OKB thotë se burgosja e gazetarit të REL-it është shkelje e ligjit ndërkombëtar

Bota

OKB thotë se burgosja e gazetarit të REL-it është shkelje e ligjit ndërkombëtar

Më: 11 tetor 2023 Në ora: 14:28
Ihar Losik, gazetari i REL-it i burgosur në Bjellorusi. Fotografi nga arkivi.

Grupi punues për ndalime arbitrare i Kombeve të Bashkuara tha se Qeveria bjelloruse ka shkelur ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut me burgosjen e gazetarit, Ihar Losik.

Duke reaguar pas një peticioni në gjykatë në organizata për të drejtat e njeriut, Freedom Now, dhe nga firma ligjore Dechert LLP, OKB-ja erdhi në përfundim se “arrestimi dhe ndalimi i zotit Losik bazohet vetëm në aktivitetet e tij gazetareske dhe në shprehjen e lirisë së fjalës dhe tubimit”.

“Ne mirëpresim vendimin e grupit punues”, tha zyrtari ligjor i Freedom Now, Adam Lhedamt.

“Ndalimi i paligjshëm i Ihar Losik tregon se presidenti Lukashenka [kjo organizatë i referohet Alyaksandr Lukashenkas si ‘president’ edhe pse Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete të tjera besojnë se Bjellorusia udhëhiqet nga një person që nuk është lider legjitim i shtetit] vazhdon të sulmojë lirinë e medias në Bjellorusi. Fatkeqësisht Losik është një prej shumë gazetarëve të burgosur në këtë shtet, shtet i cili vazhdimisht ka përdorur sistemin juridik për të ndëshkuar disidentët. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të zbatojë menjëherë vendimin e grupit punues dhe menjëherë ta lirojë Losikun”.

Para se të arrestohej, Ihar Losik ka punuar për Shërbimin Bjellorus të Radios Evropa e Lirë dhe ka menaxhuar një kanal informativ në Telegram. Gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, kanali i tij në Telegram ishte kanali i dytë më i shikuar në Bjellorusi.

Më 25 qershor, 2020 Losik u arrestua dhe fillimisht u akuzua për “shkelje të rendit publik” pasi autoritetet thanë se ai ka përdorur kanalin e tij në Telegram për të mbledhur protestues para zgjedhjeve. Gjatë ndalimit të tij, atij iu ndalua që të komunikonte me botën jashtë dhe raportohet se është kërcënuar me dhunë fizike dhe familjes së tij dhe vetë Losikut raportohet se i është bërë presion që të pranojë akuzat.

Departamenti amerikan i Shtetit, Komiteti i Helsinkit, Komisioni për të Drejtat e Njeriut Tom Lantos, Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale dhe ligjvënës të ndryshëm kanë bërë thirrje për lirimin e Losikut.

Në janar të vitit 2023, gruaja e Losikut, Daria u dënua me dy vjet burgim për “lehtësim të aktiviteteve ekstremiste”. Akuzat ndaj saj konsiderohen të motivuara politikisht. Bashkimi Evropian tha se është “vendim i turpshëm” shqiptimi i dënimit ndaj Darias./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat