Investimet kineze në Zambia, tregtarët vendas pikëpamje të përziera

Bota

Investimet kineze në Zambia, tregtarët vendas pikëpamje të përziera

Më: 21 janar 2024 Në ora: 20:20
Foto ilustrim

Autoritetet në Zambia thonë se tregtia ndërmjet vendit të tyre dhe Kinës arriti në mbi 5 miliardë dollarë në vitin 2022. Niveli i rritur i tregtisë, megjithatë, ka sjellë në tregun e brendshëm një fluks produktesh kineze. Ndërkohë që një pjesë e banorëve të Zambias janë mirënjohës për shtimin e larmërisë së produkteve në treg, të tjerët ankohen për konkurrencën, që këto produkte kanë krijuar.

Jones Ngala është një nga tregtarët në Lusakë. Ai shet materiale ndëtimi të importuara nga Afrika e Jugut. Më parë ai shiste veshje, por u detyrua ta ndërpriste këtë aktivitet pasi nuk mund t’u bënte konkurrencë mallrave kineze që shiten me një çmim më të lirë. Zoti Ngala thotë se po përballet me vështirësi.

“Fillimisht, shisja rroba dhe më vonë fillova me shitjen e materialeve të ndërtimit për ta mbajtur gjallë biznesin pas goditjes që mora nga hyrja e produkteve të lira kineze në treg.”

Një tregtar tjetër në Lusaka thotë se ai shet produkte elektronike të importuara nga Kina. Ai shprehet më i kënaqur me to.

“Kina po prodhon çdo lloj artikulli që ne duam. Po shesim telefona, kompjutera dhe janë shumë të mira…”

Konsumatorët në rrugët e Lusakës kanë mendime të ndryshme për importet kineze.

“Preferoj mallrat e prodhuara në Perëndim, sepse janë më të mirë. U them “jo” produkteve kineze, sepse nuk janë cilësore dhe janë të lira,” thotë ajo.

“E përkrah afrimin e Kinës me ne, sepse Kina gjithmonë ka qëndruar pranë afrikanëve, na pëlqejnë produktet kineze.”

Ekonomisti Emmanuel Zulu thotë se vende si Zambia, nuk kanë përfituar sa duhet nga investimet kineze. Ai dëshiron që autoritetet kineze dhe ato të Zambias të përqëndrohen më shumë jo vetëm në importimin e mallrave kineze, por edhe në zhvillimin e prodhimtarisë dhe kapaciteteve profesionale në Zambia, që të krijojnë mundësi për dyja vendet.

“Ndonëse ka ndihmuar në hyrjen në treg të mallrave që nuk prodhohen tek ne, po kështu ka krijuar një konkurrencë të ashpër ndaj mallrave që prodhohen në Zambia dhe deri më një shkallë ka penguar zhvillimin e bazës industriale të Zambias.”

Presidenti i Zambias Hakainde Hichilema zhvilloi një vizitë shtetërore në Pekin në shtator dhe nënshkroi disa marrëveshje dypalëshe me Kinën, që kanë për qëllim të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Chipoka Mulenga i tha Zërit të Amerikës në një intervistë se qeveria e tij po punon me autoritetet kineze për të ndërtuar fabrika prodhimi dhe të për të aftësuar punonjësit në Zambia në sektorë si minierat, elektronika, industria e tekstilit dhe bujqësia./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat