik po ashtu raportuan për dy civilë të vrarë dhe 17 të plagosur pas një sulmi me raketa të kryer nga forcat ruse. Në fushëbetejë, forcat ukrainase janë përfshirë në luftime të ashpra përgjatë gjithë vijës së frontit, duke zmbrapsur sulme ruse në verilindje dhe duke bërë përparim në jug, thanë zyrtarët ukrainas.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, forcat e Kievit kanë zhvilluar mbi 20 beteja në 24 orët e fundit. Ushtria tha po ashtu se Rusia ka vazhduar sulmet ajrore dhe granatimet, duke shënjestruar popullatën civile dhe infrastrukturën. “Si rezultat i sulmeve ruse, fatkeqësisht ka të vdekur dhe të plagosur në mesin e civilëve. Po ashtu, ndërtesat e banimit janë dëmtuar”, tha ushtria.

Ministri rus i Mbrojtjes: Moska po intensifikon sulmet ndaj infrastrukturës në Ukrainë

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shoigu deklaroi se Moska ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës ushtarake të Ukrainës, në shenjë hakmarrje ndaj sulmeve në territorin e kontrolluar nga Rusia.

Shoigu tha se ky intensitet sulmesh është rritur.

Në sfondin e dështimit të të ashtuquajturës ‘kundërofensivë’, Kievi … është fokusuar në kryerjen e sulmeve terroriste në infrastrukturën civile,” tha Shoigu. “Intensiteti i sulmeve tona kundër objekteve ushtarake ukrainase … është rritur ndjeshëm,” shtoi ai.

Të dielën, Rusia tha se rrëzoi dronët ukrainas që synonin Moskën dhe Krimenë. Zelenskyy tha për sulmin e së dielës: “Lufta po kthehet në territorin e Rusisë. Ky është një proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe absolutisht i drejtë.”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat