LIVE: “Përgatitje për luftë të gjatë”, diskutimet mes Kim dhe Putinit - Këto vende mbyllin kufijtë për veturat ruse

Bota

LIVE: “Përgatitje për luftë të gjatë”, diskutimet mes Kim dhe Putinit - Këto vende mbyllin kufijtë për veturat ruse

Nga: BOTA SOT Më: 13 shtator 2023 Në ora: 06:32 Përditësuar në ora: 20:15 më 13.09.2023
Takimi mes dy liderëve

Bisedimet me Kim tregojnë se Putini po përgatitet për një luftë të gjatë

Është e qartë se Rusia ka nevojë për municione të Koresë së Veriut, thotë korrespondentja e Moskës, Diana Magnay.

Duke parë takimin ballë për ballë mes dy liderëve sot, Magnay vë në dukje se "askush nuk shkon në kozmodromin Vostochny ose në vendet ushtarake ruse këto ditë", përcjell Bota sot.

"I vetmi lider tjetër i huaj që mund të mendoj që ka shkuar ndonjëherë në atë kozmodrom, i cili ka qenë i hapur vetëm që nga viti 2016, ishte Alexander Lukashenko në prill të vitit të kaluar. Tani kemi Kim Jong Un këtë vit.

"Kjo është Bjellorusia dhe Koreja e Veriut, që është pak a shumë shuma e miqve të Putinit."

I pyetur nëse Putin po përgatitet për një luftë të gjatë, Magnay shton: "Unë mendoj se po, po.

“Fokusi i tij është i mprehtë në luftën në Ukrainë dhe nuk ka rëndësi se kë fuqizon ai për të marrë më shumë për luftën e tij.

"Unë mendoj se ai e di se do të jetë një luftë e gjatë. Unë mendoj se populli rus e ka pranuar se do të jetë një luftë e gjatë."

Vendet baltike mbyllën kufijtë e tyre për të gjitha veturat me targa ruse

Estonia, Letonia dhe Lituania kanë mbyllur kufijtë për të gjitha veturat e regjistruara në Rusi, është bërë e ditur sot nga komunikata zyrtare për shtyp e qeverisë në Talin.

Në përputhje me udhëzimet e Komisionit Evropian, që nga mëngjesi i sotëm, askush nuk mund të hyjë në Estoni me një veturë me targa ruse, njoftoi ministria e Brendshme.

Të tre shtetet baltike po zbatojnë të njëjtat rregulla si një masë kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Veturat me targa ruse nuk mund të kalojnë kufijtë e jashtëm të tre vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së, dhe nëse nuk kthehen nga kanë ardhur, ato mund të konfiskohen.

Ka përjashtime nga rregulli, si në rastin e tranzitit në qytetin rus të Kaliningradit. Përjashtohen gjithashtu veturat që i përkasin misioneve diplomatike dhe konsullore.

Veturat me targa ruse mund të largohen nga vendet baltike dhe të kalojnë kufirin e jashtëm të BE-së, nëse përdoren ekskluzivisht si mjet transporti.

Më 8 shtator, Komisioni Evropian sqaroi se, si pjesë e sanksioneve evropiane kundër Rusisë, automjetet e regjistruara në Rusi nuk mund të hyjnë më në territorin e BE-së, qoftë për qëllime private apo komerciale.

E konfirmon Rumania: Gjetëm pjesë të fluturakes pas sulmit rus pranë kufirit

Në territorin e Rumanisë, anëtare e NATO-s, janë gjetur pjesë të një fluturake pa pilot, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes pas sulmeve me dron rus në Izmail në jug të Ukrainës, pikërisht përtej kufirit.

Sulmet në portet e Ukrainës, vetëm disa qindra metra larg kufirit rumun, kanë rritur rreziqet e sigurisë për NATO-n, anëtarët e së cilës kanë një detyrim të ndërsjellë të mbrojtjes.

Nëse konfirmohet, do të jetë hera e tretë që fragmente të tilla gjenden në territorin rumun në ditët e fundit.

“Ekuipazhi i helikopterit IAR 330 Puma i Forcave Ajrore rumune … (identifikoi) fragmente, ndoshta me origjinë nga një mjet ajror pa pilot, të shpërndara në një zonë prej disa dhjetëra metrash”, tha ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

Fragmentet thuhet se janë parë në zonën e qyteteve Nufarul dhe Victoria, në qarkun e Tulcea.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se shërbimet e urgjencës kanë marrë telefonata për raste të mundshme të rënies së dronëve në zonë.

Ata thanë se do të japin detaje të mëtejshme pasi ekipet e tyre të kishin përfunduar hetimin në terren.

Britani, arrestimi i spiunëve të dyshuar nxit thirrjet që Kina të shpallet si “kërcënim”

Qeveria britanike ka refuzuar thirrjet për të shpallur zyrtarisht Kinën si kërcënim për interesat e saj. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, disa ligjvënës kanë bërë thirrje për një qëndrim më të ashpër, pasi u zbulua se një studiues në Parlamentin Britanik, u arrestua nën dyshimet se kishte spiunuar për Pekinin.

Policia britanike arrestoi dy persona në mars, nën dyshimet për spiunazh për Kinën. Arrestimet dolën në dritë vetëm këtë javë, kur gazeta “Sunday Times” njoftoi se një nga të dyshuarit ishte studiues në parlamentin britanik me lidhje me disa anëtarë të rëndësishëm të Partisë Konservatore në pushtet.

Në një deklaratë të publikuar në internet, studiuesi, të cilin Zëri i Amerikës ka vendosur të mos e identifikojë, tha se ishte i pafajshëm dhe pretendoi se përgjatë karrierës së tij “ishte përpjekur të edukonte të tjerët për sfidën dhe kërcënimet e paraqitura nga Partia Komuniste e Kinës”.

Kryeministri britanik Rishi Sunak e diskutoi këtë çështje me kryeministrin kinez Li Qiang në takimin e fundit të Grupit të 20 vendeve më të pasura në botë, në Indi. Zoti Sunak u tha ligjvënësve të martën se do të mbronte demokracinë britanike.

“Isha këmbëngulës me Kryeministrin Li se veprimet që synojnë të minojnë demokracinë britanike janë krejtësisht të papranueshme dhe nuk do të tolerohen kurrë”, tha kryeministri britanik, Rishi Sunak.

Kina tha se akuzat për spiunazh janë një trillim.

“Ne i bëjmë thirrje Mbretërisë së Bashkuar të ndalojë përhapjen e informacionit të rremë dhe të ndalojë manipulimin politik dhe shpifjet e saj kundër Kinës”, tha Mao Ning, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Kritikët thonë se Britania duhet të mbajë qëndrim më të ashpër. Finn Lau është aktivist pro-demokracisë nga Hong Kongu, i cili tani jeton në mërgim në Londër, pas shtypjes së protestave nga Kina më 2019.

“Ka një lloj mungese të qasjes së qëndrueshme, apo edhe të një politike për Kinën momentalisht, veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, ose kërcënimet nga jashtë”, thotë zoti Lau.

Kësaj pikëpamjeje i është bërë jehonë edhe nga disa ligjvënës britanikë.

Ish-kryeministrja Liz Truss është një nga anëtarët e Partisë Konservatore, që i bën thirrje qeverisë ta shpallë Kinën zyrtarisht si kërcënim për Britaninë.

Por duke folur gjatë një vizite në një fabrikë makinash të hënën, Sekretarja Britanike e Biznesit, Kemi Badenoch e hodhi poshtë këtë kërkesë.

“Ne nuk mund ta shpallim Kinën si armike. Ata janë partneri ynë i katërt tregtar më i madh. Ka shumë biznese, veçanërisht ky ku jam tani, që janë të integruara me ekonominë kineze. Shumë vende pune varen nga ajo”, thotë zonja Badenoch.

Zoti Lau thotë se mbështetja tek Kina është e mbivlerësuar.

“Kina përbën vetëm 6.1 për qind të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë në Mbretërinë e Bashkuar. Ne duhet sa më shpejtë të përqëndrohemi në krijimin e mundësive tjera për marrëdhëniet tona tregtare”, thotë zoti Lau.

Ndërkohë, që të dy të dyshuarit e arrestuar në muajin mars janë liruar me kusht. Hetimet e policisë po vazhdojnë./VOA

Putin gjatë takimit me Kimin bëri lëvizje të pakontrolluara me këmbën e majtë

Presidenti rus Vladimir Putin sërish ishte në qendër të vëmendjes, për shkak të lëvizjeve të tij të çuditshme që i bën gjatë paraqitjeve.

Kësaj radhe derisa po bisedonte me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, të cilin e priti në Rusi si mysafir dhe që besohet se kanë diskutuar për shitjen e armëve, që do të përdoreshin për luftë në Ukrainë.

Ai gjatë qëndrimit të tij në karrige, vazhdimisht lëvizte në mënyrë të pakontrolluar këmbën e majtë, duke nxitur dyshime se gjendja e tij shëndetësore është e rënduar.

Në anën tjetër ky takim nga Shtetet e Bashkuara nuk është mirëpritur, duke paralajmëruar Korenë e Veriut se nëse dakordohet t’i shet armë Rusisë, duke ballafaqohet me sanksione.

Takimi i Putinit me Kimin është një dëshmi tjetër se Rusia ka pësuar humbje të mëdha në luftën në Ukrainë, dhe se i janë shteruar depot e municionit dhe tani po kërkon ndihmë nga Koreja e Veriut, vendit më të izoluar në botë.

 

Kimi i premton Putinit mbështetje të plotë për “luftën e shenjtë” të Rusisë

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i tha të mërkurën presidentit rus, Vladimir Putin, se vendi i tij “e mbështet plotësisht dhe pa kushte luftën e shenjtë” të Rusisë, për mbrojtjen e interesave të sigurisë së vet, duke iu referuar luftës në Ukrainë.

“Peniani do të qëndrojë gjithmonë pranë Moskës në fronin anti-imperialist”, tha Kim në Rusi më 13 shtator.

Kimi, po ashtu, i quajtur marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Rusisë “prioritet i parë”.

Dy liderët u takuan në objektin e largët raketahedhës në Siberi, për të biseduar sesi interesat e tyre janë të përbashkëta përballë konfrontimeve të rritura dhe të ndara të vendeve të tyre me Shtetet e Bashkuara.

Në fjalimin e tij hapës, Putini i uroi mirëseardhje në Rusi Kimit dhe shprehu gëzimin që e takoi. Në mesin e çështjeve të diskutuara, Putini i përmendi bashkëpunimin ekonomik, çështjet humanitare dhe “situatën në rajon”.

Takimi mes dy liderëve nisi në kozmodromin Vostochny, me një shëtitje rreth objektit raketahedhës të hapësirës, Soyuz-2, ku Kimi i bëri shumë pyetje rreth raketave një zyrtari rus të hapësirës.

Takimi ndodhi pak orë pasi Koreja e Veriut i lëshoi dy raketa balistike drejt detit, duke e vazhduar testimin provokator të armëve që nga fillimi i vitit 2022, pasi Kimi e përdori shpërqendrimin nga lufta e Putinit në Ukrainë për ta përshpejtuar zhvillimin e armëve.

Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut nuk tregoi menjëherë se sa larg fluturuan raketat e Koresë së Veriut. Roja Bregdetare e Japonisë tha se raketat më gjasë kanë zbarkuar tashmë, por u bëri thirrje anijeve vëzhguese të shikojnë me kujdes për rënien e ndonjë objekti.

Vendimi për t’u takuar në kozmodrom, objektin më të rëndësishëm të Rusisë për lëshimin e satelitëve, lë të kuptohet se Kimi është duke kërkuar nga Rusia ndihmë teknike për të zhvilluar satelitë ushtarakë të zbulimit, të cilët i ka përshkruar si vendimtarë në rritjen e kërcënimit të tij me raketa bërthamore. Në muajt e fundit, Koreja e Veriut ka dështuar vazhdimisht ta dërgojë në orbitë satelitin e vet të parë spiun.

I pyetur nëse Rusia do ta ndihmojë Korenë e Veriut të ndërtojë satelitë, Putini tha, sipas mediave ruse, se “prandaj ne kemi ardhur këtu. Lideri i DPRK-së (Koresë së Veriut) ka shfaqur interesim të madh në teknologjinë e raketave. Edhe ata po përpiqen ta zhvillojnë hapësirën”.

Ne do të bisedojmë për këto çështje pa nxitim. Kemi kohë”, theksoi Putini.

Putini e mirëpriti limuzinën e Kimit, e cila u soll nga Peniani në trenin e veçantë të blinduar të liderit verikorean, në hyrje të kozmodromit.

Ai tha se ndihej “shumë i gëzuar” që e takoi Kimin. Përkthyesi i Kimit e falënderoi Putinin për mikpritjen e ngrohtë, “edhe pse i zënë”.

Për Putinin, takimi ishte një mundësi t’i rimbushur depot e municionit ta cilat i ka shterur lufta 18-mujore. Koreja e Veriut mund t’i ketë dhjetëra miliona raketa dhe predha të vjetruara bazuar në dizajnin sovjetik, të cilat mund ta forcojnë dukshëm ushtrinë ruse në Ukrainë, thonë analistët.

Kimi e mori me vete në Rusi Jo Chung Ryong, një zyrtar të partisë në pushtet i cili është përgjegjës për politikat e municionit.

Kimi tha se vendimi i tij për ta vizituar Rusinë katër vjet pas vizitës së fundit, tregoi se Peniani po e bën “prioritet rëndësinë strategjike” të marrëdhënieve me Moskën, tha të mërkurën agjencia e lajmeve shtetërore e Koresë së Veriut.

Kimi pritet të kërkojë ndihmë ekonomike dhe të teknologjisë ushtarake.

Marrëveshja për armë do të ishte në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare që Rusia i ka përkrahur në të kaluarën.

Lim Soo-suk, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut, tha se Seuli po mban komunikim me Moskën, derisa po e vëzhgon nga afër vizitën e Kimit.

Asnjë shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara nuk duhet t’i shkelë sanksionet e Këshillit të Sigurimit ndaj Koresë së Veriut, duke u përfshirë në një shkëmbim të jashtëligjshëm të armëve, dhe natyrisht nuk duhet të angazhohet në bashkëpunim ushtarak me Korenë e Veriut, e cila minon paqen dhe stabilitetin e komunitetit ndërkombëtar”, tha Lim.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Korenë e Veriut se po i jep armë Rusisë, përfshirë shitjen e predhave të artilerisë grupit mercenar rus, Wagner.

Zyrtarët rusë dhe verikoreanë i kanë mohuar këto akuza.

Thashethemet për bashkëpunim ushtarak u rritën pasi Sergei Shoigu, ministri i Mbrojtjes i Rusisë, e vizitoi Korenë e Veriut në korrik.

BE heq sanksionet ndaj tre oligarkëve rusë

Bashkimi Evropian nuk do të zgjasë sanksionet e vendosura ndaj tre biznesmenëve rusë për luftën e Rusisë në Ukrainë, të cilat skadojnë më vonë këtë javë, thanë të martën për Reuters tre burime diplomatike.

Qeveritë perëndimore kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ekonomike ndaj Moskës, duke përfshirë ndalimin e importeve të naftës, për pushtimin e saj në Ukrainë në shkurt 2022. Tre biznesmenët rusë janë Grigory Berezhkin, miliarderi Farhad Akhmedov dhe ish-kreu i kompanisë elektronike online Ozon Alexander Shulgin.

BE-së i duhet unanimiteti midis 27 vendeve anëtare për të vendosur sanksione, të cilat rinovohen çdo gjashtë muaj. Seti tjetër i sanksioneve skadon më 15 shtator.

Deri më tani, rreth 1600 individë dhe më shumë se 200 subjekte janë në listën e sanksioneve të BE-së, e cila daton që nga viti 2014, kur Rusia pushtoi rajonin e Krimesë nga Ukraina.

Akhmedov është aktiv në sektorin e naftës dhe gazit të Rusisë, ndërsa Berezkin, i cili është pjesë e rrethit të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin, është aktiv në një sërë sektorësh, duke përfshirë median, infrastrukturën dhe energjinë, sipas listës zyrtare të sanksioneve të BE-së.

Farhad Akhmedov, siç raportohet nga BBC rus, i cili renditet i 99-ti në listën e miliarderëve rusë të Forbes, ishte në qendër të një skandali në mars të këtij viti kur një bisedë e regjistruar që besohet se ishte mes tij dhe producentit Joseph Prigozhin u zbulua në Internet. Në bisedën e tyre, të dy bashkëbiseduesit kritikuan ashpër udhëheqjen ruse për luftën që Rusia i shpalli Ukrainës, e cila çoi në izolimin e Rusisë nga pjesa tjetër e botës.

Këshilli i BE-së vendosi sanksione ndaj Shulgin më 8 prill 2022 me arsyetimin se ai ishte një “biznesmen me ndikim” i cili mori pjesë në një takim me Vladimir Putin në ditën kur Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë.

Në fillim të shtatorit u bë e ditur se Gjykata Evropiane vendosi të heqë sanksionet ndaj Alexander Shulgin. Kjo ishte hera e parë që një gjykatë evropiane merrte një vendim të tillë për një biznesmen rus.

Komisioneri i BE-së për bujqësinë kërkon zgjatjen e ndalimit të importit të grurit në Ukrainë

Komisioneri i BE-së për bujqësinë ka thënë se ai beson se Komisioni Evropian duhet të zgjasë një ndalim të përkohshëm për importet e Ukrainës në pesë shtete fqinje të BE-së pasi masa ndihmoi në rritjen e eksporteve jashtë bllokut.

“Masat parandaluese ishin efektive, efikase dhe stabilizuan tregjet në pesë shtetet anëtare dhe gjithashtu ndihmuan në rritjen e eksporteve përmes Korsive të Solidaritetit”, tha komisioneri i Bujqësisë Janusz Wojciechowski në Parlamentin Evropian, shkruan Al Jazeera.

Ky është argumenti kryesor për zgjatjen e masave parandaluese që është qëndrimi im i fortë”, shtoi ai.

Si rezultat, fermerët në shtetet fqinje – Polonia, Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Sllovakia – janë përballur me konkurrencë në rritje dhe pengesa në tregjet e tyre.

Rrëzimi i avionit ushtarak rus, nuk raportohet për viktima

Një bombardues rus i vijës së parë, Su-24 është rrëzuar në rajonin jugor të Volgogradit gjatë një fluturimi stërvitor, raporton agjencia e lajmeve TASS, duke cituar ministrinë e Mbrojtjes.

Sipas ministrisë, avioni po fluturonte pa municion dhe u rrëzua në një zonë të shkretë.

Nuk ka detaje të mëtejshme në lidhje me aksidentin, por një zëdhënës i autoriteteve lokale tha se nuk kishte viktima.

Helikopterët Mi-8 janë dërguar në vendngjarje.

Zelensky: Bota nuk është e bashkuar për të kundërshtuar Rusinë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se bota nuk është ende e bashkuar për të kundërshtuar mizoritë e luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë.

“Rusia dëshiron që një politikë gjenocidi të bëhet normalitet” tha Zelenskyy në një fjalim me video drejtuar studentëve holandezë në Hagë, sipas agjencisë së lajmeve ANP.

Ata duan që gjenocidi të bëhet diçka që luan në sfond”, tha udhëheqësi ukrainas, duke iu referuar Rusisë.

Ata duan të ngrijnë luftën dhe t’i kthejnë skenat tronditëse në diçka të zakonshme.”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat