LIVE: Ndodh edhe kjo/ Rusia bombardon veten me avion ushtarak – NATO thotë se sulmet ajrore të Putinit s’do të kenë sukses

Bota

LIVE: Ndodh edhe kjo/ Rusia bombardon veten me avion ushtarak – NATO thotë se sulmet ajrore të Putinit s’do të kenë sukses

Nga: Bota sot Më: 3 janar 2024 Në ora: 07:24 Përditësuar në ora: 18:42 më 03.01.2024
Foto nga vendngjarja

NATO: Sulmet ajrore të Putinit në Ukrainë s’do të kenë suksese

Vala e sulmeve ajrore të Vladimir Putinit nuk do të ketë sukses që ta thyejë qëndrueshmërinë e Ukrainës.

Duke thënë kështu përmes një qëndrimi, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, dënon sulmet e Rusisë me raketa dhe dronë mbi civilët ukrainas, raporton The Telegraph.

“Kjo është një dëshmi tjetër e përpjekjes së Putinit për ta thyer qëndrueshmërinë e Ukrainës. Por, ai nuk do të ketë sukses”, thuhet në qëndrimin e NATO-s.

Aleanca shton se do të qëndrojë me Kievin “për aq kohë sa të duhet”.

“Aleanca tashmë i ka siguruar Ukrainës një gamë të gjerë të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe mbetet e angazhuar për forcim të mëtejmë të kapaciteteve mbrojtëse”.

Rusia e bombardon aksidentalisht një fshat të vetin

Një guvernator rus ka thënë të mërkurën se e ka urdhëruar rindërtimin e nëntë shtëpive në një fshat rus, i cili u bombardua aksidentalisht nga një avion ushtarak rus.

Incidenti ndodhi të martën, kur agjencia ruse e lajmeve, RIA, e citoi Ministrinë e Mbrojtjes duke raportuar për “shkarkimin jonormal të municionit nga avioni ushtarak” mbi fshatin Petropovlovka në jug të rajonit Voronezh.

Guvernatori Alexander Gusev tha se nëntë shtëpi do të rindërtohen sa më shpejt, dhe se dëme kanë pësuar edhe një shkollë lokale, një qendër arti dhe një ndërtesë administrative.

Nuk u raportua për të vrarë, por katër njerëz kërkuan ndihmë për lëndime të vogla, tha ai.

Pesë vetura dhe një traktor janë dëmtuar, po ashtu, dhe se pronarët e tyre do të marrin dëmshpërblim, sipas tij.

“Asnjë banor nuk do të ngelë pa ndihma. Ne do t’i mbështesim të gjithë sa më shpejt”, tha Gusev.

Autoritetet ruse nuk treguan se çfarë e shkaktoi këtë incident. Derisa dëmi ishte i kufizuar, incidenti e turpëroi ushtrinë ruse dhe ndodhi në një kohë kur rajonet jugore të Rusisë në kufi me Ukrainën janë të alarmuara nga bombardimet.

Gjatë periudhës së Vitit të Ri, Rusia kreu sulmet më të mëdha raketore dhe me dronë në Ukrainë, prej se e nisi pushtimin e saj në shkurt 2022.

Të shtunën, 25 njerëz u vranë në Belgorod, në afërsi të kufirit, në sulmin më vdekjeprurës ukrainas në Rusi, thanë zyrtarët./REL

Rusia dhe Ukraina këmbejnë qindra të burgosur lufte

Rusia dhe Ukraina i kanë këmbyer të mërkurën qindra të burgosur të luftës, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Autoritetet ukrainase thanë se 230 të burgosur ukrainas të luftës janë kthyer në shtëpi. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se 248 shërbyes rusë janë liruar nga Ukraina.

Ministria ruse tha se marrëveshje u mundësua falë ndërmjetësimit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë ruajtur lidhje të ngushta biznesore me Moskën gjatë luftës ruse në Ukrainë, nuk ka komentuar rreth kësaj çështjeje ende.

Ky këmbim i madh i të burgosurve vjen pas marrëveshjeve të ngjashme në fillim të luftës, e cila do ta shënojë dyvjetorin e saj në shkurt.

Ndërkohë, Rusia tha të mërkurën se i ka rrëzuar 12 raketa të shkrepura ndaj rajoneve të saj jugore në kufi me Ukrainën, pasi forcat ukrainase synojnë ta turpërojnë Kremlinin dhe ta rrëzojnë argumentin e presidentit rus, Vladimir Putin, se jeta po vazhdon normalisht, me gjithë luftën 22-mujore.

Situata në qytetin kufitar Belgorod, i cili u përball me dy runde granatimi edhe të mërkurën në mëngjes, mbetet “e tensionuar”, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Gladov në Telegram.

Të shtunën, 25 njerëz u vranë në Belgorod, në afërsi të kufirit, në sulmin më vdekjeprurës ukrainas në Rusi, thanë zyrtarët.

Ndërkohë, gjatë periudhës së Vitit të Ri, Rusia kreu sulmet më të mëdha raketore dhe me dronë në Ukrainë, prej se e nisi pushtimin e saj në shkurt 2022.

Më 1 janar, ushtria ukrainase tha se Rusia e sulmoi me 90 dronë gjatë natës, duke e cilësuar si “numër rekord” të sulmeve ajrore./REL

Rusët u lavdëruan me sistemin e radarit që e futën në përdorim në Ukrainë, Kievi publikon pamjet kur e hedhin në erë

Luftëtarët ukrainas të njësive për operacione speciale së bashku me Brigadën 140, kanë përdorur sistemin e avancuar raketor amerikan HIMARS për të kryer një sulm ndaj sistemit të radarit rus Yastreb-AV.

“Gjatë vëzhgimit të vijës së frontit në jug, ekipi i fluturakeve pa pilot zbuluan sistemin 1K148 Yastreb-AV. Pjesëtarët e njësive për operacione speciale së bashku me Brigadën 140 të mekanizuar kanë kryer sulmin me HIMARS. Si pasojë e këtij sulmi është shkatërruar sistemi Yastreb-AV”, thuhet në kumtesën e ushtrisë ukrainase.

Ushtria ukrainase publikoi në rrjetet sociale momentin e goditjes. Ata shtuan se Yastreb-AV konsiderohet sistemi më i avancuar rus i radarit që përdoret për vëzhgim të pozicioneve sulmuese të artilerisë.

“Me ndihmën e këtij radari mund të përcjell rrugëtimin e raketave të armikut dhe të llogarit koordinatat e saktë të pozicionit të artilerisë. Këto të dhëna i dërgohen artilerisë për t’i goditur”, thuhet ndër tjera në kumtesë.

Në ditën e dytë të janarit, ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se sistemi Yastreb-AV është futur në përdorim në njësitë artilerike dhe se është vendosur në Ukrainë.

Rusia thotë se Ukraina sërish ka sulmuar rajonin e Belgorodit

Ukraina ka lëshuar 12 raketa dhe disa dron në rajonin jugor rus të Belgorodit, thanë nga Ministria ruse e Mbrojtjes dhe zyrtarët lokalë.

Sipas autoriteteve ruse, sulmi ukrainas ndodhi në orët e para të 3 janarit.

Guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, tha se situata “vazhdon të jetë e tensionuar” në Belgorod, ku Rusia tha se 25 civilë, përfshirë pesë fëmijë, u vranë gjatë sulmeve ukrainase më 30 dhjetor 2023.

Sa i përket sulmit të fundit, autoritetet ruse nuk kanë treguar nëse ka viktima. Galdokov tha se gjatë ditës do të vlerësojnë dëmin e shkaktuar.

Përshkallëzimi i sulmeve të Ukrainës në Belgorod gjatë periudhës së Vitit të Ri vjen pasi Rusia ka kryer disa prej sulmeve më masive në Ukrainë që kur Moska nisi luftën e paprovokuar kundër shtetit fqinj pothuajse dy vjet më parë.

Të martën, Kievi tha se Rusia kishte kryer mbi 300 sulme me dronë dhe raketa të ndryshme, që nga 29 dhjetori.

Belgorodi, sikurse edhe rajonet e tjera ruse që janë në kufi me Ukrainën, kanë përjetuar nivel të ulët të sulmeve që nga nisja e luftës, por sulmet e 30 dhjetorit ishin më vdekjeprurëset deri më tani. Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se këto sulme “nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar”.

Autoritetet ruse thanë se një person u vra dhe shtatë u plagosën në këtë rajon të martën.

Në sulmet e së mërkurës, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Ukraina ka përdorur gjashtë raketa balstike Tochka-U dhe gjashtë raketa të tjera, të cilat, u tha se u lëshuan nga raketahedhësi Vilkha.

Gladkov tha se Ukraina po ashtu kreu sulme me dron në rajon dhe në qytetin e Belgorodit.

Këto pretendime të Rusisë nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur. Ndërkaq, Ukraina ende nuk ka komentuar për këtë çështje.

Hodges: Rusia mund ta testojë NATO’n me një operacion të vogël në shtetet e Baltikut

Ish-komandanti i Forcave Amerikane për Europë, Gjenerali i pensionuar Ben Hodges, që si ushtarak i lartë i NATO’s ka qëndruar shpesh në Kosovë, në një intervistë për gazetën finlandeze “Helsingin Sanomat”, ka thënë se Rusia mund të kryejë operacione në shtetet e Baltikut – Letonia, Lituania dhe Estonia – që të tria anëtare të NATO’s.

Sipas Hodges, vendi i sapoanëtarësuar në NATO, Finlanda, nuk mund të jetë objektiv i mundshëm për Rusinë, prandaj ai thotë se Baltiku mund të jetë vendi ku mund të kryhet një operacion i vogël.

“Rusia nuk ka asnjë interes të humbasë dhjetëra mijëra ushtarë të saj në Finlandë, siç u ndodhi atyre më parë. Ata thjesht nuk kanë kapacitetin për të sulmuar Finlandën tani. Një destinacion i mundshëm do të ishin vendet baltike, ku mbrojtja kolektive e NATO’s mund të testohej me një operacion të vogël”.

Lajmin e plote lexojeni KETU

Borell: Rusia do të përgjigjet për krimet e luftës në Ukrainë

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme edhe siguri Josep Borell ka deklaruar se “Rusia do të jetë përgjegjëse dhe do të përgjigjet për granatimet e banorëve civilë dhe infrastrukturës civile në Ukrainë. Këtë qëndrim e bëri publik në rrjetin social X, shkruan “Politika” transmeton “Bota Sot”.

"Rusia për ndërrim të moteve ka sulmuar me qindra projektilë edhe dronë vendbanime në Kiev, Harkov dhe qytetet e tjera, duke qëlluar mbi civil, duke shkatërruar ndërtesa banimi dhe lagje e infrastrukturën e tyre.

Rusia do të thirret në përgjegjësi për krimet e luftës që bënë në Ukrainë” ka shkruar Borell në platformën X (Twiter).

Përfaqësuesi i lartë evropian ka shtuar se BE do të jetë përkrah dhe në mbështetje të Ukrainës.

Rusia ka kryer një sulm masiv ajror ndaj qyteteve Kiev edhe Harkov, ku sipas njoftimeve të deritashme nga sulmi rus kanë vdekur 5 persona dhe lëndime kanë marr mbi 130, ndërkohë që dëme material e shkatërrim kanë pësuar mbi 250 objekte civile.

Rusët bombarduan Rusinë: Pilotët e Putinit bombardojnë me aeroplan luftarak fshatin rus

Gjatë një sulmi ajror ushtarët e Vladimir Putinit duke menduar se po gjuajnë Ukrainasit, kanë bombarduar fshatin Petropavlovka në rajonin rus Voronezh.

Duke tentuar të arsyetojnë veprimin e tyre me kinse një gabim, ministria e ruse e Mbrojtjes, ka thënë se nga lëshimi i bombave nuk ka patur viktima.

Por disa video amatore e tregojnë të kundërtën – sandale të mbushura me gjak, ndërtesa dhe shtëpi të shkatërruara.

“Lëshimi i bombave nga aeroplani ndodhi më 2 janar rreth orës 9:00 të mëngjesit, ndërsa aeroplani i Forcave Ajrore ruse po fluturonte mbi fshatin Petropavlovka në rajonin Voronezh. Nuk pati viktima”, u tha në kumtesën e ministrisë ruse të Mbrojtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat