Pheniani konfirmon se po heton ushtarin amerikan Travis King

Bota

Pheniani konfirmon se po heton ushtarin amerikan Travis King

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 06:10
Pheniani

Koreja e Veriut ka konfirmuar publikisht për herë të parë se po e mban në paraburgim ushtarin amerikan Travis King, i cili vrapoi përmes zonës së çmilitarizuar, duke kaluar në pjesën veriore, pothuajse një muaj më parë. Kjo është hera e parë që një individ në zonën e çmilitarizuar, që vizitohet nga turistët, të ketë vepruar në këtë mënyrë

Pheniani po heton ushtarin për “hyrjen e tij të paligjshme” në Korenë e Veriut, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA të mërkurën. Lajmi shton më tej se zoti King “rrëfeu” se ishte i motivuar nga “keqtrajtimi çnjerëzor dhe diskriminimi racist në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara.

Njoftimi gjithashtu thotë se 23-vjeçari shprehu dëshirën për të kërkuar strehim në Korenë e Veriut ose në një vend të tretë, duke thënë se ishte “i zhgënjyer” nga pabarazia në shoqërinë amerikane.

Ushtari King, përballej me përjashtim nga ushtria sapo të kthehej në bazën e tij në Fort Bliss të Teksasit, pasi qëndroi i burgosur në një burg të Koresë së Jugut nën akuzën për sulm.

Ai duhej të nisej me avion për tu kthyer në SHBA më 17 korrik, ndërsa nuk është e qartë se si arriti që t’i bashkohet një grupi turistësh në kompleksin kufitar, një ditë më vonë.

Linja e demarkacionit ushtarak është kufiri zyrtar që ndan dy Koretë, i vendosur pas një armëpushimi që i dha fund Luftës Koreane të viteve 1950-1953. Lufta nuk ka marr fund zyrtarisht dhe nuk është arritur një traktat paqeje.

Dëshmitarët që ishin pjesë e grupit që vizitonte zonën kufitare muajin e kaluar thanë se zoti King ishte duke qeshur kur filloi të vrapojë drejt vijës kufitare. Disa prej tyre që mendonin se veprimi i çuditshëm ishte një shaka ose një përpjekje për të xhiruar një video që më pas ta publikonte në rrjetet sociale.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes dhe Departamenti i Shtetit thanë se nuk mund të verifikojnë deklaratat që i atribuohen ushtarit King të publikuara nga Koreja e Veriut. Ata përsëritën se përparësi mbetet kthimi i tij në SHBA dhe se ata po përdorin të gjitha mundësitë që kanë drejt këtij rezultati.

Statusi zyrtar i ushtarit King me ushtrinë amerikane mbetet i shënuar si mungesë pa leje. Ky status ndryshon automatikisht në “dezertor” pasi të ketë kaluar një muaj mungesë.

Mundësia për caktimin e statusit për të si i burgosur lufte për të lehtësuar kthimin e zotit King në atdhe duken të pamundura, duke pasur parasysh se ai vrapoi përtej kufirit me vullnetin e tij.

Gjatë dekadave, gjashtë ushtarë amerikanë në detyrë dezertuan në Korenë e Veriut. Vetëm një ia doli që të largohet nga atje. Rreshteri Charles Robert Jenkins e quajti vendimin “gabimi më i madh që kam bërë ndonjëherë”, pasi u lirua në vitin 2004, pasi kaloi rreth 39 vjet në Korenë e Veriut.

Koreja e Veriut zgjodhi të thyejë heshtjen e saj në lidhje me ushtarin amerikan pas disa javësh presioni nga SHBA-ja dhe rreth dy ditë përpara se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të diskutojë për herë të parë që nga viti 2017 mbi të drejtat e njeriut në shtetin komunist.

Javën e kaluar, ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e cila kryeson Këshillin e Sigurimit këtë muaj, njoftoi rikthimin e mbledhjeve duke nisur të enjten, duke vënë në dukje se abuzimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga qeveria e Kim Jong Un-it kanë “lehtësuar përparimet për armët e shkatërrimit në masë dhe raketave balistike.”

Koreja e Veriut i sheh kritikat për të drejtat e njeriut si “një sfidë e rëndë për dinjitetin dhe sovranitetin e saj”, siç deklaroi zëvendësministri i saj i jashtëm për organizatat ndërkombëtare, Kim Son Gyong, të martën duke kundërshtuar diskutimet e planifikuara të OKB-së.

Deklarata e Koresë së Veriut i paraprin gjithashtu takimit të presidentit amerikan me homolgët nga Japonia dhe Koreja e Jugut në vendpushimin presidencial “Camp David”.

Takimi i parë trepalësh, i paraparë si historik nga zyrtarët amerikanë, pritet të shpallë bashkëpunimin e ri të forcuar ushtarak dhe ekonomik përballë vazhdimit të kërcënimeve nga Koreja e Veriut dhe ambicieve kineze në rajon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat