Përfundon samiti në Arabinë Saudite – do të vazhdojnë takimet për arritjen e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë

Bota

Përfundon samiti në Arabinë Saudite – do të vazhdojnë takimet për arritjen e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë

Më: 6 gusht 2023 Në ora: 22:22
Foto ilustrim

Zyrtarë të lartë nga më shumë se 40 vende, duke përfshirë SHBA-në, Kinën dhe Indinë, u mblodhën në qytetin Jeddah të Arabisë Saudite për Takimin e Këshilltarëve të Sigurisë Kombëtare ku thuhet se u diskutua për formulën e paqes të prezantuar nga Ukraina.

“Pjesëmarrësit kanë rënë dakord për vazhdimin e konsultimeve ndërkombëtare dhe shkëmbimin e pikëpamjeve në një mënyrë që kontribuon në ndërtimin e bazave të përbashkëta që hapin rrugën për paqen”, raporton Agjencia Saudite e Shtypit (SPA).

“[Pjesëmarrësit] gjithashtu [theksuan] rëndësinë e përfitimit nga opinionet dhe sugjerimet pozitive që u diskutuan gjatë takimit”, thuhet më tutje në njoftim.

Ndërsa Rusia nuk mori pjesë në bisedime, Kremlini tha se do të monitoronte nga afër bisedimet.

Bisedimet në Jeddah vijnë në mes të përpjekjeve të ukrainasve për të rritur mbështetjen përtej atyre të vendeve perëndimore, duke u angazhuar më shumë në Amerikën Latine, Afrikë dhe Azi.

Duke folur për bisedimet në Jeddah, shefi i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak deklaroi se “ne patëm konsultime shumë produktive mbi parimet kryesore mbi të cilat duhet të ndërtohet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”.

Ndryshe, bisedime të tilla pritet të zhvillohen edhe në kuadër të takimit të G20, i cili do të mbahet muajin e ardhshëm në Indi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat