Thatësira në Kanalin e Panamasë ul numrin e anijeve që mund të kalojnë

Bota

Thatësira në Kanalin e Panamasë ul numrin e anijeve që mund të kalojnë

Më: 17 mars 2024 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Kanali i Panamasë është një ndër rrugët më të rëndësishme tregëtare të botës, që ka lidhur për mbi 100 vjet Oqeanin Paqësor me Oqeanin Atlantik. Siç njofton nga Panamaja korrespondentja e Zërit të Amerikës, Genia Dulot, qarkullimi në këtë kanal është ngadalësuar tashmë për shkak të thatësirës.

Kanali i Panamasë funksionon me ujin e ëmbël të zonës që furnizon boshllëkun mes dy oqeaneve. Si një ndër vendet me më shumë reshje në botë, uji i bollshëm nuk është zakonisht problem në Panama.

Por reshjet nën mesataren, për shkak të modelit klimatik El Nino, po kufizojnë për herë të parë në histori numrin e anijeve në këtë kanal. Metereologia e kanalit, Gloria Arrocha, thotë se kalimet ranë nga 36 në ditë në fund të gushtit, në 22 në nëntor.

Nëntori pati një defiçit, por nuk ishte aq keq sa ç’kishim menduar, kështu që rritëm numrin e kalimeve tranzit në janar në 24 në ditë. Ky është kufizimi që kemi tani. Duhet të presim deri në prill-maj dhe shirat e para, përpara se të vendosim që ta rrisim, apo ta ulim këtë numër”, thotë zonja Arrocha.

Autoritetet vlerësojnë se nivelet e ulëta të ujit që pakësojnë trafikun e anijeve, mund t’i kushtojnë Panamasë deri në 200 milionë dollarë humbje në vit, krahasuar me një vit më parë. Kjo rënie ndihet edhe tek banorët e zonës. Rey Sanchez është pronar i një dyqani për paisjet e eksplorimit nënujor në bregdetin e Karaibeve. Ai thotë se biznesi ka rënë me 50%.

“Nuk kam pothuajse prurje fare nga kruazierat turistike; ato janë ndalur. Kam një apo dy persona që më kontaktojnë për të bërë zhytje. Nuk ka qenë kështu më parë. Më parë na vinin tre-katër herë në vit grupe me nga pesë-gjashtë persona që vinin për zhytje vazhdimisht. Jo më”, thotë zoti Sanchez.

Bizneset amerikane janë klientët më të mëdhenj të kanalit; 73% e trafikut shkon drejt Shteteve të Bashkuara, ose vjen prej andej. Uashingtoni po punon nga afër me autoritetet panameze për t’i ndihmuar, thotë këshilltarja për çështjet ekonomike në ambasadën amerikane Viki Limaye.

“Një shembull janë forcat xheniere të ushtrisë amerikane që po punojnë me autoritetin e Kanalit të Panamasë për disa nga projektet e planifikimit afatgjatë dhe afatmesëm infrastrukturor dhe çështjet e menaxhimit të ujit. Po ndihmojmë gjithashtu për të gjetur mënyrat për të tërhequr më shumë investime amerikane në Kanal dhe në Panama, me shpresën që kjo do të nxisë llojin e novacionit dhe teknologjisë së re që do t’i ndihmojë t’i përshtaten ndryshimit klimatik”, tha zonja Limaye.

Autoritetet e kanalit po planifikojnë një rezervuar të ri që do të ruajë nivelet e ujit deri në vitin 2075, thotë zëvendës administratorja e Kanalit të Panamasë, Ilya Marotta.

“Do të vazhdojmë sigurisht të shqyrtojmë opsione të tjera; ka alternativa për kursimin e ujit p.sh., pasi duhet të vazhdojmë përgjithnjë të jemi një rrugë jetike. Kanali i Panamasë e ka dëshmuar se sa i rëndësishëm është për mbi 100 vite dhe i shohim klientët tanë që dëshirojnë vërtet të kalojnë këtu. Thjesht nuk kemi vend të mjaftueshëm për të gjithë”, thotë zonja Marotta.

Në kuadrin e përpjekjeve për t’u rikthyer tek kapaciteti i plotë, autoritetet emëruan këtë vit drejtuesin e parë për zhvillimin e qëndrueshëm të Kanalit të Panamasë, për të krijuar një strategji më të mirë për trajtimin e ndryshimit klimatik dhe për t’i bërë operacionet e kanalit më miqësore me mjedisin duke ulur nivelin e gazit karbonik që çlirohet./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat