LIVE: Propozimi që tronditi Ukrainën, shefi i NATO-s heq dilemat – sqaron gjithçka

Bota

LIVE: Propozimi që tronditi Ukrainën, shefi i NATO-s heq dilemat – sqaron gjithçka

Nga: Bota sot Më: 17 gusht 2023 Në ora: 06:19 Përditësuar në ora: 19:05 më 17.08.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Estonia dhe Finlanda lejuan aeroplanët rusë në hapësirën e tyre ajrore, pavarësisht sanksioneve ndaj Moskës

Agjencia Ruse e Trafikut Ajror njoftoi se Finlanda dhe Estonia, pavarësisht sanksioneve në lidhje me ndalimin e fluturimit të aeroplanëve rusë, lejuan tre sosh në hapësirën e tyre ajrore gjatë nga e mërkura deri të enjten.

Sipas informacioneve të kësaj agjencie, tre aeroplanët rusë të Rossiya, Ural Airlines dhe Nordwind Airlines po fluturonin mbi ujërat neutrale pranë enklavës së Kaliningradit.

Mirëpo, pikërisht në atë periudhë në këtë zonë u formua një stuhi e fortë dhe kushtet për fluturim ishin jashtëzakonisht të vështira, raporton aljazeera.

Shërbimet ruse u bënë thirrje kolegëve të tyre estonezë dhe finlandezë që t’i lënë aeroplanët në hapësirën e tyre ajrore për të shmangur udhëtimin e tyre në drejtim të stuhisë.

Shumë shpejt Estonia dhe Finlanda miratuan këtë kërkesë dhe aeroplanët vazhduan udhëtimin e tyre në një rrugë më të sigurt.

“Agjencia ruse falënderon autoritetet kompetente të Finlandës dhe Estonisë për ndihmën e tyre. Shërbimi ajror finlandez dhe estonez siguruan plotësisht lëvizjen e sigurt të aeroplanëve rusë. Rusia është e gatshme, e udhëhequr nga parimet e ndihmës reciproke, të sigurojë udhëtimin e sigurt të të huajve në hapësirën ajrore të Federatës Ruse”, thanë ata.

Siç shkruan Kommersant, dy aeroplanë po udhëtonin nga Kaliningrad në drejtim të Moskës dhe Samara, ndërsa njëri po fluturonte nga drejtimi i Shën Petersburgut në drejtim të Kaliningradit. 

Shefi i NATO-s heq dilemat: Vetëm ukrainasit mund të vendosin kushte ndaj Rusisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se i takon Ukrainës të vendosë në se janë plotësuar, ose jo kushtet e duhura për të nisur bidesimet për paqe ndërsa përballet me agresionin rus.

Deklarata e sotme e zotit Stoltenberg në Norvegji nënvizon qëndrimin e pandryshuar të aleancës, pas disa komenteve të një kolegu të tij, gjatë kësaj jave.

“Vetëm ukrainasit mund të vendosin se kur janë plotësuar kushtet për bisedime dhe vetëm ata mund të vendosin se cila është një zgjidhje e pranueshme” tha zoti Stoltenberg.

Deklaratat e tij vijnë pas komenteve të drejtorit të tij të kabinetit, Stian Jenssen, i cili tha të martën se Ukrainës mund t’i duhet të lëshojë territor për një marrëveshje paqeje më Rusinë. Më pas, zoti Jenssen tha se ishte penduar për komentet e tij.

“Mesazhi i tij, që është edhe masazhi im kryesor dhe mesazhi kryesor i NATO-s, është se politika e aleancës mbetet e pa ndryshuar, ne mbështesim Ukrainën”, tha zoti Stoltenberg.

Në takimin e nivelit të lartë muajin e kaluar, NATO-ja njoftoi se do të ftojë Ukrainën për anëtarësim në aleancë kur “të bien dakord vendet anëtare dhe të jenë plotësuar kushtet” dhe, se vendi ka të drejtën të zgjedhë rrugën e vet në mënyrë të pavarur nga Rusia.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se ndërsa rezultati i takimit të NATO-s ishte pozitiv, idealja do ishte nëse Kievi do të kishte marrë ftesë anëtarësimi.

Mijëra trupa ukrainase janë trajnuar nga partnerët perëndimorë të Kievit. Ukraina varet shumë edhe nga furnizimi me armatime nga perëndimi, ndërsa lufton me forcat ruse, që prej shkurtit të vitit 2022.

Ukrainasit me dronët kamikaz shkatërruan tanke dhe mjete tjera të blinduara të rusëve

Forcat ukrainase kanë arritur të shkatërrojnë sasi të madhe të makinerisë luftarake të forcave pushtuese ruse.

Ata përdorën dronë kamikaz për të hedhur në erë tanket dhe mjetet e tjera të blinduara të ushtrisë së Vladimir Putinit.

Ishte brigada e 72-të e mekanizuar që në bashkëpunim me forcat ajrore, arritën të godasin rëndë forcat ruse në fushëbetejë.

Pamjet e filmuara nga ajri shfaqin momentet kur dronët kamikaz godasin tanket, derisa po tërhiqeshin si dhe mjete tjera të blinduara.

Në anën tjetër nga Kievi kanë bërë të ditur se kundërofensiva e tyre po vazhdon, dhe se çdo ditë po çlirojnë nga ndonjë fshat apo rajon të vogël.

Lufta në Ukrainë, Kuleba: Nuk lëshojmë territor për t’u anëtarësuar në NATO

Ukraina nuk do të heqë dorë nga territoret e veta për të hyrë në NATO, sipas një deklaratë të ministrit të jashtëm Dmitro Kuleba. Ai theksoi se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Soltenberg ka një pozicion të qartë lidhur me temën.

Në një interviste televizive ai komentoi deklaratat e bëra pak ditë më parë nga shefi i kabinetit të Stoltenberg, Stian Jenssen, sipas të cilit Ukraina mund të bëhet anëtare e NATO-s, në këmbim të heqjes dorë nga territoret e pushtuara aktualisht nga Rusia.

Jenssen bëri më vonë një hap prapa duke kërkuar falje për deklaratën, dhe i cilësoi si të gabuara fjalët e tij.

Presidenti ka komunikuar vazhdimisht me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke ruajtur një raport shumë të ngushtë me të.

Ju siguroj se pozicioni i sekretarit të përgjithshëm është absolutisht i qartë dhe i njëjtë me Ukrainën. Nuk mund të ketë shkëmbime në territoret ukrainase.”

Tensionet e luftës Ukrainë-Rusi, Stoltenberg tregon shtetin që ka të drejtën e vendosjes së kushteve për negociata

I takon Ukrainës të vendosë se kur janë kushtet e duhura për t’u përfshirë në negociata pas pushtimit rus, tha të enjten shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, duke nënvizuar qëndrimin e pandryshuar të aleancës, pas komenteve nga një aleat i ngushtë në fillim të kësaj jave.

“Janë ukrainasit, dhe vetëm ukrainasit, ata që do të vendosin kur kushtet janë të përshtatshme për negociata dhe gjithashtu, ata do të vendosin në tryezën e bisedimeve se cila zgjidhje do të jetë e pranueshme”, tha Stoltenberg.

Duke folur në një konferencë në qytetin norvegjez të Arendalit, ai shtoi se roli i NATO-s është të mbështesë Ukrainën.

Diskutimet e brendshme në NATO se si t’i jepet fund konfliktit në Ukrainë janë në vazhdim dhe do të vazhdojnë derisa të arrihet paqja, vuri në dukje ai.

Komentet e Stoltenberg vijnë pas komenteve nga shefi i tij i shtabit, Stian Jensen, i cili tha publikisht të martën se Ukraina mund t’i lëshojë territor Rusisë në këmbim të anëtarësimit në NATO dhe përfundimit të luftës.

Jensen kërkoi falje dhe sqaroi komentet e tij të nesërmen, të mërkurën, pasi kishte reagime të zemëruara në Kiev.

Megjithatë, Jensen nuk përjashtoi që në tryezën e negociatave të jetë një marrëveshje tokësore për anëtarësimin në NATO.

Kur zhvillohen negociata serioze për paqen, atëherë situata ushtarake në atë kohë dhe kush kontrollon çfarë territori, “është domosdoshmërisht kritike”, tha Jensen.

“Pikërisht për këtë arsye, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të mbështesim ukrainasit me atë që u nevojitet”, vazhdoi zyrtari, i cili theksoi se anëtarët e NATO-s janë ende në anën e Ukrainës.

“Mesazhi i Jensen, i cili është i imi dhe i NATO-s, është, para së gjithash, se politika e NATO-s mbetet e pandryshuar – ne mbështesim Ukrainën”, nënvizoi Stoltenberg.

Putin “pushton” Perëndimin me spiunë, aktivizohen “agjentët e fjetur”

Lufta e Ftohtë nuk mbaroi kurrë. Kjo, të paktën, është pikëpamja e presidentit rus Vladimir Putin. Tregimi më i qartë se Kremlini vazhdoi luftën e tij titanike kundër Perëndimit edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik, mund të shihet në aktivitetet e shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës ruse. Në operacionet e tyre dhe në fuqinë e madhe që zotërojnë në shoqërinë ruse, ata kanë vazhduar aty ku e la inteligjenca sovjetike. Që nga viti 1991, këto agjenci janë drejtuar nga një strategji revanshiste për ta bërë Rusinë përsëri të madhe dhe për të përmbysur rendin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-të pas Luftës së Ftohtë.  Dikur KGB-ja (spiunazhi sovjetik) arriti të depërtonte në shumë vende. Edhe sot Rusia ka një rrjet global spiunësh të aftë për të zbuluar sekrete nga shumë qeveri perëndimore. Presidenti rus madje ka rrëfyer, gjatë një interviste televizive në vitin 2017, se drejtonte një rrjet “ilegal” spiunësh jashtë vendit, ndërsa ai shërbente si oficer i KGB-së. Presidenti sqaroi se kishte punuar me agjentë të fshehtë, të cilët ishin aktivë pa mbrojtje diplomatike. Këta spiunë njihen si “të paligjshëm”, dhe sot janë më shumë se kurrë në veprim.

“Spiunët e fjetur”

Spiunët rusë "të fjetur" janë në shumë vende në Evropë dhe Amerikë. Media britanike “The Guardian” ka shkruar se Moska ka filluar të përdorë “qelizat e fjetura” të implantuara në vendet perëndimore ose agjentët dhe operativët jozyrtarë, njerëz të kombësive të treta ose "të paligjshme", rusë që mund të kenë shpenzuar edhe vite të tëra, pa bërë asnjë punë inteligjence. “Ilegalët” janë trashëgimia e një programi sovjetik, kujton gazeta britanike e cila citon disa episode si arrestimi, vetëm vitin e kaluar, i të paktën shtatë të dyshuarve të paligjshëm në Norvegji, Brazil, Holandë, Slloveni dhe Greqi. Disa arritën të arratiseshin, ndoshta në Rusi, disa të tjerë janë ende të arrestuar në Perëndim.

Kërcënimi për Britaninë

Kthimi në metodat më të rrezikshme dhe më pak të lehta të spiunazhit u imponua nga dëbimi i gjithsej 450 diplomatëve nga vendet perëndimore, vetëm në tre muajt e parë të luftës në Ukrainë, shumë prej të cilëve ishin operativë të FSB, GRU dhe Sver. Edhe mundësia e kalimit të operativëve si turistë dhe biznesmenë është zhdukur përballë shtrëngimit të dhënies së vizave. Puna investigative e “Bellingcat”, pas helmimit të Sergei Skripal në Salisbury në vitin 2018 hodhi në erë edhe shumë operativë, me numra pasaportash të afërta me ato të agjentëve të dërguar në Angli. Ish-zyrtari i inteligjencës ushtarake britanike, Philip Ingram, ka thënë se ka gjasa të jenë “mijëra” agjentë të tillë që operojnë në Britani, raportoi “The Sun”. Ingram ka treguar se si autoritetet britanike vetëm tani kanë “filluar të zgjohen” në realitetin e këtij kërcënimi. Eksperti i sigurisë, Will Geddes, ka shtuar se agjentët rusë po operojnë në shkallë “shumë të lartë” në vend.  Britania e Madhe muajin e kaluar miratoi një ligj të ri të sigurisë kombëtare, që synon të pengojë spiunazhin dhe ndërhyrjen e huaj në vend.

Rrjeti i agjentëve

Së fundmi, mediat vendase kanë shkruar se tre anëtarë të një rrjeti të dyshuar spiunazhi rus, të cilët u arrestuan nga policia kundër terrorizmit, jetonin në një banesë një milje nga një bazë RAF e përdorur nga ministrat dhe familja mbretërore. Shtetasit bullgarë Orlin Roussev, 45 vjeç, Bizer Dzhambazov, 41 vjeç dhe e dashura e tij 31-vjeçare, Katrin Ivanova, u arrestuan gjatë një serie bastisjesh të inteligjencës në Londër dhe Norfolk. Për rreth një dekadë, të tre kishin lidhje me një apartament në perëndim të Londrës, një distancë e shkurtër nga baza ushtarake RAF Northolt. Anëtarët e familjes mbretërore përdorin rregullisht bazën për të fluturuar jashtë vendit, dhe gjithashtu përdoret shpesh nga ministrat dhe krerët e huaj të shteteve. Arrestimet mësohet se kanë ardhur pas një hetimi të gjatë kundër-spiunazhi të kryer nga Scotland Yard.  Tre të pandehurit u arrestuan fillimisht në muajin shkurt dhe pasi u akuzuan për dokumentacion fals, u lanë në masën e paraburgimit. Ata nuk kanë pranuar ende akuzat dhe do të dalin në gjyq në Old Bailey në janar.

Lufta në Ukrainë “infekton” edhe botën ortodokse, kush është patriarku polak që mbron pushtimin e Rusisë

Në tetor 2018, filloi divorci midis Kishës Ortodokse Ruse dhe Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, kur e para ndërpreu në mënyrë të njëanshme bashkësinë e plotë me të dytën për shkak të synimit për t'i dhënë autoqefalinë Kishës Ortodokse të Kievit. Kjo histori, e lidhur ngushtë me konfliktin në Ukrainë, ka “mbjellë” prej kohësh mosmarrëveshje në botën ortodokse: qëndrimi i Patriarkut Kirill, me bekimin e tij për "operacionin special" të Vladimir Putinit, më pas përfundoi duke hapur një front të dytë lufte, mes dënimeve dhe miratimeve të pushtimit të Ukrainës. Nëse nga Stambolli patriarku Bartolomeu I, ka folur gjithmonë kundër Kirillit përçarës, nga Varshava "papa i Putinit" merr solidaritetin e mbështetësit të tij vendas, Patriarkut Sawa. Majin e kaluar, Mitropoliti i "Varshavës dhe gjithë Polonisë" festoi 25-vjetorin e tij në krye të ortodoksëve polakë, një komunitet prej rreth gjysmë milioni njerëz, në një “liqen katolik” si Polonia.

Lidhja me Rusinë

Arsyet për këtë afërsi mes tyre shpjegohet disi me historinë polake pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe me përvojën personale të Sawa-s, i cili gjithashtu mbante poste publike përkatëse si ajo e ushtrisë ortodokse në ushtrinë polake. Kisha Ortodokse Polake u themelua në vitin 1924 pasi Polonia rifitoi pavarësinë e saj, për t'i dhënë formë dhe përmbajtje besimit të komuniteteve ukrainase dhe bjelloruse në lindje të vendit. Ironia e fatit donte që Mitropoliti i parë ortodoks i Polonisë të ishte një ukrainas, Yurii Yaroshevsky, i emëruar nga Patriarkana e Moskës. Kur filloi të tregonte neverinë e tij ndaj fuqisë dhe ndërhyrjes së tepërt të patriarkanës moskovite, ai u vra nga një murg rus. Në periudhën ndërmjet luftërave, Kishës Ortodokse Polake iu desh t'i mbijetonte vështirësive dhe persekutimeve të shumta: një numër i madh kishash ortodokse u shkatërruan dhe disa u konvertuan në të krishtera në atë udhëkryq midis Polonisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, me Poloninë të tërhequr në orbitën sovjetike, 8 nga 10 famullitë dhe kongregacionet përfunduan nën patriarkanën e Moskës.

Jeta e çuditshme

Teolog dhe pedagog, Sawa, i lindur në 1938, punoi, të paktën që nga viti 1965, për Sluzba Bezpieczenstwa, Policinë e Sigurisë Polake të epokës sovjetike, me emrin e koduar Tw Jurek dhe numrin e regjistrimit 12348. Instituti polak për Kujtimin, ruan ende të gjithë dokumentacionin kundër tij, gjë që nuk lë asnjë dyshim se Sawa ishte në listën e pagave të policisë komuniste, si pothuajse të gjithë drejtuesit e kishës ortodokse polake të pasluftës, brenda së cilës nuk ishte e pazakontë të shihje edhe agjentë të KGB-së të hyjnë me urdhër të drejtpërdrejtë nga Byroja Politike e Moskës. Bashkëpunimi lidhej me punësimin e tij në Kancelarinë Metropolitane: roli i tij ishte të ofronte informacione të përditësuara mbi ndryshimet që ndodhin në Kishën Ortodokse. Janë të shumta edhe denoncimet morale” drejtuar homologëve të tij të besimeve të tjera, në të cilat shpesh përsëriten “dyshimet për homoseksualizëm”. Fjalë pa dyshim të ashpra, për paraardhësit dhe “kolegët” e tij.

Konflikti në Ukrainë

Me shembjen e Murit të Berlinit dhe daljen e trazuar të Polonisë nga orbita e Moskës, falë edhe një Pape katolik polak, figura e Sawa-s përfundoi duke u bërë margjinale, një mburojë e zbehtë e së shkuarës. Konflikti në Ukrainë, e ka rikthyer këtë figurë të çuditshme të një mbështetësi të Kirillit në titujt kryesorë, i cili vazhdon të tregojë nderim ndaj Moskës dhe renditjes së lartë të saj. Aq sa për të nxitur, shkurtin e kaluar, një grup ish-aktivistësh antikomunistë polakë t'i kërkonin Presidentit të Polonisë t'i hiqte Sawas gradat e tij. Letra e shkurtit të kaluar shpërtheu zemërimin e polakëve, pasi Sawa i dërgoi urimet më të mira Kirillit për vitin e katërmbëdhjetë të fronëzimit të tij. Për më tepër, zëri i Sawa rrezikon të “mbytet” edhe më shumë së shpejti nga kryepeshkopi, gjithashtu ortodoks, i Przemysl dhe Gorlice, i cili në përvjetorin e fundit të luftës ftoi besimtarët ortodoksë të luten "për paqen dhe humbjen e Rusisë.

Ukraina në NATO në këmbim të territoreve, propozimi i çuditshëm i aleancës trondit Perëndimin

Një deklaratë për Ukrainën nga Stian Jenssen, drejtor i zyrës private të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka trazuar ujërat e marrëdhënieve midis Perëndimit dhe Ukrainës. Në një takim me disa gazetarë, zyrtari i lartë i Aleancës Atlantike sugjeroi një zgjidhje të mundshme për të ardhmen e Kievit: atë të heqjes dorë nga një pjesë e territorit të saj të pushtuar nga Rusia për të marrë anëtarësimin në NATO. Për Jenssen, në këtë pikë është "joreale" që rusët mund të pushtojnë territore të reja, duke pasur parasysh angazhimin e madh ushtarak të Moskës dhe ngërçin e ofensivës.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, NATO është e vetëdijshme se përpjekjet e Ukrainës mund të mos çojnë në çlirimin total të territoreve të pushtuara nga forcat kundërshtare. Dhe kjo është një çështje prioritare edhe për të kuptuar se cila mund të jetë zgjidhja e luftës dhe mbi të gjitha për të kuptuar mundësinë reale që Ukraina mund të anëtarësohet në NATO. “Për sa kohë që konflikti është në vazhdim dhe për sa kohë që një pjesë e territorit është e pushtuar, NATO nuk do të jetë në gjendje të mirëpresë vendin e pushtuar në aleancën e saj”, ky ishte përfundimi i Jenssen. Fjalët e tij kanë ngritur në mënyrë të pashmangshme një polemikë që ka përfshirë si Kievin ashtu edhe komandat e NATO-s.

Zemërimi i Ukrainës

Zemërimi i qeverisë ukrainase u përmblodh në një postim në "X" nga këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak, i cili e përshkroi shkëmbimin e territoreve për anëtarësimin në Aleancën Atlantike si "qesharake". "Kjo do të thotë të zgjedhësh qëllimisht të mundësh demokracinë, të trimërosh një kriminel global, të ruash regjimin rus, të shkatërrosh ligjin ndërkombëtar dhe t'ua kalosh luftën gjeneratave të tjera," tha këshilltari i Volodymyr Zelensky, i konsideruar gjithmonë si një “skifter” i stafit të presidentit ukrainas. Të njëjtin mendim ndan edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, për të cilin “debatet për anëtarësimin e Ukrainës në NATO në këmbim të braktisjes së disa territoreve të Ukrainës janë totalisht të papranueshme”.

“Sikleti” i NATO-s

Në Bruksel, fjalët e Jenssen mbi të gjitha shkaktuan “siklet”. Një zëdhënës i NATO-s përsëriti se pozicioni i bllokut euro-amerikan mbi integritetin e Ukrainës "nuk ka ndryshuar " dhe se ai do të vazhdojë "të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme" duke u angazhuar "për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme". Një paqe e drejtë nënkupton edhe respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe kufijve të përcaktuar.

Megjithatë, pyetja që po bëjnë shumë ekspertë është se përse Jenssen, i cili është padyshim një nga njerëzit më të afërt me Stoltenberg, donte të shprehte një mendim të tillë në një moment kaq delikat të kundërsulmimit ukrainas. Fjalë, që mund të përfaqësonin një “dush të ftohtë” ndaj aspiratave të qeverisë Zelensky për ripushtim dhe që dihej se do të shkaktonin polemika, duke nxitur për më tepër idenë e ndarjes midis objektivave të NATO dhe Ukrainës. Ashtu siç rusët vazhdojnë të bombardojnë territorin ukrainas dhe ashtu si dyshimet fillojnë të “gërryejnë” mbështetjen për Kievin.

Mesazhi i Perëndimit

Një pakujdesi nga ana e Jenssen? Me gjasë. Edhe pse nuk mund të përjashtohet fakti që zyrtari i Atlantikut ka dashur të përsërisë një qëndrim dhe ide që qarkullon prej disa kohësh brenda Aleancës, atë të dyshimit për mundësitë reale të kundërsulmimit ukrainas. Në fund të fundit, kudo është folur për një paqe të drejtë, por në këtë pikë shumë politikanë dhe analistë kanë shprehur se lufta mund të zgjasë shumë kohë. Dhe nuk është sekret se në Evropë, si në pjesë të tjera të botës, ka shumë që dëshirojnë ndërprerjen e armiqësive.

Nga ana tjetër, edhe në Uashington, pak para zgjedhjeve presidenciale kundërshtarët e Biden-it do të përdorin levën e "luftës së pafund" në Evropën Lindore për të nënvizuar një dështim të mundshëm të administrates. Ndoshta fjalët e Jenssen ishin thjesht “gafë”. Por nuk mund të përjashtohet edhe që Atlantiku mund të ketë dashur t’i dërgojë një sinjal Kievit.

Anija e parë e mallrave largohet nga porti i Ukrainës që nga përfundimi i marrëveshjes së grurit, pavarësisht kërcënimeve ruse

Një anije mallrash civile është larguar nga porti jugor i Ukrainës, Odesa, ka thënë Kievi, pavarësisht paralajmërimeve nga Rusia se marina e saj mund të synojë anijet që përdorin qendrat e eksportit të Detit të Zi, përcjell Bota sot.

Njoftimi ngre spektrin e një përplasjeje me anijet luftarake ruse, pasi Moska u tërhoq nga një marrëveshje kyçe muajin e kaluar e ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia, e cila garantonte kalim të sigurt për dërgesat e grurit nga tre porte të Ukrainës.

Ministri i infrastrukturës i Ukrainës, Oleksandr Kubrakov, tha se Joseph Schulte me flamur nga Hong Kongu u largua të mërkurën në mëngjes nga porti i Odesa - një nga tre anijet që morën pjesë në marrëveshjen e eksportit të drithit tashmë të fshirë.

SHBA dënon sulmet ruse të grurit

SHBA ka dënuar sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj infrastrukturës së grurit të Ukrainës dhe i bëri thirrje Moskës që t'i kthehet menjëherë marrëveshjes së grurit, tha të mërkurën Departamenti i Shtetit, përcjell Bota sot.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk kujdeset për sigurinë globale të ushqimit, u tha gazetarëve zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, pasi Ukraina më herët të mërkurën tha se Rusia kishte sulmuar objektet e saj të ruajtjes së grurit gjatë natës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat