Forumi i APEC-ut, diskutime mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndetin e grave

Bota

Forumi i APEC-ut, diskutime mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndetin e grave

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 17:53
Foto ilustrim

Megjithë disa përparime pas pandemisë, do të duhen mbi 130 vjet që të mbylljet hendeku i pabarazisë gjinore në qasjen ndaj burimeve ekonomike në rang botëror, sipas një zyrtari të forumit të APEC-ut.

Pjesëmarrësit në Forumin mbi Bashkëpunimin Ekonomik mes Grave në vendet e Azi-Paqësorit, në qytetin e Sietëllit ngritën gjithashtu shqetësime për ndikimin joproporcional të ndryshimeve klimatike tek vajzat.

Vendet pjesëmarrëse në Forumin mbi Bashkëpunimin Ekonomik në Azi-Paqësor, që njihet si APEC, janë angazhuar publikisht dhe kanë ndërmarrë nisma të shumta të përbashkëta për të luftuar pabarazinë gjinore. Megjithatë, statistikat që u diskutuan këtë fundjavë, në Forumin Gratë dhe Ekonomia, në Sietëll, nxjerrin në pah se ka ende shumë punë për t’u bërë.

“Do të duhen mbi 130 vjet për të mbyllur hendekun e pabarazisë gjinore në rang botëror në qasjen ndaj burimeve ekonomike. Jemi 300 vjet larg barazisë gjinore. Por gjithashtu, mbyllja e hendekut global gjinor në pjesëmarrjen ekonomike do ta rriste me deri 28 trilionë dollarë prodhimin e Brendshëm Bruto në shkallë globale, ose gati 17 trilionë dollarë për vendet e Azi- Paqësorit. Unë nuk kam edhe 300 vjet kohë, as 130. Po më humbet durimi", thotë Chantelle Stratford,.

Zonja Stratford, e cila udhëheq Politikat e Partneritetit për Gratë në Forumin e APEC-ut, paralajmëroi se arritjet në barazinë gjinore janë të brishta dhe nuk mund të merren si të mirëqena. Një nga temat kryesore në diskutimet e forumit, ishte përfshirja digjitale, me përfitimet dhe rreziqet e saj.

“Kam folur me shumë gra, mjafon pyetja e thjeshtë se me cilat sfida përballen në fushën e tyre. Dhe në mënyrë të pashmangshme, do të dëgjoje sfida si ngacmimi, i lehtësuar nga teknologjia si dhe abuzimi seksual në internet. Vërtet shqetësuese. Bazuar në pozitën time, si ambasadore për çështjet e grave në nivel global, në Departametin e Shtetit në Shtetet e Bashkuara, dua të bëj bashkë ekspertë të teknologjisë për të gjetur rrugët që forcojnë sigurinë e grave, sepse teknologjia është një mjet që mund t’u ofrojë grave mundësi të mëdha”, thotë Dr. Geeta Rao Gupta , Ambasadore e SHBA për Çështjet e Grave në nivel botëror

Një tjetër çështje që u ngrit në forum ishin ndryshimet klimatike dhe ndikimi jo porpocional mbi gratë.

“Po shohim të dhëna që tregojnë se gjatë dekadave të ardhshme, 25 milionë deri në 1 miliard njerëz do të zhvendosen. Tani, çfarë do të thotë kjo për gratë e reja? Ne e dimë se pas katastrofave klimatike, shkalla e dhunës ndaj grave rritet, rritet shkalla e abortit të pasigurt dhe e shtatzënisë së paplanifikuar. Ne vlerësojmë se gjatë 20 viteve të ardhshme 14 milionë gra do të humbasin qasjen ndaj kontraceptivëve. Kështu që ne mendojmë për këtë, për gratë që do të zhvendosen dhe si mund të mbështesim kujdesin e tyre shëndetësor” , thotë Rebecca Hope, drejtore ekzekutive e organizatës YLabs

YLabs është një organizatë globale kërkimi që punon për të përmirësuar shëndetin dhe mundësitë ekonomike për të rinjtë. Drejtorja ekzekutive e organizatës i tha Zërit të Amerikës se sheh potencial në përdorimin e teknologjisë për të mbështetur qëndrueshmërinë klimatike.

“Tek të rinjtë, opsione si qasja digjitale tek edukata seksuale, tek porositja e kontraceptivëve, shëndeti mendor, ndikohen rëndë nga fatkeqësitë klimatike dhe ndryshimet klimatike. Kështu që unë mendoj se ka mundësi për qasje të reja ndaj kujdesit shëndetësor, që të jemi në gjendje t'u ofrojmë të rinjve më shumë opsione në mënyrën se si të kenë qasje në kujdesin shëndetësor. Nuk është një zëvendësim për shërbimet tradicionale shëndetësore dhe punonjësit shëndetësor, por mendoj se është një mjet tjetër në gamën e mjeteve mbështetëse", thotë zonja Hope.

Ndërsa ndajnë shumë shqetësime të ngjashme, jo të gjitha vendet janë në të njëjtën linjë sa i përket zgjidhjeve, ose të gatshme për t'i zbatuar ato me të njëjtin ritëm. Ndonjëherë, ajo që duhet është vazhdimi i dialogut./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat