Libi, shtyhet konferenca për rindërtimin e qytetit Derna

Bota

Libi, shtyhet konferenca për rindërtimin e qytetit Derna

Më: 1 tetor 2023 Në ora: 14:31
Foto ilustrim

Autoritetet në Libinë lindore njoftuan sot shtyrjen për në fillim të nëntorit të një konference “ndërkombëtare” për rindërtimin e qytetit Derna, i cili u shkatërrua nga përmbytjet vdekjeprurëse të 10 shtatorit.

Konferenca, e planifikuar fillimisht të mbahej më 10 tetor, është shtyrë për në 1 dhe 2 nëntor për arsye “logjistike” dhe “me qëllim që t’u jepet koha e nevojshme kompanive dhe firmave konsulente për të përgatitur planet e tyre”, thuhet në një deklaratë nga Komiteti përgatitor.

Shtyrja e konferencës u vendos me kërkesë të kryetarëve të komuniteteve të prekura dhe kompanive që shprehën interes për të marrë pjesë, sqaroi Saqr al-Jibani, kreu i këtij komiteti.

Ndonëse nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar, qeveria me seli në pjesën lindore të vendit kishte ftuar fillimisht të gjithë “komunitetin ndërkombëtar” për të marrë pjesë në konferencë.

Ajo dukej se zvogëloi ambiciet e saj këtë javë, duke thënë se konferenca do të ishte e hapur vetëm për bizneset ndërkombëtare dhe libiane.

Përmbytjet, të shkaktuara nga stuhia Daniel dhe që u përkeqësuan nga shembja e dy digave në Derna, kanë vrarë 3,893 njerëz, sipas numërimit të fundit të përkohshëm nga qeveria e Libisë lindore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat