Pakistani urdhëron 1.7 milion afganë të largohen nga shteti

Bota

Pakistani urdhëron 1.7 milion afganë të largohen nga shteti

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 11:37
Pikë kufitare mes Afganistanit dhe Pakistanit.

Qeveria e Pakistanit i ka urdhëruar të gjithë azilkërkuesit afganë pa status të refugjatit – rreth 1.7 milion – që të largohen nga shteti deri në nëntor.

Rritja e numrit të sulmeve nga militantët përgjatë kufirit mes dy shteteve këtë vit, ka rezultuar me përshkallëzim tensionesh.

Pakistani ka thënë se për sulmet janë fajtorë operativët me bazë në Afganistan, mirëpo kjo akuzë është mohuar nga regjimi i talibanëve.

Javën e kaluar, një shpërthim në qytetin Mastung, afër kufirit me Afganistanin, i ka lënë të vdekur të paktën 55 persona gjatë një feste fetare.

Ministri i Brendshëm pakistanez, Sarfraz Bugti, nuk e ka përmendur atë sulm, apo të tjera të ngjashme, kur e ka prezantuar vendimin kundër afganëve “ilegalë”.

E drejta për të kërkuar strehim në një shtet të huaj garantohet me ligjin ndërkombëtar.

Pakistani i ka strehuar qindra mijëra refugjatë afganë – sidomos prej kthimit të talibanëve në pushtet në Afganistan, më 2021.

Rreth 1.3 milion afganë janë regjistruar si refugjatë, derisa rreth 880.000 tjerë e kanë fituar statusin ligjor për të qëndruar në këtë shtet, sipas Kombeve të Bashkuara.

Mirëpo rreth 1.7 milion afganë tjerë jetojnë në Pakistan “ilegalisht”, ka thënë ministri Bugti, duke iu referuar atyre që nuk e kanë fituar statusin e refugjatit.

Autoritetet pakistaneze kanë thënë, po ashtu, se prej 1 nëntorit do t’i rrisin kufizimet në kufijtë mes dy vendeve – duke thënë se vetëm vizitorët me viza dhe pasaporta do të mund të kalojnë.

Tashmë është kthyer në traditë që afganët ta kalojnë kufirin me Pakistanin vetëm me letërnjoftime./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat