Presidenti i Indonezisë i bën thirrje SHBA-së, Kinës dhe Rusisë të zbusin rivalitetin

Bota

Presidenti i Indonezisë i bën thirrje SHBA-së, Kinës dhe Rusisë të zbusin rivalitetin

Më: 8 shtator 2023 Në ora: 15:43
Foto ilustrim

Në një kohë rivaliteti të shtuar gjeopolitik ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë, Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo u bëri një thirrje të fuqishme udhëheqësve të zbusin tensionet dhe të shmangin konflikti në Azinë juglindore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara sjell hollësi nga Xhakarta.

Në takimin e shteteve të Azisë Lindore, Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo nënvizoi nevojën për stabilitet në rajon, në shërbim të përparimit dhe paqes.

“Ju lutem të gjithë udhëheqësve të shteteve të Azisë Lindore që ta shndërrojnë këtë forum në një vend ku fuqizohet bashkëpunimi, në vend që të thellohen rivalitetet,” thotë Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo.

Takimi mbledh Asociacionin e shteteve të Azisë juglindore, të njohur si ASEAN, dhe tetë partnerët e tyre.

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë vendosën të mos marrin pjesë në takim dhe dërguan përfaqësuesit e tyre – nënpresidenten Kamala Harris, kryeministrin Li Qiang dhe ministrin e jashtëm Sergey Lavrov, raporton VOA.

Zonja Harris dhe zoti Li mbajtën takime të veçanta me ASEAN-in, duke nënvizuar forcën e marrëdhënieve të vendeve të tyre me ato aziatike.

“Shtetet e Bashkuara kanë një përkushtim të qëndrueshëm ndaj Azisë Juglindore dhe tërë rajonit të Indo-Paqësorit,” thotë zonja Harris.

“Gjatë 10 viteve të fundit, Kina dhe ASEAN-i kanë ecur përpara bashkarisht dhe kanë kontribuar tek suksesi i njëri-tjetrit,” thotë Kryeministri i Kinës, Li Qiang.

Udhëheqësit e takimit janë përqëndruar në ndikimin global të luftës në Ukrainë, programit bërthamor të Koresë së Veriut, rritjen e agresivitetit të Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe krizës në Mianmar.

“Konflikti po shton pabarazitë ekzistuese dhe dobësitë me të cilat përballen gratë dhe vajzat, përfshirë dhunën seksuale, martesat e detyrueshme dhe trafikimin e qenieve njerëzore,” deklaron Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Takimi përmbylli vizitën tre ditëshe të zonjës Harris në Xhakartë. Ajo është kthyer në Uashington, ndërkohë që Presidenti Biden do të marrë pjesë në takimin e G20-ës në New Delhi të Indisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat