​SHBA vendos sanksione të reja ndaj Hamasit

Bota

​SHBA vendos sanksione të reja ndaj Hamasit

Më: 27 tetor 2023 Në ora: 14:53
Foto ilustrim

SHBA ka vendosur një raund të dytë sanksionesh kundër zyrtarëve kryesorë dhe një rrjeti financiar të lidhur me Hamasin.

“Veprimi i sotëm nënvizon angazhimin e SHBA-së për të çmontuar rrjetet e financimit të Hamasit duke vendosur autoritetet tona të sanksioneve kundër terrorizmit dhe duke punuar me partnerët tanë globalë për t’i mohuar Hamasit aftësinë për të shfrytëzuar sistemin financiar ndërkombëtar”, tha zëvendës sekretari i Thesarit Wally Adeyemo.

Një ekip mjekësor dhe dhjetë kamionë me ndihma humanitare hynë sot në Rripin e Gazës përmes kalimit Rafah me Egjiptin, duke transportuar ujë, ushqim dhe ilaçe, tha një zyrtar palestinez i kufirit.

Që nga fillimi i luftës kanë hyrë vetëm 84 kamionë. Para konfliktit aktual, rreth 450 kamionë me ndihma humanitare arrinin në Rripin e Gazës në ditë. Shumica e 2.3 milionë banorëve të saj ishin tashmë të varur nga ndihma.

Negociatat e hollësishme janë duke u zhvilluar me Izraelin në një përpjekje për të siguruar më shumë kalime humanitare në enklavën palestineze nën rrethimin izraelit, u tha gazetarëve në Gjenevë Lynn Hastings, koordinatorja humanitare e OKB-së për territorin e pushtuar palestinez.

Izraeli ka kryer sulme të pamëshirshme ajrore që kanë vrarë mijëra njerëz në përgjigje të një sulmi ndërkufitar nga persona të armatosur të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat