Pakistani arreston 129 persona pas sulmeve mbi kishat dhe shtëpitë e të krishterëve

Bota

Pakistani arreston 129 persona pas sulmeve mbi kishat dhe shtëpitë e të krishterëve

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 13:38
Pakistan

Policia arrestoi më shumë se 100 myslimanë gjatë bastisjeve në një zonë në Pakistanin lindor, ku një turmë besimtarësh të zemëruar për përdhosjen e supozuar të Kuranit nga një i krishterë, sulmoi kishat dhe shtëpitë e pakicës së krishterë, duke nxitur autoritetet të dërgojnë trupat për të rivendosur rendin.

Nuk pati viktima pasi të krishterët që jetonin në një pjesë të qytetit Jaranwala në rrethin Faisalabad u zhvendosën shpejt në vende më të sigurta.

Të krishterët u kthyen ngadalë në shtëpitë e tyre të enjten, vetëm për të parë shkatërrimin e të paktën një kishe që u dogj. Janë dëmtuar edhe katër kisha të tjera, ndërsa dy duzina shtëpish u dogjën ose u dëmtuan rëndë gjatë trazirave.

“Ne ishim në shtëpi kur papritmas dëgjuam se një turmë po vinte duke djegur shtëpi dhe sulmuar kisha”, tha Shazia Amjad, ndërsa qante jashtë shtëpisë së saj, e cila u dogj të mërkurën.

Të krishterët ngushëllonin të enjten njëri-tjetrin jashtë shtëpive të dëmtuara, ndërsa shumë gra qanin për shkatërrimin. Ata që mbeten pa shtëpi, nuk e kishin idenë se ku të shkonin apo çfarë do të bënin tani.

Të mërkurën, Khalid Mukhtar, një prift lokal, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se shumica e të krishterëve që jetonin në zonë kishin ikur në vende më të sigurta. “Edhe shtëpia ime është djegur”, tha ai, i bindur se shumica e 17 kishave në Jaranëala ishin sulmuar. Delegacione të klerikëve myslimanë arritën në Jaranwala për të ndihmuar në qetësimin e situatës, ndërsa trupat dhe policia patrullonin zonën.

Autoritetet lokale mbyllën shkollat dhe zyrat si dhe ndaluan tubimet për një javë për të parandaluar dhunën e mëtejme. Dhuna nxiti dënimin mbarëkombëtar, ndërsa kryeministri në detyrë Anwaarul-ul-Haq Kakar urdhëroi policinë të arrestojë nxitësit e trazirave.

Të enjten, Rizwan Khan, shefi rajonal i policisë, tha se 129 të dyshuar janë arrestuar dhe situata është nën kontroll.

Dhuna shpërtheu pasi disa myslimanë që jetojnë në zonë pretenduan se kishin parë një të krishterë vendas, Raja Amir dhe mikun e tij duke grisur faqe nga një Kuran, duke i hedhur ato përtokë dhe duke shkruar komente fyese në faqe të tjera.

Policia thotë se po përpiqet të arrestojë Amirin për të përcaktuar nëse ai e ka përdhosur librin e shenjtë. Sipas shefit të policisë Khan, turma u mblodh shpejt dhe filloi të sulmonte kishat dhe disa shtëpi të krishtera.

Dhuna u dënua nga grupe të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Amnesty International bëri thirrje për shfuqizimin e ligjeve të vendit për blasfeminë.

Sipas ligjeve për blasfeminë, kushdo që shpallet fajtor për fyerje të Islamit ose personaliteteve fetare islame, mund të dënohet me vdekje. Ndërsa autoritetet ende nuk kanë ekzekutuar një dënim me vdekje për blasfemi, shpesh vetëm akuza mund të shkaktojë trazira dhe të nxisë turmat në dhunë, linçim dhe vrasje.

Grupet vendase dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut thonë se akuzat për blasfemi janë përdorur shpesh për të frikësuar pakicat fetare në Pakistan dhe për të qëruar hesapet personale./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat