Irani mohon akuzat për furnizim të Rusisë me raketa balistike

Bota

Irani mohon akuzat për furnizim të Rusisë me raketa balistike

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 00:21
Foto ilustrim

Irani mohoi të premten se ka furnizuar Rusinë me raketa balistike, pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan për një përgjigje të ashpër ndërkombëtare ndaj një veprimi të tillë.

Në fillim të kësaj jave agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar gjashtë burime, raportoi se Irani i kishte ofruar Rusisë shumë armë të fuqishme balistike, duke thelluar bashkëpunimin ushtarak midis dy vendeve të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara.

Administrata e Presidentit Biden paralajmëroi Iranin të enjten për një përgjigje "të shpejtë dhe të ashpër" nga komuniteti ndërkombëtar nëse vërtetohet se Teherani i ka ofruar Rusisë raketa balistike.

“Pavarësisht se nuk ka asnjë kufizimi ligjor për shitjet e raketave balistike, Irani është moralisht i detyruar të përmbahet nga transaksionet e armëve gjatë konfliktit Rusi-Ukrainë për të frenuar nxitjen e luftës”, tha misioni i Iranit në OKB përmes një postimi në platformën X.

"Kjo është e bazuar në angazhimin që ka marrë Irani për të respektuar ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së", thuhet në postimin e misionit diplomatik të Teheranit në OKB.

Kufizimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për eksportin e disa raketave, dronëve dhe teknologjive të tjera nga Irani skaduan në tetor.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mbajtën në fuqi sanksionet ndaj programit të raketave balistike të Iranit mes shqetësimeve për eksportet e armëve në vendet dhe grupet që Teherani i mbështet në Lindjen e Mesme dhe në Rusi.

Irani fillimisht mohoi akuzat se kishte furnizuar Rusinë me dronë, por muaj më vonë tha se kishte dërguar një numër të vogël dronësh përpara se Moska të fillonte sulmin e saj në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat