Rusia shënon përvjetorin e aneksimit të rajoneve ukrainase, Putin: Kjo është ngjarje historike, ne jemi një komb

Bota

Rusia shënon përvjetorin e aneksimit të rajoneve ukrainase, Putin: Kjo është ngjarje historike, ne jemi një komb

Më: 30 shtator 2023 Në ora: 12:46
Vladimir Putin

Në përvjetorin e parë të aneksimit nga Rusia të katër rajoneve ukrainase Kherson, Zaporizhzhia, Donetsk dhe Luhansk, presidenti rus, Vladimir Putin premtoi të rindërtojë rajonet e shkatërruara nga lufta.

“Shkollat, spitalet, ndërtesat e banimit dhe rrugët, muzetë dhe monumentet do të rindërtohen”, tha ai në një video-mesazh të lëshuar nga Kremlini.

Të gjitha rajonet ruse do të ofrojnë “ndihmën e tyre vëllazërore” në përpjekjet e rindërtimit, shtoi ai.

Putin, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare dhe pas referendumeve që u përqeshën nga bota demokratike, nënshkroi marrëveshje me liderët okupues të katër rajoneve më 30 shtator të vitit 2022 për t’u bërë pjesë e Federatës Ruse.

Ukraina vazhdon kundërsulmin me shpresën për të çliruar territoret nga pushtimi rus.

Presidenti rus e quajti aneksimin e territorit, i cili nuk u njoh nga asnjë vend tjetër në botë, “një ngjarje historike”.

Ai falënderoi qytetarët e territoreve, vendosmëria e të cilëve e bëri Rusinë edhe më të fortë, “ne jemi një komb. Dhe së bashku kapërcejmë gjithçka, gjejmë përgjigje për të gjitha sfidat”.

Edhe pas më shumë se një viti e gjysmë lufte, Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet e aneksuara. Ukraina gjithashtu arriti të kthejë pjesë të pushtuara të territorit gjatë luftimeve me muaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat