Ligjvënësit amerikanë i kërkojnë Shtëpisë së Bardhë të përshpejtojë dërgesat ushtarake në Tajvan

Bota

Ligjvënësit amerikanë i kërkojnë Shtëpisë së Bardhë të përshpejtojë dërgesat ushtarake në Tajvan

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Ligjvënësit amerikanë këtë javë i kërkuan Shtëpisë së Bardhë të përshpejtojë dërgimin e pajisjeve ushtarake të blera nga Tajvani, që arrijnë një vlerë prej afro 19 miliardë dollarësh. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson ata e arsyetojnë kërkesën me frikën se Kina mund të pushtojë ishullin.

Ushtria e Indonezisë fillon të martën stërvitjet detare pesëditore me vendet e tjera të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore, ASEAN në Detin e Kinës Jugore...ndërsa Kina vazhdon agresionin e saj rajonal.

“Ka pjesë territori në Japoni, Filipine, Vietnam, Indonezi, Indi dhe dikush më tha edhe Rusi – që Kina pretendon se duhen të jetë pjesë e saj. Nëse ata mendojnë se me kërcënim apo dhunë mund të futen në Tajvan, ky nuk është vendi i fundit ku ata do të përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë”, thotë Adam Smith, përfaqësuesi më i lartë i Demokratëve në Komisionin e Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning reagoi për stërvitjet.

“Ne kemi një qëndrim të qartë dhe të qëndrueshëm për Detin e Kinës Jugore”, thotë zonja Mao.

Ligjvënësit amerikanë shprehën shqetësimin se Shtetet e Bashkuara ende nuk i kanë dorëzuar pajisjet ushtarake të blera nga Tajvani në vlerë prej gati 19 miliardë dollarësh.

Kryetari i një Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Kinën, Mike Gallagher i tha Zërit të Amerikës që ndonëse Kongresi po pengohet nga sfidat logjistike, industria e mbrojtjes duhet të veprojë më shpejt për të transferuar pajisjet ushtarake në Tajvan.

“Ne ende nuk kemi miratuar një plan shumëvjeçar për buxhetin që është i nevojshëm për të rimbushur rezervat tona. Ne jemi shumë të ekspozuar dhe duhet të punojmë në këtë fushë. Ky është një nga mësimet e luftës në Ukrainë dhe ne ende nuk e kemi kuptuar këtë”, thotë z. Gallagher.

Disa ligjvënës republikanë argumentojnë se administrata e Presidentit Biden nuk ka qenë mjaft e fortë në politikën e saj për Tajvanin dhe se programi i shitjeve ushtarake për të nuk funksionon.

Një zyrtare e qeverisë amerikane nuk është dakord.

“Vitin e kaluar ne autorizuam shifrën më të madhe për shitjet ushtarake në Tajvan në të paktën 30 vjet. Në këtë administratë, ne kemi autorizuar gati 6 miliardë dollarë shitje armësh për Tajvanin”, thotë Mira Resnick zyrtare për siguri rajonale në Departamentin amerikan të Shtetit.

Por zonja Resnick e pranoi se kontraktorët e mbrojtjes duhet të përshpejtojnë prodhimet.

“Ne duhet të punojmë me industrinë për të rritur efikasitetin në proceset e tyre, të punojmë me industrinë për t'u siguruar që ata po hapin linja prodhimi këtu dhe jashtë vendit për t'u siguruar që do jemi në gjendje të dorëzojmë blerjet në kohë”, thotë zonja Resnick.

Sipas Ligjit për Marrëdhëniet me Tajvanin, Shtetet e Bashkuara duhet të sigurojnë që Tajvani të jetë në gjendje të mbrohet.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes siguruan ligjvënësit se Amerika mbështet politikën e saj të “një Kine”, e cila e pranon por nuk e miraton pikëpamjen e Pekinit se ushtron sovranitet mbi Tajvanin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat