Intervistë me aktorin e talentuar dibranë në SHBA, Artan Telqiu

Diaspora

Intervistë me aktorin e talentuar dibranë në SHBA, Artan Telqiu

Nga: Beqir Sina Më: 12 gusht 2019 Në ora: 15:58
Artan Telqiu

Artan Telqiu : Jam artist dhe arti në përgjithësi më flen në zemër!

Aktori, producenti dhe skenaristi Artan Telqiu është bërë një emër eminent i artit me punën e tij plot vullnet dhe dedikim. Artani ka pasur sukses në teatër dhe film gjatë karrierës së tij artistike në Nju Jork.

Vjen me origjinë nga Dibra e Madhe, Maqedonia Veriore.

Ai u shpërngul në Nju Jork, pas luftës së Kosovës në 1999. Artan Telqiu, njihet për rolet e tij në dramat “Best of Friends”, “Belgrade Trilogy” dhe “Lost in Space”, që i dhanë më shumë sukses si aktor për publikun amerikan.

Gjithashtu u shfaq në “Anti- Bullying” në vitin 2011, një fushatë për sensibilizimin kundër dhunës dhe ngacmimit, e cila qe e organizuar nga Daniel Azarian, me përkrahje të Perez Hilton.

Artani ishte pjesë e serisë mjaft të suksesshme “Monsters Inside Me” (2011) në kanalin e njohur televiziv Animal Planet dhe “Inside the American Mob” që u shfaq në National Geographic.

Suksesi i tij vazhdon në filmin e regjisorit Orges Bakalli “Made in America”, ku aktori Artan Telqiu luan rolin kryesor si “Ilir Bushati” bashkë me protagonisten Emira Berisha.

Suksesi i tij nuk përfundon këtu. Artanit iu bashkangjit edhe një sukses, ku vazhdoi me rolin kryesor në filmin “A Walk With Death” nga regjisori i njohur Logan Fulton, si dhe në filmin “Elegant Clockwork of the Universe” nga Malik Isasis.

Për të qenë i sukseshëm patjetër që duhet edhe rrjetëzimi me kompani teatrale. Tani Artan Telqiu bashkëpunon me Teodor Petelov me kompaninë teatrale në Nju Jork “The Whitelisted Theatre Company”, si aktor, producent, udhëheqës i përcaktimit të grupit të aktorëve dhe udhëheqës i zhvillimit.

Përmes kesaj kompanie Artani kater voet me pare kismet prezentuar dy shfaqje në teatrin e vëllezërve shqiptar Alfred dhe Ernest Tollja, The Producers Club Theatres, që ndodhet në Broduejin e famshëm të Nju Jorkut.

E pikerisht, me Dramën kryesore “Lost in Space” ku ishte edhe si aktor, dhe dramën “Who the f**k started all this?” e cila vazhdoi te prezantohej me sukses.

Me Artanin nga skena e Nju Jorkut, folem katër vjet më parë, duke ri-kthyer këtë intervistë me gazetarin tonë në Nju Jork, për Bota sot.

Kur ju apo prindërit tuaj erdhët në emigrim, SHBA dhe pse?

-Kam ardhur në Amerikë në Shtator të vitit 1999 si vizitor me plan që të rikthehem përsëri në vendlindje. Në kohën që unë ndodhesha në NY, filloi lufta në Maqedoni. Ky qe dhe shkaku që vazhdova qëndrimin në Shtetet e Bashkuara. Pastaj kërkova azil në SHBA. Familja ndodhet edhe këto ditë në Dibër të Madhe.

Ju jeni artist, ose aktori, producenti dhe skenaristi Artan Telqiu. Cila nga keto tituj ju pëlqen dhe ju flen më shumë në zemër?

-Do t’i huazoj fjalët e tua dhe do të them se së pari jam artist dhe arti në pergjithësi më flen në zemër. Para se të vazhdoj aktrimin në SHBA, artin e kam zhvilluar në mënyra të ndryshme. Fillova të mirrem me fotografi dhe së shpejti e gjeta vehten të dashuruar në atë. Gjatë kësaj kohe, pata fatin të punoj dhe të kontriboj plot dy vite si asistent i fotografit të famshëm Fadil Berisha. E kujtoj atë kohë me mall. Kjo qe një periudhë e paharruar e jetës sime që më mësoi se puna e palodhshme në fund gjithmonë sjell fryte dhe rezultate pozitive. Për mua nuk ekziston shembull më i mirë për këtë se Fadil Berisha. Mirëpo, edhe pse ndodhesha në rrethin e njerëzve tepër të talentuar, nuk u ndala aty. Aktrimi më tërhiqte më shumë, kështuqë vendosa të ndjek këtë drejtim në Nju Jork. Për këtë arsye, lirisht mund të them se nga të tre zhanret që përmendët, më shumë më pëlqen dhe më flen në zemër aktrimi.

Kur filluat të performoni në skenat moderne? ( vendi dhe rolet e tua )

– Në skenat bashkëkohore kam qenë aktiv që nga viti 2009 kur mora pjesë në shumë seriale televizive si “Mercy”, “Rescue Me”, “Lights Out”, “Royal Pains”, “Damages”…etj. Kjo periudhë e karrierës sime më krijoi themelin. Duke u nisur nga kjo, gradualisht fillova të ndërtoj një karierë stabile. Edhe pse vendlindja më krijoi dashurinë ndaj artit, Nju Jorku është vendi që hapi portat drejt realizimit të ëndrrave të mia. Sepse gjithmonë duhet të ketë një vend të caktuar për të shprehur talentin. Edhe pse në vendlindjen time arti çmohet shumë, gjithsesi Nju Jorku është vendi ku teknologjia dhe bota e artit është më e rregulluar dhe e avancuar dhe jam me fat që pata mundësi të kyçem në të?

Në çfarë moshe keni filluar karrierën tuaj të aktrimit?

– Aktrimi është bërë pjesë e jetës sime shumë herët. Kam gjetur vehten në skenë që nga mosha 8 vjecare. Që nga momenti i parë kur jam ndodhur përpara publikut, e kam ndjerë se aktrimi është ajo që dua t’a bëj si profesion, e jo të mbetet vetëm hobi.

Si ka ndikuar aktrimi në jetën tuaj?

– Si cdo njeri që ka pasion në jetën e tij unë e kam aktrimin. Ta ushtroj këtë profesion më jep ndjesi të madhe, më përmbush shpirtërisht. Aq më shumë kur punoj me njerëz që ndajnë po të njëjtën dashuri për këtë lloj arti. Kur punon me ta dhe kuptojnë botën tënde, kjo të jep akoma edhe më shumë shtytje. Unë jam i mendimit se njeriu duhet të ndjekë atë që ia don zemra, pa marrë parasysh se sa të tjerët të thonë se nuk është e mundur. Me vullnet dhe punë arrihet gjithçka. E kur e bën atë që të flen në zemër, vetëm në këtë mënyrë mund të gjesh një balanc në jetë. Vetëm në këtë mënyrë mund të jesh i lumtur. Nuk mund t’a imagjinoj vehten pa art. Pa të jeta për mua është e zbrazët. Do të ndjehesha si peshku pa ujë.

Kur lexoni skenarin dhe bëni përgatitjet për rolin tuaj, cili është procesi juaj kreativ për të zhvilluar një personazh?

– Ky është një proces zbulimi gjatë gjithë kohës. Jo vetëm gjatë leximit por edhe gjatë xhirimit të një filmi apo shfaqjes të një drame. Zakonisht së pari lexoj skenarin duke mos pasur asnjë personazh në mendje. Dua që në fillim të kuptoj kush, ku dhe kur, para se të ndaj dhe analizoj personazhin tim. Pastaj e lexoj për së dyti por tani me personazhin tim të parafyturar në mendje. Ngadalë filloj të kuptoj atë dhe të krijoj një vizon të tij. Pasi e kryej këtë, formoj një të kaluar të tij që nuk është në skenar. Kur koha vjen për të filmuar mundohem të aktroj me personazhin në mendime dhe zemër. Në këto momente mundohem të harroj veten dhe të zhytem thellë në karakterin e personazhit që kërkohet. Gjithmonë tentoj ti jap jetë atij personazhi prandaj edhe e analizoj dhe krijoj të kaluarën dhe të tashmen.

Në preformancen tuaj thuhet se kryeni kryesisht interpretime origjinale, cilat janë disa nga rolet e juaja?

– Jam i nderuar që publiku dhe mediat kanë këtë mendim sepse nqs nuk ka origjinalitet, atëherë projekti nuk ka jetë. Megjithëse interpretimet e tilla janë të shumta, do mundohem të përmend rolet që mendoj se kanë lënë më shumë përshtypje. Dick në “Best of Friends”, Daca në “Belgrade Trilogy”, Adolph në “Lost in Space”, Gabriel në “Elegant Clockwork of the Universe”, Detective Carter në “Selected”, Tom Price në “Little Girl Lost”…etj.

Cilat prej roleve të tua kanë shënuar suksese në botën e aktirmit duke ju shndërruar në talent?

– Normalisht, si çdo fillim, aktrimi i ka pengesat e veta. Çdo pengesë na mundëson që të zgjedhim rrugën drejt cilës të vazhdojmë. Rruga që zgjedhim zakonisht shëndrrohet në një aventurë por edhe në një qark që gjithmonë të kthen në vendin e njejtë, pra në pikën fillestare. Se cilën rrugë zgjedhim, ajo e tëra varet nga ne. Unë besoj se talenti lind së bashku me ardhjen tonë në këtë botë. Jeta dhe rrethanat na bëjnë të hasemi në pengesa dhe sfida të shumta, dhe shpesh na bëjnë të harrojmë se kemi talent. Mirëpo, varet plotësisht nga ne se sa këmbegulës dhe vullnet kemi në atë se sa do ta zhvillojmë këtë talent . Do t’ushqejmë dhe t’a rrisim brenda vehtes, apo ta lamë të vdes nga uria. Talenti i aktorit zakonisht testohet në audicione. Pasi kalon testimin, regjisori t’a beson rolin. Secili rol që më është besuar mendoj se më ka zhvilluar në mënyrën e vet. Disa prej keto mund të them është roli i Daca në dramën “Belgrade Trilogy” i cili më mundësoi që të kultivoj talentin duke zbuluar aftësitë e mia të plota si aktor në skenë. Roli i Ilir Bushatit në filmin e Orges Bakallit “Made in America” jo vetëm që më mundësoi të aktroj gjatë gjithë kohës me akcent të huaj, por edhe më lejoi të kërkoj dhe eksploroj emocione të ndryshme përbrenda këtij personazhi. Mos harroj të përmend edhe rolin e fundit në dramën “Lost in Space” i cili më tërhoqi plotësisht në një botë krejtësisht të ndryshme nga ajo e imja.

Çfarë çmimesh apo vlerësimesh keni marrë me këto interpretime, ose realizime që i keni arritur?

– Reaksioni ndaj projekteve ka qënë gjithmonë pozitiv. Shkrimet kanë qenë gjithmonë pozitive dhe kanë theksuar dukshëm talentin tim. Raporti im me bashkëpuntorët në teatër si dhe në film ka vazhduar edhe pasi të kenë përfunduar projektet. Të gjitha këto reagime dhe vlerësime pozitive janë një shtysë e madhe, për të punuar më shumë dhe të përsosem në drejtimin që kam zgjedhur. Jam shumë falënderues për të gjitha.

Cilat janë raportet e tua me gazetarët?

– Kam një respekt të vecantë ndaj gazetarëve si dhe raport shumë të mirë. Gazetarët janë ata që e bëjnë punën time më të dukshme, dhe që ndikojnë që edhe të tjerët të dijnë për kontributin dhe punën time të vullnetshme në fushën e aktrimit. Gjithmonë puna që bën gazetari është shumë e ndjeshme, në mes dy ekstremeve një punë që mund të fillojë luftëra apo t’i ndalë ata. Por mbi të gjitha është një portal për audiencën që të pranojë të vërtetën se çfarë ndodh në botë. Ata janë syri dhe veshi jonë, dhe e kanë respektin dhe përkrahjen time të plotë.

Pse keni zgjedhur pikërisht këto zhanre? A I keni zgjedhur ju apo ju kanë gjetur ato vetë?

– Nuk është se i ndjek zhanret unë, por zakonisht ato më zgjedhin mua. Industria e filmit është e tillë që të sjell në situata ku si aktor, kur të vjen mundësia të kesh një rol, duhet të bësh të pamundurën ti përshtatesh. Mirëpo përgjegjsia është e dyfishtë, duhet të përshtatesh që të dalësh i mirë në rol, por në të njejtën kohë edhe ke përgjegjësi që edhe projekti të del i sukseshëm, sepse ti je pjesë e pandashme e tij.

Kur keni kontaktuar për herë të parë me artin dhe çfarë ju motivoi të mirreni me art?

– Arti ka lindur në mua. Kujtoj, se kam qënë 6 vjecar kur më ka dalë në pah talenti im në këtë fushë. Në atë kohë më ka tërhequr arti i vizatimit. Kam kaluar një kohë të gjatë të fëmijërisë duke vizatuar karaktere të ndryshme me orë të tëra. E mbaj mend gjyshi më sillte fletushka të pastra dhe lapsa të mprehura. Keto vite kan qënë vitet e para që kam krijuar një kontakt me artin. Motivimi besoj se ka qënë nga një instikt i brendshëm, por burimi i ketij instikti mund të them se vjen nga të dy prindët, e kam trashëguar nga ta sepse edhe ata janë artëdashës.

Çfarë ëndrrash keni pasur për kinematografinë?

– Gjithmonë kur shihja televizor si fëmjë e imagjinoja vehten në ekran. E kisha dëshirë të flaktë të shoh si janë bërë inçizimet prapa skenës, dhe gjithmonë ka qenë ëndërr e imja që një ditë edhe unë të jem një nga aktorët në film. Fatmirësisht, Zoti dëgjoi dëshirën time. Sot, kjo ëndërr po më realizohet . Gjithashtu kam dëshirë të kontriboj në art edhe si shqiptar. Është një dëshirë dhe angazhim i vazhdueshëm sepse me përmbajtjen dhe bashkëpunimin e artistëve tjerë shqiptar do të arrijmë të krijojmë produksione të nivelit botëror. Talent dhe dëshirë kemi, vetëm na duhet përkrahje financiare dhe mundësi. Sepse nuk dallohemi nga komunitetet të tjera në këtë aspekt. Aftësi padyshim që kemi.

Kush ju frymëzon më shumë për të aktruar?

– Frymëzimi më vjen në forma të ndryshme. Asgjë nuk do të kishte kuptim po të mos kisha përkrahje të vazhdueshme nga familja fillimisht. Pastaj edhe nga shoqëria që gjithmonë më kanë përkrahur. Mbi të gjtiha bashkëshortja ime është ajo që më përkah pa masë. Pa inkurajimin e saj do ta kisha shumë të rëndë të gjej fuqinë për të vazhduar, aq më shumë kur ndodhesh në një vend të huaj. Laura me ka përkrahur dhe frymëzuar që nga fillimi për të shtyrë më tej ëndërrën time dhe për t’a bërë atë realitet.

Sa role keni realizuar deri më sot ?

– Të them të drejtën , kam luajtur në shumë role, dhe nuk mund t’a them me saktësi numrin. Gjithsesi janë mbi 30 role në projekte të ndryshme, duke filluar nga reklamat, videot për muzike, rolet në teatër dhe deri tek filmat me metrazh të shkurtër dhe ato të gjatë.

Cilat kanë qenë ato role që ju kanë sjell kënaqësi?

– Secili rol e sjell kënaqësinë e vetë, dhe në secilin rol përkushtohem me të njejtën tempo. Por, mos të harrojmë se edhe projekti dhe ekipi me të cilin punon është shumë I rëndësishëm dhe te jep kënaqësi, stimul që aktori të ketë më shumë sukses në skenë. Për fat të mirë, njerëzit që kam pasur nderin të punoj më kanë sjellur po të njëjtin vullnet dhe motivim në punën që kemi bërë ashtu siç e kam pasur edhe unë në vehte. Në përgjithësi rolet në teatër më sjellin më shumë kënaqësi, por edhe filmi e ka magjinë e vet, e sidomos kur përcjell një mesazh të rëndësishëm drejt publikut.

Kush janë partnerët ose figurat që keni luajtur përkrah tyre që ia vlen të përmenden?

– Një nga dy nga partnerët që kam respekt dhe vlerësim të vecantë është Teodor Petelov i cili më besoi me rolin kryesor në dramën e parë që shfaqëm në Nju Jork, “Belgade Trilogy”. Kjo dramë u pranua jashtëzakonisht shumë nga publiku i Ballkanit, por jo vetëm. Mbresa të jashtëzakonshme i la edhe publikut Amerikan. Ky sukses ishte edhe një ndër arsyet që unë jam tani drejtor i zhvillimit në kompanine tonë teatrale The Whitelisted Theatre Company. Sivjet shfaqëm “Lost in Space” e cila u vlerësua jashtëzakonisht mirë nga kritikët amerikan. I dyti është Roland Uruçi, një talent i vecantë me të cilin kam pasur nderin të ndaj ekranin. Për momentin jam duke bashkëpunuar me të në një film tepër me rëndësi për shqiptarët që do të filmohet këtë verë ne Fier (Shqipëri). Shumë artistë të njohur shqiptar janë të inkuadruar në këtë projekt. Filmi ështe në fazat nismëtare dhe ka nevojë për ndihmën e të gjithëve. Për më shumë mund të kontaktohet Rolandi në [email protected].

Si jeni pritur deri tani nga audienca, sepse ato janë edhe matësit e suksesit, apo jo?

– Patjetër që po. Reagimi i publikut gjithmonë ka qenë pozitiv, gjë që më jep më shumë besim dhe kurajo që të vazhdoj këtë drejtim që kam marrë ne jetë.

Çfarë thonë producentët, dhe specialistët për talentin tuaj?

– Një ndër gjërat që gjithmonë dëgjoj është ajo se e kam aftësinë të pranoj drejtimin e regjisorit dhe të ekzekutoj atë me lehtësi. Me një fjalë, të paraqes dialogun që kam në film në cfarëdo mënyrë që regjizori të më udhëzojë. Pra i plotësoj pritshmëritë e regjisorit. Gjithashtu, e kam aftësinë të improvizoj në skenë në atë mënyrë që tregimi të bëhet edhe më i plotë dhe i besueshëm. Ndjehem i lumtur, sepse me të gjithë që kam pasur fatin të punoj deri tani më kanë veçuar si një aktor lojal, që mban fjalën dhe sakrifikon për projektin në pyetje.

A e dini gjë rreth artit shqiptar në zhanret që ju preferoni?

– Unë jam rritur në një vend që arti është kultivuar gjenerata e gjenerata . Si pasojë kjo është mveshur thellë në traditë. Dibra e Madhe është një qytet që e njeh artin shumë mirë dhe e din të vlerësojë dhe të ndajë të keqen prej të mirës. Për këtë arsye secili artist e ndjen vehten të nderuar kur pranohet mirë nga publiku dibran. Sepse e din që ata e vlerësojnë talentin, dhe si të thuash nuk ta thonë të mirën po s’qe e mirë. Vëndi im më ka njohtuar me dramën dhe vlerën e artit në jetën e përditshme. Kështuqë preferoj dramaturgjinë, por edhe filmat që tregojnë një tregim real dhe aktual.

A keni ndonjë idhull? Qoftë ai shqiptar dhe botëror?

– E kam të rëndë të vecoj se janë të shumtë, por si idhuj botëror mund të them Sean Penn, Daniel Day-Lewis, Rusell Crow, Meryl Streep…dhe shumë të tjerë. Nga ato shqiptar mund të vecoj Fadil Berisha, John Belushi, Sandër Prosi, Tinka Kurti, Roland Trebicka…e shumë të tjerë.

Njiheni për rolet në “Best of Friends”, “Belgrade Trilogy” dhe “Lost in Space” që thuhet se u dhanë më shumë sukses si aktor për publikun amerikan?

– Saktë! Këta janë disa nga projektet që më kanë afruar për së afërmi me publikun amerikan, dhe gjithashtu më kanë hapur dyert për projekte vijuese.

A mund të na thoni edhe diçka rreth teatrit për realizmin dhe sjelljen në skenë të një drame tjetër nga Ballkani këtu në NY, “Who The F**k Started All This”, në The Producers Club Theatres?

– Teatri është shumë më i vështirë për t’u realizuar se filmi, ngase kërkon më shumë dedikim dhe kohë për të pasur një produksion final me cilësi të lartë. Është një udhëtim me vështirësi të shumta, aq më tepër kur je një i huaj në një metropol si Nju Jorku. Këtu koha është tepër e çmuar dhe gjithçka kushton para. Nuk ka njeri prapa skenës që nuk bën sakrifica gjatë këtij procesi. Si producent ishte detyra e ime që gjithcka të jëtë në rregull, dhe në kohë të caktuar. Kjo e bënte edhe më të vështirë lidhjen time me karakterin që kisha në dramë. Thjesht nuk ka pushim deri sa mbaron shfaqja e fundit dhe pastrohet gjithçka ne teatër. Pengesat e para i kishim që nga fillimi kur njerëzit tanë si konzullata e Kosoves, Maqedonisë, nuk na jepnin përkrahje. Gjithsesi veprat janë më të mëdha se çdo gjë. Puna e palodhshme dhe altruiste na afroi me njerëz që respektojnë atë që bëj. Faleminderoj shokët, dhe të gjithë tjerët që me përkrahën…White Rock Construction, First Impressions Hair Salon, Unitech Solutions NY.

A shkoni shpesh në vendlindje? Sa shpesh e keni vizituar Dibrën e Madhe?

– Në Dibër kam dëshirë të shkoj çdo vit, por fatkeqësisht mundësitë nuk janë të tilla. Kam vizituar të paktën katër herë deri tani. Planifikoj këtë verë t’a vizitoj përsëri. Në këtë mënyre punët do të regullohen që të ndodhem atje për xhirimin e filmit të Roland Uruçit.

Ju jeni me origjinë nga Dibra e Madhe, Maqedoni, u shpërngulët në Nju Jork pas luftës së Kosovës në 1999. Sa keni lobuar ju si artist në SHBA tek audiencat shqiptare dhe ndërkombëtare për njohjen e Kosovës?

– Edhe pse nuk e dua politikën, kjo është një çështje që të gjithë e kemi pasur obligim moral, prandaj them që po kam lobuar. E kemi për detyrë si shqiptar të krenohemi dhe të flasim për kulturën dhe vendlindjen tonë kudo që të jemi në botë. Sepse ne e duam artin edhe e kultivojmë. Para se të nisem për në Amerikë punoja për IOM (International Organization for Migration). Kam patur fatin të ndihmoj shqiptarët në forma të ndryshmë. Gjatë kësaj kohe pata mundësinë t’ju ndihmoj shumë refugjatëve të cilët ndodheshin nëpër kampet e Shkupit. Në këtë periudhë, përmes punës, u takova me presidentin e atëhershëm Bill Klinton, dhe si rezultat rastet urgjente dhe speciale të zgjedhura posaçërisht nga z-tri. Klintoni kalonin nëpër duart e mia. Jam krenar që m’u dha kjo mundësi të bëj diçka për popullin tim. Lidhjet që krijova me Amerikanet ne Maqedoni i vazhdova edhe në Amerike mirëpo jeta këtu është e atillë që të largon nga njerëzit. Sidoqoftë, kur erdhi puna për njohjen e Kosovës jam munduar aq sa kam pasur fuqi që të bëj ate çështje të njohur përmes politikanëve amerikan. Një ndër gjërat që mund të përmend është edhe fotografimi falas i mbrëmjeve të NAAC (National Albanian American Council) në Restorantin e famshëm Cipriani.

Si ke arritur ti bësh bashkëatdhetarët tanë krenarë nëpërmjet veprimtarisë së tuaj artistike ?

– Unë besoj se gjithmonë kur një bashkatëdhetar arrin sukses në ndonjë lëmi, të tjerët krenohen me këtë fakt. Sa herë dëgjoj për suksesin e bashkëatdhetarëve të mi në media, më kap një ndjesi lumturie. Jam krenar. Mund të përmend rastin e Lundrim Paçukut, një këngëtar me zë të rrallë, që ishte pjesë në shoun e talentëve në Voice of Albania. Patjetër që edhe Dritan (Tony) Dovolani që arriti suksese në Dancing With The Stars, mua më bënte të lumtur që vjen nga vendi im. Nuk kishte natë që nuk votonim për t’a ndihmuar të kalojë në nivelin tjetër. Besoj edhe shpresoj se edhe bashkëatdhetarët e mi e ndjejnë të njejtën gjë . Falë punës sime të palodhshme, me këtë sukses që kam arritur deri tani besoj të kem bërë krenar bashkatdhetarët e mi, edhe shpresoj që suksesi të vazhdon që të kem mundësinë të ndihmoj të tjerët që e kanë po të njejtën ëndërr që unë gjithmonë e kam pasur.

A keni ndonjë mesazh për të gjithë ata që duan të ndjekin te njëjten ëndërr?

– Gjëja e parë dhe e rëndësishme është të bësh atë që të flen në zemër. Kur e di se çka është ajo, atëherë, të mbetet ëndrrën t’a bësh realitet. Kjo nuk është e lehtë, por jo edhe e pamundur. Fakt është se asnjë gjë në jetë nuk arrihet pa punë dhe dedikim të palodhshëm. Asnjë ëndërr nuk realizohet duke fjetur. Asnjë betejë nuk fitohet vetëm.Jam në bashkëpunim me shumë artistë shqiptar ketu ne SHBA dhe jam krenar që jam i rrethuar nga gjithë këto talentë.

Besoj se së bashku do të bëjmë vepra që ti japin popullit shqiptar emër të mire jo vetëm në Amerikë por edhe në mbarë botën. Populli ynë duhet të jetë i bashkuar si asnjëhere, sot është koha që të hecim përpara. Është mirë të mendojmë për një kauzë më të madhe, për suksese dhe arritje të gjithë së bashku. Le të mos lejojmë xhelozia, urrejtja dhe egoizmi, këto veti të ulta, të jenë pengesa për të bërë diçka madhore. Le të jemi të bashkuar dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin në forma të ndryshme.

Poashtu bëj thirrje për partitë politike se ato duhet të bashkohen edhe të kenë një zë, kufijtë duhet të tejkalohen që këto zëra të dëgjohen anë e mbanë globit. Jemi një komb, dhe këtë komb mund t’a cojmë përpara vetëm të bashkuar. Kjo arrihet, duke mos bërë dallime ndërmjet shqiptarëve të Shqipërise nga ato të Kosovës apo ato të Maqedonisë…. Le të cojmë artin përpara se kemi potencial dhe jemi artëdashës. JEMI NJË DHE TË BASHKUAR JEMI MË TË FORTË!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat