OJQ norvegjeze kërkon qasje humanitare në Gaza “sa më shpejt të jetë e mundur”

Bota

OJQ norvegjeze kërkon qasje humanitare në Gaza “sa më shpejt të jetë e mundur”

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 22:01
Foto ilustrim

Ekziston një nevojë urgjente për të siguruar pauza dhe korridore humanitare për të shpëtuar jetë në Gaza, tha të enjten kreu i Këshillit Norvegjez për Refugjatët (NRC).

“Këshilli Norvegjez për Refugjatët bën thirrje që korridoret dhe pauzat humanitare të futen menjëherë, për të lejuar kalimin e sigurt të personelit humanitar dhe furnizimeve me ndihma në Gaza”, tha Jan Egeland në një deklaratë.

Ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që "të insistojë urgjentisht" në marrjen e qasjes humanitare dhe mbrojtjes civile për shkak të "katastrofës humanitare" në Rripin e Gazës.

“Në këtë moment, Gazës pothuajse i ka mbaruar karburanti, dhe ka furnizim rrezikshmërisht të ulët me ilaçe dhe ushqime. Kjo zonë me popullsi tepër të dendur është nën rrethim të plotë dhe bombardime të pamëshirshme nga Izraeli”, tha ai.

Egeland tha se ai u shkroi ministrave të jashtëm duke u kërkuar atyre që të siguronin menjëherë korridoret për të shpëtuar jetë dhe ai theksoi nevojën për të mundësuar ndihmë për popullin e Gazës "sa më shpejt të jetë e mundur".

"Punonjësit e ndihmës nuk mund të bëjnë punën e tyre ndërsa bombat po bien kudo. Ne po u bëjmë thirrje urgjentisht SHBA-së, BE-së dhe shteteve arabe që të rrisin mbështetjen për të mbrojtur më mirë jetën civile dhe për t'i dhënë fund zhvendosjes masive të familjeve", tha ai.

Konflikti filloi kur Hamasi filloi Operacionin “Al-Aksa Flood” - një sulm i befasishëm me shumë drejtime, duke përfshirë një breshëri lëshimesh raketash dhe depërtimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se ofensiva ishte në hakmarrje për sulmin ndaj Xhamisë “Al-Aksa” në Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Si përgjigje, ushtria izraelite nisi operacionin ‘Shpatat e Hekurta’ kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. Kjo përgjigje është zgjeruar me ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nën një rrethim të madh që nga viti 2007.

Më shumë se 2.700 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i konfliktit të shtunën, duke përfshirë mbi 1.400 palestinezë dhe 1.300 izraelitë./AA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat