Ministri Claes Andersson përcillet me nderime për në banesën e fundit

Diaspora

Ministri Claes Andersson përcillet me nderime për në banesën e fundit

Nga: Lili Verdha Më: 30 gusht 2019 Në ora: 06:17
Ministri Claes Andersson

- Më 2017 u nderua nga Presidenti Meta si Mik i Shqipërisë me Medaljen "Për Merita të Veçanta Civile"

HELSINKI, 23.8.2019 (NewsDesk) -  Sot u përcoll me nderime të veçanta për në banesën e fundit politikani, psikiatri, poeti dhe pianisti i mirënjohur i xhazit - ministri Claes Andersson (Klas Anderson), i cili u nda nga jeta para një muaji në moshën 82-vjeçare. Në Ceremoninë e Përmortëshme, mbajtur në Kishën Johannes, ishin mjaft personalitete të lartë të politikës, artit, kulturës, shkencës, ekonomisë dhe simpatizantë të tij. Në shenjë nderimi, disa nga të pranishmit recituan pjesë nga Vjershat e tij.

Ai njihet si një prej themeluesve të Lidhjes së Majtë të Finlandës (Vasemmistoliitto,1990) dhe si drejtues i saj për 8 vjet me rradhë. Ai ka qenë ministër i Kulturës (1995-1998) dhe deputet i Parlamentit finlandez gjatë viteve 1987-1999 dhe 2007-2008, kur u tërhoq për arsye të forta shëndetësore.

Ministri Claes Andersson është vlerësuar vazhdimisht si një prej humanëve më të mirënjohur të Finlandës, i cili dha një kontribut të vyer në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe, sidomos, të të drejtave të pakicave kombëtare në Finlandë, përfshirë dhe ato të emigrantëve shqiptarë këtu. Ai vetë i përkiste minoritetit suedez të Finlandës.

Veç profesionit të mjekut psikiatër, ai u dallua edhe për krijimtarinë e gjërë si shkrimtar dhe poet, duke na lënë si trashëgim kulturor 4 botime shkencore (2000-2009), 7 romane (1972-2019), 12 Përmbledhje Vjershash (1962-2015), si dhe 3 disqe muzikore (2002-2018).

Gjatë punës së tij si ministër i Kulturës dhe deputet deri dhe disa javë para sëmundjes së rëndë që i mori jetën, Klas Anderson nuk hezitoi asnjëherë të jetë i pranishëm në pothuajse të gjitha veprimtaritë për promovimin e Shqipërisë, organizuar nga Konsullja e Përgjithshme e Nderit e Shqipërisë në Finlandë, Dr. Liliana Verdha. Më 2007-2008, si Kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë me Shqipërinë, ai bashkëpunoi ngushtësisht si me Konsullen Lili Verdha ashtu edhe me Shoqatën "Miqtë e Shqipërisë në Finlandë".

Me Propozim të Konsulles Lili Verdha, Claes Andersson është nderuar nga Presidenti Ilir Meta me Medaljen "Për Merita të Veçanta Civile" (30.11.2017), me motivacion "Për mbështetjen e vazhdueshme të veprimtarive njohëse për kulturën, traditat dhe historinë e popullit shqiptar, si dhe për ndihmesën e dhënë bashkësisë shqiptare në Finlandë". Medalja iu dorëzua atij dhe disa personaliteteve të tjerë finlandezë gjatë një Ceremonie të veçantë organizuar nga Konsullja Verdha në mjediset e "Klubit Finlandez" në Helsinki.

Ai do të kujtohet gjithnjë me respekt dhe mirënjohje nga të gjithë ne që patëm rastin dhe nderin të bashkëpunonim me të!

I PAHARRUAR QOFTË KUJTIMI I MIKUT TONË - CLAES ANDERSSON!

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat