Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale: Izraeli duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar

Bota

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale: Izraeli duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar

Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 21:14
Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) i bëri thirrje të dielën Izraelit të respektojë rregullat ndërkombëtare të luftës dhe tha se po përshpejton hetimet për dhunën nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor.

“Nuk ka justifikim që në Gazë doktorët të bëjnë operacione pa drita, që fëmijët të operohen pa anestezi. Imagjinoni dhimbjen”, tha prokurori Karim Khan në një video të publikuar në internet pas vizitës katër ditore në Izrael dhe Autoritetin Palestinez në Bregun Perëndimor.

“Isha tepër i qartë, se është koha të zbatohen ligjet. Nëse Izraeli nuk i respekton ato, më pas nuk duhet të ankohet”, tha zoti Khan.

Izraeli është zotuar të asgjësojë Hamasin dhe thotë se qëllimi i tij në Gazë është të shkatërrojë objektivat e lidhur me këtë grup, ndërsa u kërkon civilëve të largohen nga zonat në fjalë. Ndërkohë Hamasi, që gëzon mbështetjen e Iranit, është zotuar për shkatërrimin e Izraelit.

Prokurori Khan gjithashtu i bëri thirrje Hamasit që të respektojë rregullat e luftës dhe të mos keqpërdorë asnjë ndihmë humanitare që dërgohet në Ripin e Gazës.

“Civilët duhet të kenë qasje tek ushqimet bazë, ujin dhe furnizimet mjekësore tepër të nevojshme, pa vonesa të mëtejshme, me shpejtësi dhe në masë”, tha ai.

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) tha se mizoritë e kryera nga Hamasi më 7 tetor ishin "disa nga krimet më të rënda ndërkombëtare që trondisin ndërgjegjen e njerëzimit" dhe tha se institucioni i tij është i gatshëm ta ndihmojë Izraelin në hetimin e tyre dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës.

Në të njëjtën kohë, ai tha se dhuna nga kolonët në Bregun Perëndimor ishte "e papranueshme" dhe se gjithashtu nuk mund të lihej pa u ndëshkuar.

Izraeli nuk është vend anëtar i gjykatës me seli në Hagë dhe nuk e njeh juridiksionin e saj. Por prokurori Khan në tetor theksoi se gjykata kishte juridiksion mbi krimet e mundshme të luftës të kryera nga militantët e Hamasit në Izrael dhe nga izraelitët në Rripin e Gazës.

ICC-ja ka një hetim në vazhdim në territoret e pushtuara palestineze për krime të mundshme lufte dhe krime kundër njerëzimit që nga viti 2021./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat