Marina amerikane i shkatërron disa anije huthi në Detin e Kuq

Bota

Marina amerikane i shkatërron disa anije huthi në Detin e Kuq

Më: 31 dhjetor 2023 Në ora: 13:19
Helikopterët nga aeroplanmbajtësi amerikan, USS Dwight D. Eisenhower, u përgjigjën ndaj një thirrjeje për ndihmë më 31 dhjetor 2023. Fotografi nga arkivi.

Marina amerikane njoftoi të dielën se i ka shkatërruar disa anije të lëvizjes rebele Huthi, të cilat po tentonin ta rrëmbenin një anije mallrash në Detin e Kuq.

Katër anije nga zonat e kontrolluara nga Houthi në Jemen kanë shtënë ndaj anijes Maersk Hangzhou dhe iu afruan asaj disa metra pranë, tha ushtria amerikane.

Helikopterët nga luftanija amerikane, që ndodhej në afërsi, u përgjigjën ndaj një thirrjeje për ndihmë dhe pasi u përballën me të shtëna, ata i fundosën ato në “vetëmbrojtje”.

Ekipet e ekuipazhit u vranë dhe anija e katërt iku nga vendngjarja.

Rebelët e Huthit janë duke i sulmuar anijet në Detin e Kuq prej nëntorit.

Rebelët huthi, të cilët mbështeten nga Irani, thonë se sulmet në ngushticën jetike të transportit të mallrave përmes Detit të Kuq po bëhen ndaj anijeve të ndërlidhura me Izraelin, si përgjigje ndaj luftës në Rripin e Gazës.

Anija e mallrave që u sulmua të dielën, Maersk Hangzhou, është e regjistruar në Singapor dhe është në pronësi të një firme daneze, tha Komanda Qendrore e SHBA-së.

Maersk, njëra prej kompanive më të mëdha për transportin e mallrave në botë, thotë se i ka pezulluar lundrimet përmes Detit të Kuq për 48 orë.

Huthit e Jemenit po luajnë rol përshkallëzues në konfliktin në Lindjen e Mesme, duke sulmuar anijet në Detin e Kuq, duke gjuajtur raketa e duke kryer sulme me dronë ndaj Izraelit, në një fushatë që ata thonë se synon të mbështesë palestinezët në luftën në Gazë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, njoftoi më 19 dhjetor për krijimin e një operacioni shumëkombësh për të mbrojtur tregtinë në Detin e Kuq në përgjigje të sulmeve të rebelëve huthi.

Roli i rebelëve huthi ka shtuar rreziqet rajonale të konfliktit, duke vënë në rrezik linjat detare përmes së cilave transportohet shumica e naftës së botës dhe ka rritur shqetësimet në mesin e shteteve në Detin e Kuq, përderisa raketat dhe dronët e rebelëve huthi fluturojnë drejt Izraelit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat