Mijëra qytetarë të Haitit largohen nga një lagje që u pushtua nga bandat kriminale

Bota

Mijëra qytetarë të Haitit largohen nga një lagje që u pushtua nga bandat kriminale

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 23:52
Foto ilustrim

Mijëra banorë të Haitit janë larguar në këmbë, makina ose me motoçikleta nga një lagje e pushtuar nga bandat e shtetit në distriktin Port-au-Prince.

Elie Derisca, një banor i distriktit Carrefour Feuilles në Port-au-Prince jugore, tha se ata janë duke jetuar në një situatë jashtëzakonisht të vështirë.

“Unë as nuk e di ku të shkoj. Më duhej të ikja nga shtëpia ime”, tha Derisca për AFP.

Të paktën 3,120 njerëz janë larguar nga distrikti, sipas një vlerësimi të Departamentit të Mbrojtjes Civile të Haitit, zyrtarët thonë ka gjasa që të largohen më shumë njerëz në vazhdim.

Lagjja sulmohet rregullisht nga një bandë e drejtuar nga Renel Destina, i njohur me pseudonimin e tij Ti Lapli, i cili kërkohet nga autoritetet amerikane për rrëmbimin e shtetasve amerikanë.

“Policët që jetojnë në zonë nuk kanë më mjete për të na mbrojtur. Si rezultat, banditët mundën të pushtonin shtëpitë tona”, shtoi Derisca.

Ai gjithashtu tha se kriminelët plaçkitën dhe vunë flakën, shtëpive në lagje dhe shkaktuan disa vdekje.

Autoritetet e Haitit thanë se ishin djegur shtëpi të zonën dhe se kishte shumë të vdekur, por nuk dhanë detaje me shifra.

Kaosi ishte i dukshëm në rrugët e Carrefour-Feuilles të martën. Disa banorë mbanin valixhet e tyre në kokë, ndërsa të tjerë vendosnin dyshekë dhe mobilje mbi makinat e tyre.

Të tjerë kërkuan strehim, në sheshet publike dhe brenda shkollave në lagje më të sigurta, sipas imazheve të postuara në rrjete sociale.

Të hënën, banorët në lagjen e rrethuar demonstruan kundër krizës së sigurisë dhe Policia Kombëtare e Haitit ndërhyri për të rivendosur rendin në zonë.

Në një deklaratë, policia u zotua të kundërshtojë bandat, por kjo u ofroi pak siguri vendasve që vazhduan të largoheshin nga rrethi të martën.

Haiti është zhytur prej vitesh në kriza të ndërthurura ekonomike, të sigurisë dhe politike.

Vrasja e Presidentit Jovenel Moise në vitin 2021 e ka përkeqësuar në mënyrë dramatike situatën, me bandat që po marrin një kontroll gjithnjë e më të fortë.

Bandat kriminale tani kontrollojnë rreth 80 për qind të Port-au-Prince dhe rrëmbimet, përdhunimet, grabitjet dhe vrasja janë bërë një kërcënim i përditshëm, raporton AFP

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat