Zyrtarë dhe ekspertë thonë se Izraeli ndihmoi Azerbajxhanin për të rimarrë Nagorno-Karabakun

Bota

Zyrtarë dhe ekspertë thonë se Izraeli ndihmoi Azerbajxhanin për të rimarrë Nagorno-Karabakun

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 20:37
Foto ilustrim

Izraeli ndihmoi në heshtje fushatën e Azerbajxhanit për rimarrjen e Nagorno-Karabakun, duke e furnizuar me armë të fuqishme përpara ofensivës rrufe të muajit të kaluar, pas së cilës vuri nën kontroll rajonin etnik armen, thonë zyrtarët dhe ekspertët.

Vetëm disa javë përpara se Azerbajxhani të niste sulmin e tij 24-orësh më 19 shtator, avionë ushtarakë të Azerbajxhanit fluturuan në mënyrë të përsëritur midis një baze ajrore në jug të Izraelit dhe një baze ajrore pranë Nagorno-Karabakut, sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve, si dhe diplomatëve armenë, edhe pse qeveritë perëndimore po kërkonin bisedime paqeje mes dy vendeve.

Fluturimet shqetësuan zyrtarët armenë në Jerevan, të cilët prej kohësh ishin të kujdesshëm ndaj aleancës strategjike ndërmjet Izraelit dhe Azerbajxhanit dhe hodhën dritë mbi interesat kombëtare të Izraelit ndaj rajonit të Nagorno-Karabakut.

"Për ne, është shumë shqetësuese që armët izraelite janë përdorur për të qëlluar kundër popullit tonë," tha për agjencinë e lajmeve Associated Press, Arman Akopian, ambasadori i Armenisë në Izrael.

Zoti Akopian tha se përmes një serie komunikimesh diplomatike ai shprehu alarmin ndaj politikanëve dhe ligjvënësve izraelitë mbi dërgesat e armëve izraelite.

"Nuk e kuptoj pse Izraeli nuk është në gjendje të shprehë të paktën njëfarë shqetësimi për fatin e njerëzve që do të dëbohen nga atdheu i tyre," tha ai për Associated Press.

Sulmi i rrufeshëm i muajit shtator nga Azerbajxhani, që përfshiu artileri të rëndë dhe dronë, kryesisht të furnizuar nga Izraeli dhe Turqia, sipas ekspertëve, detyroi autoritetet separatiste armene të dorëzonin armët dhe të uleshin për bisedime mbi të ardhmen e rajonit.

Ofensiva e Azerbajxhanit vrau mbi 200 armenë në rajon, shumica dërrmuese e tyre luftëtarë. Po ashtu rreth 200 trupa azerbajxhanase, sipas zyrtarëve, u vranë në luftime.

Mbi 100,000 njerëz, më shumë se 80 për qind e banorëve armenë të rajonit, u larguan për shkak të luftimeve të dy javëve të fundit.

Azerbajxhani është zotuar të respektojë të drejtat e banorëve armenë.

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan e ka cilësuar eksodin "një akt të drejtpërdrejtë spastrimi etnik".

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit e hodhi poshtë me forcë akuzën, duke thënë se largimet janë "vendim individual dhe nuk kanë të bëjnë me zhvendosje të detyruar".

Ministria e jashtme dhe ajo e mbrojtjes e Izraelit nuk pranuan të komentojnë mbi përdorimin e armëve izraelite në Nagorno-Karabak ose mbi shqetësimet armene në lidhje me partneritetin e ushtarak të Izraelit me Azerbajxhanin.

Në korrik, ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant vizitoi kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, ku vlerësoi bashkëpunimin ushtarak ndërmjet dy vendeve dhe "luftën e përbashkët kundër terrorizmit".

Izraeli ka interes të madh ndaj Azerbajxhanit, i cili shërben si një burim kryesor nafte dhe është një aleat i vendosur ndaj kundërshtarit kryesor të Izraelit, Iranit. Azerbajxhani blen gjithashtu armët të sofistikuara prej Izraelit, duke sjellë përfitime të mëdha për këtë vend.

"Nuk ka asnjë dyshim lidhur me qëndrimin tonë në mbështetje të mbrojtjes së Azerbajxhanit" , tha Arkady Mil-man, ish-ambasadori i Izraelit në Azerbajxhan dhe studiues aktual i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv. "Ne kemi partneritet strategjik për frenimin e Iranit."

Azerbajxhani ka qenë prej kohësh dyshues ndaj Iranit, fqinjit të tij me shumicë shiite në Detin Kaspik dhe i shqetësuar për mbështetjen e tij për Armeninë, e cila është e krishterë.

Irani ka akuzuar Azerbajxhanin se është bërë strehë për një bazë për operacionet e shërbimeve të inteligjencës izraelite kundër tij, një pretendim që Azerbajxhani dhe Izraeli e mohojnë.

"Është e qartë se Izraeli ka një interes të mbajë një prani ushtarake në Azerbajxhan, duke përdorur territorin e tij për të vëzhguar Iranin," tha diplomati armen Tigran Balayan.

Kompanitë kontraktore ushtarake izraelite kanë qenë përfitueset e mëdha nga marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ekspertët vlerësojnë se Izraeli furnizoi gati 70 për qind të arsenalit të Azerbajxhanit mes viteve 2016 dhe 2020, duke i dhënë Azerbajxhanit avantazh kundër Armenisë dhe duke rritur industrinë e madhe të mbrojtjes së Izraelit.

"Armët izraelite kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm që ushtria e Azerbajxhanit të arrinte objektivat e saj", tha Pieter Wezeman, studiues i lartë në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm.

Raketat izraelite me rreze të gjatë veprimi dhe dronët shpërthyes, kanë kompensuar forcën e vogël ajrore të Azerbajxhanit, tha zoti Wezeman. Ndërkohë, raketat izraelit tokë-ajër Barak-8, kanë mbrojtur hapësirën ajrore të Azerbajxhanit duke rrëzuar raketa dhe dronë, shtoi ai.

Vendimi për të mbështetur një qeveri autokratike kundër një pakice etnike dhe fetare ka nxitur debate në Izrael mbi politikat për lejimin eksportit të armëve. Si një prej 10 prodhuesve kryesorë të armëve në botë, vetëm Izraelit dhe Rusisë u mungojnë kufizimet ligjore për eksportet e armëve, bazuar në shqetësimet e të drejtave të njeriut.

"Nëse dikush mund të identifikohet me frikën e vazhdueshme të armenëve në Nagorno-Karabakh për spastrimi etnik, ai është populli hebre", tha Avidan Freedman, themeluesi i grupit izraelit Yanshoof, i cili kërkon të ndalojë shitjen e armëve izraelite për vendet që shkelin të drejtat e njeriut. "Ne nuk jemi të interesuar të bëhemi bashkëpunëtorë”, tha ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat